15:50

Minatorët kërkojnë t’u bashkohen ekipeve të kërkimit për nxjerrjen e trupave nga Miniera e Artanës

Sylë Gërbeshi është një prej minatorëve që ishte në vendin e ngjarjes kur masa shkëmbore zuri dy kolegë të tij në Minierën e Artanës.

Dhe tash, ai dëshiron të kthehet sërish në horizont, Gërbeshi dhe kolegët tjerë të Minierës kanë shprehur gatishmërinë që t’u bashkohen ekipeve të specializuara të FSK-së, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve dhe KEK-ut në nxjerrjen e trupave që kanë mbetur te punishtja 249 e Minierës së Artanës.

“Tash nuk kemi kurrfarë mundësie. Mundësitë janë qysh me i tërheq ata dy vëllezër nga aty, a po na lejojnë ne kolegët të shkojmë brenda për t’i tërhequr së bashku me këta vëllezër që kanë ardhur nga FSK-ja e Policia. Nëse jo, po presim këtu. Jemi të kënaqur të marrim pjesë edhe ne”, tha ai, përcjell KP-ja.

Edhe Vehbi Gërbeshi, minator, shprehu gatishmërinë që të marrë pjesë në operacionin e tërheqjes së trupave.

“Të na lejohet edhe neve të hyjmë, sepse kemi mundur me qenë ne aty. Ata e kanë pas fatin deri aty”, ka thënë Vehbi Gërbeshi.

15:01

MEPTINIS-i konfirmon vdekjen e dyfishtë në Minierën e Artanës

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike (MEPTINIS) ka konfirmuar vdekjen e dy punëtorëve në Minierën e Artanës.

Përmes një postimi në Facebook, MEPTINIS-i ka bërë të ditur se te vdekja e dyfishtë ka ardhur pas shembjes shkëmbore në minierë.

“Shprehim keqardhje të thellë për fatkeqësinë e ndodhur sot, më 2 qershor, në minierën e Artanës ku kanë humbur jetën Idriz Gërbeshi dhe Haki Arifaj. Idriz Gërbeshi ka qenë xehetar me banim në Hajvali, ndërsa Haki Arifaj inxhinier i diplomuar i xehetarisë nga fshati Gllogovc, Komuna Lipjan.

Ngjarja ka ndodhur me shembjen e papritur të masës shkëmbore në minierën Artana.
Autoritetet e Republikës së Kosovës po angazhohen maksimalisht për t’u dalë në ndihmë të gjithë minatorëve dhe familjarëve të prekura”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e MEPTINIS-it.

13:21

Ekipet e FSK-së po punojnë në nxjerrjen e dy minatorëve që dyshohet se vdiqën në Minierën e Artanës

Viktimat nga shembja e dheut në Minierën e Artanës, janë dy minatorë të moshës rreth 50-vjeçare.

Minatorët kanë vdekur në horizontin e pestë të Minierës.

Në vend të ngjarjes kanë dalë ekipi i mjekësisë ligjore edhe ekipet e FSK-së që po punojnë në nxjerrjen e trupave tyre në sipërfaqe.

Në Artanë ndodhen edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari.

Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë në Gjilan, ka thënë se ekipet e shpëtimit po punojnë në vendngjarje dhe se pa raport të mjekut, nuk mund të konfirmohet vdekja e dy minatorëve nga Policia.

11:56

Aksident në Minierën e Artanës, dyshohet për dy të vdekur

Në Minierën e Artanës gjatë së martës ka ndodhur një aksident brenda në punishte.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku ka thënë se sipas informatave që kanë nga drejtuesit e kësaj Miniere, dyshohet për të dy persona të vdekur.

Sipas tij në punishte kanë qenë vetëm dy punëtorë.

“Ka ndodhur një aksident në Minierën e Artanës. Sipas njoftimit që e kemi dyshohet se kanë humbur jetën dy punëtorë. Një inxhinier dhe një minator. Nga Miniera na kanë konfirmuar, por ne jemi duke shkuar atje”, ka thënë për KOHËN Sadiku.

Edhe kryetari Sindikatës së Punëtorëve të Minierës së Artanës, Blerim Ymeri, ka thënë se dy punëtorë dyshohet se kanë humbur jetën. Por sipas tij, aty ishin pesë punëtorë.

“Aksidenti ka ndodhur rreth dy orë më parë. Pjesa tavanore ka rënë nga lartë. Aty kanë qenë rreth 5 punëtorë. Ajo i ka zënë inxhinierin dhe minatorin, por fatmirësisht të tjerët kanë shpëtuar me lëndime të lehta”.