13:11

Thaçi: Çlirimi rezultat i luftës së burrave dhe grave të Kosovës, ndihma e NATO-s e patjetërsueshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se çlirimi i Kosovës është rezultat i luftës dhe sakrificës së burrave dhe grave të Kosovës.

Në këtë proces, ai thotë se i patjetërsueshëm është edhe ndihma e aleatëve të Kosovës në NATO.

Ai përmes një postimi në Facebook ka falënderuar NATO-n, SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët sipas tij, po angazhohen për integrimin dhe forcimin e vendit.

Lavdi të përjetshme të gjithë të rënëve. Falënderim të përjetshëm NATO-s, SHBA-së dhe gjithë partnerëve ndërkombëtarë̈. Mirënjohje të pakufishme të gjithë atyre që çdo ditë, me punë e përkushtim, angazhohen për integrimin dhe forcimin e shtetit dhe kombit tonë”, ka shkruar ai

10:19

Osmani NATO-s: Na shpëtuat neve dhe civilizimin tonë

Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke kujtuar ditën e çlirimit të Kosovës, në një ceremoni përkujtimore te Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të KFOR-it në sheshin “Nënë Tereza” ka thënë se NATO-ja ka shpëtuar Kosovën nga regjimi barbar,

“Vlerat tona të lirisë dhe tolerancës po përballeshin me barbarizmin. Këtu vetë ekzistenca e civilizimit tonë po mbahej në teh”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Kosova do të jetë gjithmonë falënderuese ndaj aleatëve që i erdhën në ndihmë në luftë.

“Vetëm kur i shihni gjërat në dritë të atyre vuajtjeve dhe të asaj situate të pashpresë, mund të filloni ta kuptoni se sa shumë jemi falënderues ndaj jush për ndihmën tuaj. Ajo çfarë ndodhi në Kosovë ishte një betejë për shpirtin e civilizimit tonë. Duke na ardhur në ndihmë - duke shpëtuar njerëz të pafajshëm të cilët gjendeshin në kthetrat e një regjimi barbar - ju na shpëtuat ne dhe shpëtuat civilizimin tonë”, ka thënë kryetarja e Kuvendit.

09:35

Haradinaj në Ditën e Çlirimit: Përjetësisht falënderues ndaj SHBA-së dhe NATO-s

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka uruar për 12 qershorin, Ditën e Çlirimit të Kosovës. Ai ka thënë se 12 qershori i vitit 1999 shënon fillimin e hyrjes së forcave tokësore të NATO-s në Kosovë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe.

“12 qershori i vitit 1999 shënon fillimin e hyrjes së forcave tokësore të NATO-s në Kosovë dhe fitoren e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kujtojmë sot, betejat e përgjakshme anekënd Kosovës, ku mijëra luftëtarë trima, ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se i falënderohet me përulje SHBA-së dhe NATO-s që Kosovës i dolën në krah në kohën më të rëndë të saj.

“I përulemi të rënëve dhe i falënderohemi përjetësisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve aleate të NATO-s që Kosovës i dolën në krah, në kohën më vendimtare në historinë e saj! Kosovë, Urime Dita e Çlirimit!”, ka shkruar ai në fund.

09:21

Hoti: Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë memorie kombëtare që duhet ta mbajmë afër

Kryeministri Avdullah Hoti, në 21-vjetorin e Çlirimit ka bërë homazhe te shtatorja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, te Memoriali u ushtarëve të rënë të NATO-s dhe shtatorja e heroit Zahir Pajaziti.

Në një prononcim për media ai ka thënë se hyrja e ushtarëve të NATO-s është memorie kombëtare që duhet të mbahet afër gjithmonë.

Hoti ka thënë se janë falënderues ndaj partnerëve për lirinë që sot populli gëzon.

“Është ditë e veçantë për popullin e Kosovës, në këtë ditë secili prej nesh e kemi parasysh entuziazmin që ka përjetuar populli i Kosovës në ato ditë të qershorit kur trupat e NATO-s futeshin në Kosovë. Ajo është memoria jonë si qytetarë, memoria jonë kombëtare që duhet ta mbajmë gjithmonë afër. Duhet të jemi falënderues për partneret tanë për lirin që sot e gëzojmë”, ka thënë ai.