14:51

Kurti: Dialogu transparent, larg marrëveshjeve sekrete

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në mënyrë transparente, larg nga marrëveshjet sekrete për shkëmbim territorial dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Pas takimit me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Kurti në Facebook ka njoftuar se me të ka theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm.

“Dialogu duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, larg nga marrëveshjet sekrete për shkëmbim territorial dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dialogu duhet të udhëhiqet nga përfaqësues legal dhe legjitim e jo nga këta që kanë kontrabanduar pushtetin duke rrëzuar qeverinë e mirë dhe demokratike të zgjedhur nga populli”, shkruan Kurti.

Prandaj, siç thekson ish-kryeministri i vendit, zgjedhjet janë të domosdoshme dhe të pashmagmshme për një qeveri legjitime e kredibile të dialogoj dhe të arrij një marrëveshje të qëndrueshme e afatgjate.

12:32

Lajçaku pas takimit me Kurtin kërkon që Kosova të flasë njëzëri në dialogun e lehtësuar nga BE-ja

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë, ka zhvilluar një takim me liderët e partive politike.

Ai është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“Fillova ditën e dytë në Kosovë me një diskutim shumë të mirë dhe përcaktues me kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti. Theksova nevojën që Kosova të flasë me një zë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Çdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për njerëzit e saj”, shkruan Lajçaku në Twitter.

Me të ardhur në Prishtinë, ai ka deklaruar që "përparimi i Kosovës në rrugën evropiane bëhet vetëm përmes BE-së dhe ka paralajmëruar rinisjen e procesit të dialogut në Bruksel".

Lajçak ka arritur në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Image
11:02

Lajçaku përfundon takimet me VV-në e LDK-në, në radhë AAK-ja

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, ka përfunduar takimin me krerët e LDK-së në selinë e kësaj partie.

Lajçak nuk ka folur për mediat pas takimit që pati me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa dhe zyrtarë tjerë të partisë.

Lajçak në takimin e radhës me liderët politikë pritet të takojë Ramush Haradinajn e AAK-së, ndërkohë që herët në mëngjes, sipas KP-së, kishte zhvilluar takim edhe në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajçak ka ardhur në Kosovë për vizitë 3-ditore, e para e tij si përfaqësues i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi. Dje, në ditën e parë të vizitës, pasi takoi krerët e shtetit, tha se rruga e Kosovës drejt BE-së kalon përmes normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Po ashtu tha se dialogu duhet të zhvillohet në Bruksel.