16:02

Kadaj-Bujupi thotë se nuk votoi për Hotin për shkak të qëndrimeve të tij për taksën

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se nuk ka votuar pro Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër për shkak të insistimit të tij në heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Në një postim në Facebook, Kadaj-Bujupi ka kritikuar edhe anashkalimin e Vjosa Osmanit të LDK-së, që në zgjedhjet e fundit ishte kandidate për kryeministër. Caktimin e Hotit për kryeministër ajo e ka cilësuar si kandidat i caktuar në tavolinë.

“Kryeministri Avdullah Hoti qëndron në anën e kundërt të besimeve të mia politike. Ai ishte i pari dhe më i zëshmi që insistonte në heqjen e taksës ndaj Serbisë. Në fazën në të cilën ndodhet Kosova, nuk mund të ndjehem rehat kur një shef ekzekutivi drejton dialogun me Serbinë me të tilla qëndrime. Ky dialog ka shumë paqartësi dhe shumë udhëkryqe. Prandaj kërkon një udhëheqje të qëndrueshme dhe parimore. Jam e vetëdijshme që në zgjedhje nuk votohet për kryeministër. Pra jo domosdoshmërisht kandidati/ja që ka fituar më shumë vota duhet të jetë domosdoshmërisht kryeministër. Por nuk mund të themi se vota e qytetarëve nuk është fare e rëndësishme. Në këtë rast është anashkaluar nje grua e cila u votua për kryeministre dhe u caktua një kandidat tjetër në tavolinë. Prandaj edhe nuk votova për Hotin kryeministër”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

13:44

Kadaj–Bujupi s'e mbështet Qeverinë Hoti, Haradinaj thotë se nuk e ka ditur qëndrimin e saj

Deputetja e AAK-së Donika Kadaj – Bujupi nuk e ka mbështetur Qeverinë Hoti.

Kryetari i partisë Ramush Haradinaj, tha se nuk e ka ditur qëndrimin e saj. 

“Pyeteni atë”, tha Haradinaj.

KOHA ka tentuar të marrë një qëndrim nga Kadaj - Bujupi. Në momentin kur është kërkuar nga kryesuesi i seancës që të votohet, Kadaj - Bujupi, ka lëshuar sallën.

Kadaj - Bujupi deri sot nuk ka pranuar të tregonte se cila do të jetë vota e saj.