Mbyllet seanca e Kuvendit pa konsensus për marrëveshjet ndërkombëtare

- 16:44Mbyllet seanca e Kuvendit pa konsensus për marrëveshjet ndërkombëtare
- 14:26Kuvendi miraton propozim-vendimin për ndryshim dhe tejkalim të përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit
- 13:38PDK-ja s'e mbështet propozim-vendimin e Qeverisë Hoti për ndryshim të deficitit buxhetor
- 13:23Partitë në pushtet mbështesin propozimin për ndryshim të deficitit buxhetor
- 13:20Abrashi: VV-ja s’po përkrah implementimin e pagave që i ka propozuar vetë
- 12:57Haxhiu i kërkon qeverisë të falë qytetarët që u dënuan gjatë pandemisë
- 12:55Bajrami: Rënie prej 14.5 për qind e të hyrave, deri në fund të majit
- 12:31Kuvendi miraton zëvendësimet në disa komisione parlamentare
- 12:23Ismaili në debatin për simbolet: PDK s’do paqe me VV-në
- 11:42Musliu: Qeveria Kurti - qeveri shkurti, Rexhaj: Qeveria Hoti - qeveri koti
- 11:30Selimi i quan shpifje deklaratat e Balajt për ‘heqje të flamujve në zyrat e qeverisë’
- 11:26Zv.km Balaj: Kur mora postin në qeveri në zyre nuk gjeta flamuj të Kosovës e deklaratën e Pavarësisë
- 11:17Tolaj i AAK-së: Kosova vazhdon të mos ketë informacione të sakta për rënien ekonomike
- 11:11Lushtaku i PDK-së fton Prokurorinë “të hetojë takimin e Haki Abazit me zyrtarë të BIA-s”
- 10:56Çeku: Prej kur qeveria ilegale u ul në karrige asgjë normale në Kosovë nuk po ndodh
- 10:48Betohen deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës
Mbyllet seanca e Kuvendit pa konsensus për marrëveshjet ndërkombëtare
Seanca e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa konsensus rreth shqyrtimit dhe miratimit të disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Konsensusi nuk u arrit në pikat për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për financim mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e fuqizimit të sektorit financiar, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e zhvillimit të ujërave të zeza në Gjilan, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për financimin e projektit për kadastër të patundshmërisë dhe infrastrukturë gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”, si dhe shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi akuzoi VV-në që këto marrëveshje ndërkombëtare janë dërguar në Kuvend nga Qeveria Kurti, por nuk po përkrahen nga deputetët e këtij subjekti politik.
Kuvendi miraton propozim-vendimin për ndryshim dhe tejkalim të përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit
Në Kuvendin e Kosovës është miratuar propozim-vendimin e qeverisë për ndryshim dhe tejkalim të përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit dhe kufizimit të balancit bankar të përkohshëm i cili u është shpërndarë deputetëve më 8 qershor.
Ky vendim ka kaluar me 59 vota për, 41 kundër dhe 1 abstenim, raporton KOHA.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar vendimin e Qeverisë për tejkalimi të përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit nga 2 për qind në 6.5 për qind dhe ulja e bilancit bankar në 3 për qind. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga ata të PDK-së, me arsyetimin se Qeveria nuk ka treguar në mënyrë të detajuar se ku do t’i shpenzojë ato mjete që po i kërkon. Por, deputetët e LDK-së, AAK-së dhe Nismës kanë përkrahur një kërkesë të tillë, pasi kanë thënë se kjo do të lejojë që qytetarëve që kanë pësuar nga pandemia tu ndihmohet përmes Pakos Emergjente Fiskale dhe asaj për Rimëkëmbje ekonomike.
Me dakordim të Grupeve Parlamentare, Kuvendi ka shkuar në pauzë për 1 orëshe.
Seancën, me udhëzim të kryeparlamentares Vjosa Osmani do ta udhëheqë nënkryetarja Arbërie Nagavci.
PDK-ja s'e mbështet propozim-vendimin e Qeverisë Hoti për ndryshim të deficitit buxhetor
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur se nuk do të përkrah propozim vendimin e Qeverisë Hoti për ndryshim dhe tejkalimin e deficitit buxhetor.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza duke arsyetuar mos përkrahjen e këtij vendimi tha se nuk do të bëhen pjesë e shkeljeve ligjore.
Ai po ashtu tha se ka paqartësi se për çka do të përdoret rritja e deficitit prej 4.2 për qind në buxhet.
“Dy për qind është brenda projeksioneve aktuale të buxhetit, po kërkoni një rritje prej 4.2 për qind. Për çka dëshironi me përdor atë deficit? A i keni shpjeguar deputetëve dhe opinionit se cili do të jetë destinacioni apo përdorimi final i këtyre fondeve? A do të jetë për t’i mbuluar minusin te pjesa e të hyrave ku sigurisht edhe qeveria e kaluar dhe aktuale do të përdorin pandeminë si arsye për dështimet e veta. E dimë që ka pasur efekt, por a do të përdorni për të mbuluar mungesën e të hyrave që do të jetë mbi 200 milionë euro? A do të jetë për të mbuluar minuset e krijuara brenda buxhetit? Keni krijuar minuse edhe te pagat edhe te pensionet edhe në shumë pozicione. Është mirë qe edhe kur është qëllimi i mirë të bëhet me ligj”, tha ai, raporton ksp.
Qeveria Hoti në mbledhjen e javës së kaluar i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të votojë për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor.
Partitë në pushtet mbështesin propozimin për ndryshim të deficitit buxhetor
Në seancën e sotme plenare, tri grupet parlamentare të partive në pushtet i kanë dhënë mbështetje propozim-vendimit të ekzekutivit për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor.
LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma kërkuan ky propozim të merr përkrahje nga deputetët në mënyrë që të implementohet pakoja emergjente fiskale.
Deputeti i LDK-së, Shkëlzen Hajdini dha arsyet pse duhet votohet ky tejkalim i deficitit buxhetor.
“Në emër të grupit parlamentar i japim mbështetje të plotë propozimi-vendimit të qeverisë për tejkalim të rregullës fiskale për deficitin buxhetor në përqindje prej 6.5 për qind. E uljen e bilancit bankar të përdorshëm në 2 për qind. Kjo në mënyrë t’i mundësohet t’i ofrojë ekonomisë rimëkëmbje, sektorit privat një mbështetje. Jemi dëshmitar të një ndikimi të madh në ekonomi, një ndikim negativ të pandemisë Covid-19 në sektorin privat”, tha ai, raporton ksp.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi adresoi kritika ndaj deputetëve të LVV-së se pse të njëjtin projekt kur ishte Albin Kurti i jepnin përkrahje, ndërsa tash po e stopojnë.
“Nuk i kuptoj deputetët e LVV-së që një projekt që e kanë shtyrë vetë këta, e në momentin kur qeveria aktuale ka marrë përsipër për të implementuar të njëjtën nuk e përkrahin”, u shpreh ai.
E deputeti i Nismës, Endrit Shala tregoi arsyet pse duhet votuar ky propozim-vendim.
“Me qëllim që ne si deputetë t’i mundësojmë qeverisë implementimin e pakos emergjente. Implementimin për përkrahje ekonomike të situatës së krijuar. Pastaj që qeveria e re të fillojë me procedurat e rishikimit të Ligjit për Buxhetit ne si grup parlamentar i japim përkrahje këtij vendimi të qeverisë”, tha ai.
Qeveria Hoti në mbledhjen e javës së kaluar i ka kërkuar Kuvendit të Kosovës të votojë për ndryshim dhe tejkalim të deficitit buxhetor.
Abrashi: VV-ja s’po përkrah implementimin e pagave që i ka propozuar vetë
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka bërë thirrje që të kthehet vëmendja nga sektori privat. Ai ka thënë se sektori privat e ka pësuar më së shumti gjatë krizës së pandemisë.
“Sektori civil i ka marrë pagat dhe të ardhurat e veta, madje edhe një javë më parë, sektori privat ka qenë 80% i bllokuar dhe i është pamundësuar çfarëdo aktiviteti ekonomik gjatë kësaj pandemie. Besoj se sot duhet të ketë përparësi sektori privat, i cili është bartës i ekonomisë së Kosovës”, tha ai.
Abrashi ka kritikuar edhe deputetët e Vetëvendosjes, për të cilët ka thën se tash nuk po e mbështesin implementimin e vendimit të Qeverisë Kurti për t’i paguar punëtorët e sektorit privat me nga 170 euro.
Abrashi ka thënë se Qeveria ka paguar vetëm 80% të aplikantëve për muajin mars, ndërsa për muajin prill nuk ka bërë asnjë pagesë.
Haxhiu i kërkon qeverisë të falë qytetarët që u dënuan gjatë pandemisë
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të falë të gjithë qytetarët që u dënuan gjatë periudhës pandemike, si pasojë e shkeljes së masave të izolimit. Haxhiu ka thënë se ato masa ishin kundërkushtetuese, prandaj, sipas saj, ato dënime janë të paligjshme.
“Kërkoj që Qeveria legjitime, të marrë vendim që të falen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët me vendimet e Qeverisë Kurti u ndëshkuan duke u dënuar dhe arrestuar, për shkak të vendimeve që ishin anti-ligjore dhe anti-kushtetuese. Gjykata Kushtetuese tregoi që ishin kundërkushtetuese”, tha ajo, raporton ksp.
Haxhiu ka thënë se Avokati i Popullit ka kërkuar edhe dëmshpërblimin e tyre, mirëpo sipas saj, më e pakta që mund të bëhet është falja e atyre dënimeve.
“Thjesht, Qeveria Hoti të marrë vendim për t’i falur të gjithë qytetarët që u drejtuan padrejtësisht. Avokati i Popullit ka kërkuar edhe dëmshpërblim, por më e pakta që mund të bëhet është falja e atyre dënimeve”, ka thënë ajo.
Bajrami: Rënie prej 14.5 për qind e të hyrave, deri në fund të majit
Ministrja e Financave dhe Transfereve, Hykmete Bajrami ka thënë se deri në fund të muajit maj të hyrat totale kanë qenë për rreth 128 milionë më pak sesa që ishin planifikuar në buxhetin 2020, duke shënuar kështu rënie vjetore prej 14.5 për qind.
Sipas saj, deri në fund të vitit, të hyrat e rregullta nënperformojnë rreth 230 milionë euro në raport me të hyrat e buxhetit 2020
“Të hyrat buxhetore veç janë ndikuar dukshëm gjatë periudhës maj-qershor dhe pritet që ndikimi negativ të vazhdojë edhe në muajt në vijim. Deri në fund të muajit maj të hyrat totale kanë qenë përreth 128 milionë e më pak sesa që ishin planifikuar në buxhetin 2020, duke shënuar rënie vjetore prej 14.5 për qind. Sipas draft projeksioneve të fundit të ministrisë së Financave parashihet që deri në fund të vitit të hyrat e rregullta të nënperformojnë rreth 230 milionë euro në raport me të hyrat e buxhetit 2020. Ndërkohë që FMN insiston që ne do të kemi një nënperformancë rreth 300 milionë euro për të qartësuar tutje edhe pse ne që në muajt në fillim të hyrat të rriten në raport me tre muajt e fundit rritja nuk do jetë assesi rritja që ishte projektuar në fillim të vitit 2020. Në krahasim me parashikimet fillestare për vitin 2020 ne presim që edhe në muajt në vazhdim të kemi një nënperformancë çka do të bëjë që diferenca që është në projeksionet buxhetore të rritet në muajt në vijim për të shënuar një total në minutë prej 230 milionë“, ka thënë ajo/ ksp.
Kuvendi miraton zëvendësimet në disa komisione parlamentare
Me kërkesën e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë miratuar zëvendësimet e anëtarëve dhe kryetarëve në disa prej komisioneve parlamentare.
Shefi i GP të LDK, Arben Gashi, tha se këto zëvendësime behën për shkak se disa prej këtyre kryetarëve dhe anëtarëve tashmë kanë marrë poste qeveritare dhe ata zëvendësohen me të tjerë.
“Komisioni për Legjislacion Mandat, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe Mbikëqyrjes e Agjencisë kundër Korrupsionit, në vend të kryetarit Driton Selmanaj, ish-deputet, kryetar të emërohet deputeti Shkëmb Manaj, anëtar i komisionit deputeti Visar Hoti. Komisioni për Integrime Evropiane, në vend të ish-kryetarit Armend Zemaj, kryetar emërohet deputeti Ismet Beqiri, ndërsa në vend të deputetit Fidan Rekaliu, anëtar i komisionit emërohet deputeti Faton Bislimi. Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion Kulturë, Rini dhe Sport, në vend të kryetarit Arban Abrashi emërohet kryetare Valentina Bunjaku-Rexhepi. Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi, Investime Strategjike, largohet deputetja Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe zëvendësohet me deputetin Fidan Rekaliu”, ka thënë Gashi.
Ismaili në debatin për simbolet: PDK s’do paqe me VV-në
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka theksuar se çështja e simboleve nuk është minore.
“Të kalohet me një neglizhencë të tillë dhe të konsiderohet se të gjtiha këto janë pjesë të logjistikës, e administratës është fyerja e madhe ndaj shtetit dhe sakrificës tonë. Nuk jemi duke folur për të panjohura të mëdha, dy zëvendëskryeministra kanë qenë Haki Abazi dhe Avdullah Hoti, pra nuk ka shumë, cili ka qenë ai që nuk i ka pas flamujt e Kosovës”, është shprehur Ismaili, raporton KOHA.
“Do të ishte mirë që zotëri Hoti të na tregoni a ka pas simbole, nëse ka pasur, atëherë po mbetet Haki Abazi, se edhe ashtu nuk ka pas ndonjë tendencë të madhe ndaj mbrojtjes së Republikës së Kosovës, duke e parë që ka pas një flirtim të jashtëzakonshëm me përfaqësues serbë gjithandej Kosovës”, ka shtuar Ismaili.
Ai ka thënë se nuk duan paqe me LVV-n, të cilën sipas tij është duke e dashur LVV-ja. Paqe Ismaili ka thënë se nuk duan as me qeverinë e tanishme.
Pas kësaj ka reaguar edhe një herë Balaj-Halimaj, e cila ka thënë se ka informacione që në zyren në të cilën është vendosur, ka informacione që është shfrytëzuar nga kabineti i Kurtit, për punë të tyre.
Debati lidhur me simbolet si dhe qeverinë Kurti është përmbyllur nga një reagim i shefit të LVV-së, Rexhep Selimi.
“Kolegë të nderuar jeni duke e tepruar, jo duke e tepruar me oponencë për jeni duke e tepruar me të pavërteta, ngritni situata, sajoni situata, jo kështu ka qenë zyra, jo me kë u takua filani... folni çka keni të gjitha faktet nxjerrni hapur, mos bëni kështu, jeni duke dashur të thoni se edhe ne jemi si ju, që edhe në takohemi me përfaqësues të Serbisë sikurse ju”, është shprehur Selimi duke thënë se janë duke e tepruar me shpifje.
“Nese keni diçka për Haki Abazin folni se me kënd është takuar; nëse keni diçka për simbolet, nxjerrin fotografi, apo nuk i keni parë asnjëherë qeveritarët kur kanë dalur në konferenca”, ka theksuar Selimi.
Ai ka thënë se nuk duan paqe me PDK-së, e as të jetë bashkopozitë më PDK-në, sepse sipas tij PDK-ja e ka rreshtuar veten më LDK-ën.
Musliu: Qeveria Kurti - qeveri shkurti, Rexhaj: Qeveria Hoti - qeveri koti
Arben Gashi i LDK-së ka kërkuar që deputeti i LVV-së Arbër Rexhaj që të ketë kujdes në gjuhën e përdorur, ose të përjashtohet nga salla.
“Në bazë të kodit të mirësjelljes, deputetët duhet të përdorin gjuhë parlamentare”, ka thënë Gashi në Kuvend, raporton KOHA.
Rexhaj e quajti Qeverinë Hoti “qeveri koti”.
“Po shmanget debati rreth asaj se kjo ‘qeveri koti’ varet nga Lista Serbe. Shihni varësinë ndaj Listës Serbe dhe lërini çështjet logjistike”, kishte thënë Rexhaj.
Ndërkohë deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu i është bashkuar këtij debati.
Ajo qeverinë e mëparshme Kurti e ka quajtur “Qeveria Shkurti”.
Selimi i quan shpifje deklaratat e Balajt për ‘heqje të flamujve në zyrat e qeverisë’
Në reagimin ndaj deklaratave të zëvendëskryeministres Albulena Balaj, Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se të gjitha këto janë shpifje dhe të pavërteta.
“Nuk e di se në cilën zyre ka shkuar zëvedëskryeministrja dhe në cilën zyre është sot, nuk e di a e din edhe kjo në cilën zyrë ka shkuar, por këto janë shpifje”, ka theksuar Selimi, raporton KOHA.
Zv.km Balaj: Kur mora postin në qeveri në zyre nuk gjeta flamuj të Kosovës e deklaratën e Pavarësisë
Zëvendëskryeministrja nga Nisma Albulena Balaj, tha se kur ka hyrë në zyrën pasi mori postin, nuk ka gjetur flamuj të Kosovës e as deklaratën e Pavarësisë.
“Kur kam hyrë në zyrën time në qeveri nuk ka pasur flamuj e as deklaratë të pavarësisë sepse dikush i ka hequr. Ndoshta nuk janë të nevojshme në ditët e para, po presim që administrata ta mbush zyrën. Dikush iu ka hequr nga zyra”, tha ajo, raporton KOHA.
Memli Krasniqi nga PDK-ja tha se “Numri 2 dha deklaratë shqetësuese. Ai kërkoi nga Balaj të sqarohet se për cilat zyre bëhet fjalë.
“Ka qenë shqetësuese kur kam hyrë në qeveri dhe kam parë zyre të shkatërruara. Nuk e di në cilën zyre kam hyrë, e kujt ka qenë, zyra ka qenë e shkatërruar. Administrata ka qenë e shkatërruar”, tha ajo.
Ndërkohë kryeministrin e ri Avdullah Hoti, Lushtaku e ka pyetur lidhur me atë nëse zëvendëskryeministri Goran Rakiç, e ka hequr flamurin e Kosovës në takimet zyrtare. Nëse kjo ka ndodhur ai ka kërkuar që Rakiç të shkarkohet.
Në përgjigjen për Lashtakun kryeministrit Hoti, ka thënë se, Rakiç nuk i ka hequr simbolet nga zyrat e tij dhe se këtë e ka konfirmuar edhe në një telefonatë që ai ka pasur me zëvendëskryeministrin.
Tolaj i AAK-së: Kosova vazhdon të mos ketë informacione të sakta për rënien ekonomike
Deputeti i AAK-së në Kuvendin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Arbër Tolaj, ka folur në seancën e sotme plenare për efektet e pandemisë në ekonominë dhe sistemin shëndetësor të vendit.
“Gjendja e disfavorshme me COVID -19, pavarësisht heqjes së masave kufizuese, vazhdon të jetë edhe më tej e rënduar, qoftë sa i përket numrit të personave të infektuar, po ashtu edhe në kuptimin e rënies ekonomike. Pra gjersa flasim këtu, numri i rasteve të reja në Kosovë vazhdon të rritet. Tashmë numërohen mbi 354 raste aktive me koronavirus, duke shtuar rrezikun që të shpërthejnë edhe vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës”, ka thënë Tolaj.
Ai ka thënë se shtimi i numrit të të infektuarve ditët e fundit, mund ta mbingarkoj sistemin shëndetësor.
“E të gjithë ne jemi koshient, se shtimi tej mase i numrit të të infektuarve me virusin SARS-COV-2, mund të mbingarkoj sistemin shëndetësor edhe ashtu të brishtë, dhe të sjell pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim”, ka theksuar ai.
Tolaj ka thënë se “është për keqardhje se si Kosova nuk ka informacione për rënien e mundshme ekonomike si pasojë e pandemisë”. Ai ka cituar raportin e Bankës Botërore, ku thuhet se Kosova mund të pësojë rënie ekonomike deri në 4.5%, si pasojë e pandemisë.
“Megjithatë, është për të ardhur keq, se si Kosova ndonëse në një situatë të tillë, edhe më tutje vazhdon të mos ketë informacione të sakta për rënien ekonomike, ngase Qeveria paraprake, asnjëherë nuk arriti të nxjerr një shifër të saktë zyrtare, se sa mund të ketë qenë dëmi që i është bërë ekonomisë së vendit, që nga vendosja e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Tashmë jemi dëshmitar se masat e marra, nga ish kabineti qeveritar, për ta ndihmuar ekonominë janë të pamjaftueshme dhe me vonesa në zbatimin e tyre”, tha ai.
Lushtaku i PDK-së fton Prokurorinë “të hetojë takimin e Haki Abazit me zyrtarë të BIA-s”
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lashtaku, ka thënë se do të ngris një shqetësim siç ka theksuar, rreth lidhjes misterioze dhe sekrete të ish-Qeverisë Kurti, me zyrtar të BIA-s dhe Qeverisë serbe.
“Kjo gjë rrezikon interesin shtetëror të vendit, kjo ka të bëjë me ish zevendëskryeministrin Haki Abazi, i cili kishte ardhur frik në Vetëvendosje dhe në pozitat që ju dhuruan nga Vetëvendosja dhe Albin Kurti”, është shprehur Lushtaku, raporton KOHA.
Ai ndër të tjera e ka pyetur Abazin “se sa i ka kushtuar blerja e postit të zëvendëskryeministrit nga Kurti dhe me cilat para e kishte blerë atë”.
Lushtaku ka ftuar Prokurorinë që ta ftojë si dëshmitar presidentin Hashim Thaçi, siç ka thënë ai, “për të dhënë detaje lidhur me takimin e Abazit me zyrtarë serb të BIA-së në Kopaonik”.

Çeku: Prej kur qeveria ilegale u ul në karrige asgjë normale në Kosovë nuk po ndodh
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Hajrulla Çeku, ka thënë se seanca është përpjekje e Qeverisë së re për të imponuar përshtypjen e normalitetit sikurse në Kosovë të mos ketë ndodhur asgjë.
“Qeveria ilegale e cila nuk doli as nga votat e qytetarëve e as nga vota e deputetëve po synon të inskenojë një zakonshmëri, në kohën kur pavarësisë së Kosovës po i cenohet edhe barazia edhe liria, nga tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve të shprehur me votë, e deri te delegimi i dialogut tek presidenti, e deri tek mashtrimi i premtimit për reciprocitet, asgjë normale nuk është duke ndodhur që nga dita kur jeni ulur në këto karrige”, është shprehur Çeku, raporton KOHA.
Ai ka thënë se e kanë për detyrë që t’i demaskojnë për çdo ditë.
“Ju mbase mund t’i mbani zyrat e qeverisë të uzurpuara për ca kohë, por të vërtetën nuk mund ta tjetërsoni. Qytetarit ia kërkuar votën për reciprocitet me Serbinë, për ta hequr atë më nxitim të madh dhe të pashpjegueshëm ”, ka theksuar Çeku.

Betohen deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës
Katër deputetët e rinj të Kuvendit të Kosovës, Faton Bislimi, Visar Hoti, Ismet Beqiri dhe Arbëreshë Krasniqi janë betuar në fillim të seancës së sotme.
Tekstin e betimit e ka lexuar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Këta deputetë morën vendet e tyre në vend të anëtarëve të rinj të Qeverisë së Kosovës si Armend Zemaj, Driton Selmanaj, Arban Abrashi dhe Albulena Balaj Halimaj.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Hilli viziton Luginën e Preshevës

Kurti: Institucionet e kanë borxh të kërkojnë drejtësi për viktimat e luftës

Qeriqi: Në Izbicë dëshmohet se Serbia ka qenë e vendosur të shfarosë popullin shqiptar

Hoti: Marrëveshja e Ohrit po reduktohet kah themelimi urgjent i Asociacionit

Konjufca merr garanci nga Escobari se s’do të ketë Asociacion që cenon sovranitetin e Kosovës

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon javën tjetër në nivel të kryenegociatorëve

Dy të vdekur nga COVID-19 të martën

Pjetër Shala largohet nga salla e gjyqit, avokati: Ai po dridhej dhe është në ankth

Listës esenciale do t’i shtohen edhe 60 lloje të barnave

Osmani e Kurti nga Izbica e quajnë Serbinë shtet gjenocidal

IPK-ja po heton zyrtarë të lartë policorë për përfshirje në vepra penale
