17:32

PDK-ja e quan joserioze ftesën e Hotit për takimin e liderëve

Partia Demokratike e Kosovës e ka vlerësuar joserioze ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për takimin e liderëve, të ftuar për të enjten.

Përmes një postimi në Facebook, PDK-ja ka thënë se qasja e Hotit është “vazhdimësi e ish Qeverisë Kurti”.

“Qasja e Kryeministrit Avdullah Hoti, duke dërguar fillimisht ftesa nga rrjetet sociale dhe studiot televizive, nuk është serioze. Kjo është vazhdimësi e ish Qeverisë Kurti. Ftesa e dërguar nga Kryeministri Hoti, në mënyrën si është bërë, pa konsultim paraprak, është veprim i qëllimshëm i dështimit të takimit të nesërm”, ka thënë PDK-ja në një deklaratë për ftesën e Hotit për takimin e së enjtes.

Më tej, PDK-ja ka thënë se sjellja e Hotit është kundër principit të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështjet e rëndësishme nacionale.

“Kosova ka ndërtuar një traditë të mirë të koordinimit dhe bashkërendimit të veprimeve për çështje të rëndësishme nacionale. Por, sjellja e Kryeministrit Hoti është kundër këtij principi dhe nuk e ndihmon, por e dëmton, frymën e bashkëpunimit për një temë të rëndësishme siç është Dialogu. Urojmë që ky Kryeministër do të reflektojë para një ftese tjetër dhe do të jetë më serioz. Ndryshe, aty ku janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë edhe Kosova. BE ka ndihmuar Kosovën në agjendën evropiane dhe duhet të marrë përgjegjësi edhe në procesin e Dialogut”, ka vazhduar tutje PDK-ja.

10:00

VV-ja refuzon ftesën e Hotit për bashkërendim të qëndrimeve para vizitës në Washington

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka ftuar liderët partiakë në një takim para vizitës së planifikuar më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Ky takim është planifikuar që të zhvillohet nesër në orën 11:00 në zyrën e kryeministrit.

“Me qëllim të bashkërendimit të qëndrimeve të spektrit politik të vendit, në procesin e dialogut me Serbinë, si dhe në vigjilje të vizitës në Uashington, i ftova liderët partiakë për një takim të përbashkët të Forumit të liderëve, i cili do të mbahet nesër në orën 11:00 në Zyrën e Kryeministrit”, shkroi Hoti në Facebook.

Derisa Partia Demokratike e Kosovës si parti opozitare e ka mirëpritur vizitën në Shtëpinë e Bardhë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kritikuar.

Ndërkohë, Vetëvendosje përmes zëdhënësit Arlind Manxhuka, ka njoftuar se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Hotit.

“Kjo qeveri është e paligjshme. S'ka as kredibilitet e as legjitimitet. E, ftesa e saj për takimin e sotëm as nuk ka ardhur e as nuk ka pasur nevojë ta nisë”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.

Po ashtu, VV-ja edhe dje kritikoi Hotin dhe presidentin Hashim Thaçi . Përmes një postimi në Facebook tha se Grenelli njoftoi për vendimin e radhës të Qeverisë Hoti, “që të heqë dorë nga përpjekja për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.

Duke e quajtur “qeveri të sajuar” nga presidenti Thaçi, Vetëvendosje ka thënë se Qeveria Hoti e largoi masën e reciprocitetit, duke e zhveshur tërësisht Kosovën nga sovraniteti e dinjiteti shtetëror.