21:25

VV-ja s’përjashton protestat, ende pa qëndrim rreth pjesëmarrjes në seancë

Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit, në “Raport” të KTV-së ka thënë se Vetëvendosja nuk e përjashton mundësinë për protesta, derisa ka bërë të ditur se ende nuk kanë ndonjë qëndrim se si do të veprojnë për seancën e së mërkurës ku pritet të votohet Qeveria Hoti.

Sipas saj për situatën e krijuar një rol të madh në LDK kanë luajtur ata që s’kanë marrë votën e popullit.

“Një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm kanë pasur ata që s’kanë marrë pjesë fare në zgjedhje. Janë disa figura Veliu, Hyseni, Mustafa që nuk kanë qenë pjesëmarrës në zgjedhjet e fundit dhe që kanë pozita të larta brenda partisë. Nuk e kontestoj të drejtën në aspekt të vendimmarrjes brenda LDK-së, dhe atë legjitimitet e kanë marrë nga strukturat e partisë. Po pres se cili do të jetë kabineti që do të formohet”, ka thënë ajo.

Sipas saj bashkëpunimi në Qeverinë Kurti ishte i mirë ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, me disa përjashtime.

“Qeveria Kurti ka funksionuar me një bashkëpunim të plotë dhe ishte vetëm Veliu që u shkarkua dhe ka pasur disa deklarata të Hotit kur kemi rënë ndesh. Por, ministrat e tjerë kanë kryer punën e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Inicimi i mocionit të mosbesimit ka qenë një tendencë për të ardhur në pushtet, ndonëse nuk i kanë fituar zgjedhjet. Kjo nuk ka qenë thjeshtë një dëshirë sa për të qenë me AAK porse kanë qenë të bindur se kështu mund ta shtyjnë realizimin e projektit të Thaçit”, ka thënë Nagavci.

Ajo tutje ka folur edhe për peticionin, i cili nga nesër do të jetë edhe fizik.

“Ne kemi iniciuar një peticion me të cilat kërkojmë zgjedhje të reja. Deri më tani kanë kaluar mbi 50 mijë nënshkrues. Jemi kujdesur që të verifikojmë secilin prej nënshkrimeve dhe ato të jenë reale. Kurse nga nesër do të jetë edhe një peticion fizik. Besojmë se do të jetë peticioni më i madh ndonjëherë. Synimi i peticionit është se ne kërkojmë zgjedhje të reja. Në situatën e krijuar duhet të kthehemi edhe njëherë tek qytetari. Ne e konsiderojmë se janë qytetarët ata që duhet të vendosin të ardhmen e këtij vendi”, ka thënë Nagavci.

Sipas Nagavcit subjektet e tjera me refuzimin e tyre për të shkuar në zgjedhje vetëm se e shpërfaqin se ata janë të vetëdijshëm për rezultatin që do të kenë.

“U bë publike dje edhe një raport i UNDP-së për matjen e pëlqyeshmerisë për institucionet”, tha Nagavci.

Ajo tha se në to u pa se pëlqyeshmëria ishte shumë e lartë për kryeministrin Kurti dhe kryeparlamentaren Osmani.

Tutje ajo ka thënë se nuk i përjashtojnë protestat, porse ajo e 5 qershorit nuk është thirrur nga Vetëvendosja.

“Aq sa kemi parë është se është thirru një protestë për 5 qershor, por për të nuk qëndron prapa Vetëvendosje, e deri më tani nuk kemi vendosur për ndonjë protestë. Në situatën që jemi nuk i përjashtojmë protestat, por sot nuk e di që ka një vendim për organizimin e protestave. Qytetarët janë të frustruar e të shqetësuar për mënyrën e zgjedhjes së qeverisë së re. Ne po përkujdesemi që të ruajmë demokracinë”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se Qeveria Hoti është krejtësisht e varur nga votat e Listës Serbe.

“Nuk jemi takuar sot, kemi pasur një takim pas vendimit të parë. Besoj se nesër do të takohemi prapë, dhe ka disa mendime se si do të veprojmë tutje. Ka disa opsione, mund të shkojmë dhe të votojmë kundër, mund të mos marrim pjesë në votim sepse duket se tashmë i kanë bërë numrat. I pashë nënshkrimet e deputetëve dhe ishin dhjetë votat e Listës Serbe, dhe me anë të votave të saj do të formohet kjo qeveri e cila varet krejtësisht nga Lista Serbe. Por, cilat do të jenë veprimet tona do ta shohim të mërkurën paradite”, ka thënë Nagavci.

Tutje ajo ka folur edhe për deklaratat e presidentit Thaçi.

“Është për të ardhur keq që kemi një president të tillë, gjuha që ai e përdor, diskursi që ai e përdor është një gjuhë që jo vetëm që nuk i bën nder, por e tejkalon gjithë mandatin e tij. Mendoj që pak njerëz i marrin seriozisht deklaratat e tij. Fatkeqësia është se LDK-ja ia ka dhënë mundësinë që ai të jetë president. Kjo e tregon panikun e tij dhe një urrejtje që e ka dhe që ne nuk mund të bëjmë asgjë në këtë drejtim dhe e shfaq atë ashtu siç është”, ka deklaruar Nagavci.

21:04

Nagavci: Mocioni i mosbesimit, i lidhur me apetitet për pushtet

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, në emisionin “Raport” në KTV ka thënë se pretendimet e bëra për “prishje të raporteve me SHBA-në”, të cilat nga LDK-ja janë përmendur edhe si arsye për inicimin e mocionit të mosbesimit janë diçka që do t’i dëshmojë koha.

“U jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme. Unë besoj që raportet tona duhet të jenë të tilla, natyrisht se jemi mirënjohës, por në anën tjetër synojmë të kemi respekt për veten tonë. Ajo që e kemi kërkuar është që ne të ruajmë integritetin e sovranitetin e Kosovës, ashtu si na kanë ndihmuar shtetet tjera”, ka thënë ajo.

Ajo me këtë rast u është referuar synimeve të Kurtit, që Kosova të ketë ekip gjithpërfshirës në negociatat me Serbinë.

“Kemi synuar të kemi ekip gjithpërfshirës dhe ekip që do t’i ketë parasysh interesat e Republikës së Kosovës, e jo tendencë për përmbylljen e marrëveshjes pa e marrë parasysh çmimin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, mocioni i mosbesimit ka qenë i lidhur me apetite të caktuara.

“Mocioni i mosbesimit ka të bëjë thjeshtë me apetitet për të ardhur në pushtet. Ata ishin në pushtet por jo në mënyrën që janë mësuar. E dini që vendim i qeverisë Kurti ka qenë zvogëlimi i privilegjeve, zvogëlimi i ministrive, teksa tani pritet që të rritet numri i ministrive”, ka thënë ajo.

Sipas Nagavcit, të kërkosh reciprocitet me Serbinë është diçka që e bëjnë të gjitha shtetet në raportet dypalëshe.

“Është tej çdo norme në marrëdhëniet ndërkombëtare që t’i kërkosh një shteti të heqë dorë nga reciprociteti”, ka thënë ajo.

Sipas saj, edhe në programin qeverisës ka qenë e cekur që tarifa do të zëvendësohet me reciprocitetin.

“Pra, ata (LDK) janë pajtuar për këtë”, ka thënë ajo, duke shtuar se reciprociteti është diçka që duhet t’u takojë dy shteteve, pra Kosovës dhe Serbisë.

“Nevojitet respekt reciprok. Deklaratat për heqje të reciprocitetit tregojnë se kjo qeveri e ka një mision të caktuar. Ajo do të jetë jetëshkurtër. Koha do të tregojë se dëmi që po synojnë t’ia bëjnë ata Kosovës do të jetë i pariparueshëm”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka bërë të ditur se Vetëvendosja do t’i përdorë të gjitha mjetet politike në dispozicion për ta kundërshtuar këtë gjë.

20:37

Nagavci thotë se Qeveria Hoti vjen me një mision: Përmbylljen e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, në emisionin “Raport” në KTV ka thënë se Qeveria Hoti vjen në pushtet me një mision: përmbylljen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Sipas saj, ende pa e marrë detyrën, Hoti po bën me dije se janë të gatshëm të pranojnë gjithçka që u ofrohet në tavolinë.

“Nuk e di nëse ka qytetarë të Kosovës që besojnë që Qeveria Hoti do të themelohet apo vijë në pushtet për ta luftuar korrupsionin apo zhvilluar vendin. Ata vijnë për një mision të cilin e ka caktuar tashmë presidenti Thaçi: Për ta përmbyllur marrëveshjen”, ka thënë ajo.

Lidhur me thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për respektimin e vendimit të Kushtetueses, Nagavci ka thënë se edhe vetë kryeministri Kurti e ka bërë të qartë se kundërshtimi do të bëhet në mënyrë politike.

E rreth seancës së të mërkures në Kuvend, në të cilin pritet të votohet Qeveria Hoti, Nagavci ka thënë se LVV-ja ende s’ka qëndrim dhe se me një qëndrim të tillë do të dalë nesër.

“Si LVV do të marrin qëndrim rreth mbajtjes së kësaj seance në Kuvend”, ka thënë ajo.

Sa i përket kërkesave të BE-së, Nagavci ka thënë që është kërkuar të formohet sa më parë një qeveri që del nga vullneti i qytetarëve.

“Sigurisht se kryetari i VV-së, Kurti, e ka bërë të qartë se është i gatshëm ta vazhdojë dialogun me Serbinë, jo dialog me kushte, por dialog si të barabartë”, ka thënë ajo.

20:33

Nagavci: Aktgjykimi i Kushtetueses tregon se sa të instrumentalizuara janë institucionet tona

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, në emisionin “Raport” në KTV ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese tregon se sa të instrumentalizuara dhe të kapura janë institucionet e vendit.

“Kjo është edhe një veprim në vargun e vendimit të paprecedent të vendimit që mori Gjykata Kushtetuese. Kjo duket më tepër si një shkresë politike. Edhe në aktgjykimin e sotëm bien në sy shumë kundërthënie. Bie në sy që Gjykata nuk i ka paraqitur në mënyrë të saktë edhe punën përgatitore të komisionit kushtetues. Edhe ne i kemi pasur dokumentet dhe kemi bërë kërkesë që të kemi qasje në ato dokumente. Dhe bie në sy që Gjykata nuk i është referuar në mënyrë të saktë transkripteve, gjegjësisht dokumenteve përgatitore të komisionit kushtetues. Përjashto këtu faktin se ato as nuk është dashur që të merren për bazë sipas vlerësimit tonë për shkak se asnjëherë nuk kanë qenë zyrtare apo të zyrtarizuara në gazetë zyrtare”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj Gjykata Kushtetuese ka shkuar përtej kompetencave të saj.

“Ekipi i kryeministrit i ka analizuar dhe ka bërë një deklaratë publike. Përpos faktit me këtë vendim ka amandamentuar apo shkruar Kushtetutën, duke marrë përsipër edhe kompetencat të cilat nuk i takojnë. Gjykata Kushtetuese me këtë vendim e raporton jo drejtë edhe vendimit të vet të vitit 2014, ku thuhej se presidenti është i obliguar të ftojë në konsultime vetëm partinë fituese. Kurse tani presidenti i ftoi të gjitha subjektet politike”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se nuk kanë qenë krejtësisht të bindur në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, porse dëshironin të shtjerrnin të gjitha mundësitë demokratike.

“Presidenti ka dërguar pesë letra të njëpasnjëshme në kohën brenda 20 ditësh, duke kërkuar emrin e kandidatit duke bërë presion në Lëvizjen Vetëvendosje. Ai është munduar që përpos presionit ta përgatisë edhe këtë dekret. Kjo që ndodhi sot vetëm se e vërteton dilemat tona të bazuara në argumente juridike se për fat të keq institucionet e shtetit janë të kapura dhe të instrumentalizuara. Vetëvendosja si fituese e zgjedhjeve është kujdesur që të shtjerrë të gjitha mjetet politike e juridike që ka pasur në dispozicion. Nuk kemi qenë krejtësisht të bindur në pavarësinë e GJykatës Kushtetuese, e kemi dëshiruar një gjë të tillë. Do të ishte në të mirë të vendit që ky institucion të tregonte integritet”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj kjo ka ndodhur vetëm për ta ruajtur Thaçin.

aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese e tregon se sa të instrumentalizuara janë institucionet tona. Për të ruajtur një person, këtë rast Thaçin, janë në gjendje që të shkelin edhe vet Kushtetutën. Kjo nuk na heq të drejtën neve që me mjetet demokratike në dispozicion të flasim se si ne i shohim faktet. Keq që nuk kemi mundësi që ta kontestojmë në aspektin juridik. Jemi të gatshëm t’i argumentojmë me fakte. Kushtetuta nuk i përcakton afatet, këtu është shkelja që ne e kemi evidentuar”, ka thënë ajo.