21:16

Marrëveshja me Serbinë mund të arrihet sivjet, sipas Mustafës

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se procesi i dialogut Kosovë-Serbi mund të përmbyllet në vjeshtën e këtij viti, para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse punohet kështu atëherë agjenda do të bëhet që të jetë brenda kësaj periudhe kohore, dhe dje kur biseduam me zotin Lajçak, edhe ai kishte bindje se është punë që duhet të bëhet deri në fund të këtij viti, pa ndonjë premtim. Shprehi bindje se mund të arrihet”.

Sipas Mustafës, është e rëndësishme që marrëveshja me Serbinë të arrihet para zgjedhjes së presidentit të ri.

“Koalicioni mund ta përballojë mandatin, por përballimi lidhet edhe me çështjen e zgjidhjes së presidentit. Nëse nuk zgjidhet presidenti shkohet në zgjedhje e do të jetë e komplikuar sepse pastaj hyjmë në zgjedhje për parlament e pas 5-6 muajsh kemi zgjedhjet lokale e është periudhë që nuk i përgjigjet shumë Kosovës. Nëse partitë e opozitës, nuk tregojnë që të ulemi bashkërisht se si të kapërcejmë çështjen e presidentit. Është moment sfide e për mua do të ishte shumë e rëndësishme që deri atëherë të përmbyllet dialogu dhe liberalizimi i vizave. Nëse ka përkushtim, sikur tash, të SHBA-së dhe nëse sigurohen linjat e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe BE-së mendoj që do të përfundojë shpejtë dhe kjo është e rëndësishme edhe për ne”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se qeveria e udhëhequr nga ta është në margjinën e votave, duke shtuar se nuk e ka fuqinë të sillet si të dojë.

“Ne objektivisht jemi në një fazë që kjo qeveri është në margjinën e votave. E kemi një vendim të qartësuar të Kushtetueses që jep hapësirë të rrëzohet qeveria me mocion dhe ata që janë në radhë të tentojnë të bëjë qeverinë. Qeveria e tanishme duhet të llogaritet që nuk e ka fuqinë të sillet si të dojë vet, por duhet të jetë e angazhuar t’i implementojë premtimet që i ka dhënë”.

21:06

Mustafa thotë se me VV-në i ndau çështja e SHBA-së dhe shkarkimi i Veliut

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka pritur se do ta humbte besimin te ish-partneri në qeverisje, Vetëvendosje. Ai ka thënë se me VV-në ka pasur probleme për të gjetur një zgjidhje sa i përket kërkesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe masave të tjera.

Mustafa në DESKU-n e KOHËS ka thënë se kishte kërkuar nga ish-kryeministri Albin Kurti që të kenë mirëkuptim për kërkesat e SHBA-së, pasi sipas tij, kishte kërcënime nga ta se nëse nuk tregohej gatishmëri për bashkëpunim do t’i tërhiqnin shumë marrëveshje siç ishte edhe ajo me MCC-në.

“Unë nuk kam pritur që të humb besimin te VV-ja. Kemi pasur probleme për të gjetur një zgjidhje sa i përket SHBA-së. Reciprociteti ka qenë pjesë e programit të përbashkët që kur të hiqet tarifa ne ta zëvendësojmë atë. Ne nuk kemi llogaritur që do të kemi insistim të SHBA-së. Unë kam biseduar me Kurtin që ne të kemi mirëkuptim ndaj kësaj kërkese, sepse nuk mund të shtyhemi me ta. Kishte kërcënime nga SHBA që nëse nuk tregojmë bashkëpunim do të merreshin edhe masa tjera përkundër asaj që mori MCC-ja. Ne i kemi parë si kërcënime të qarta që nëse nuk tregojmë gatishmëri atëherë marrëdhënia me SHBA-në do të ftohet”, ka thënë ai.

E për rrëzimin e Qeverisë, ai është shprehur se para se të shkarkohej Agim Veliu nga Kurti, LDK-ja ishte e orientuar të presë deri pas situatës me pandeminë. Mustafa tregon se ia kishte bërë me dije Kurtit që do të tërhiqeshin nga koalicioni nëse nuk do të gjendej një zgjidhje sa i përket raporteve me SHBA-në.

“LDK-ja ka qenë e orientuar të presë deri sa të përfundojë pandemia. Në një letër që ia kam përcjellë Kurtit se nëse ne s’merremi vesh për heqjen e tarifave dhe masave penguese siç po kërkon SHBA-ja, pas luftës ndaj pandemisë, do të detyrohemi të largohemi nga qeveria. Ne nuk e kemi pas në plan të bëjmë seancë mosbesimi, mirëpo pastaj ndodhi shkarkimi i Veliut, dhe këtë e morëm si sinjal se nuk ka hapësirë që mund të punojmë bashkë. Ishte edhe nënçmim sepse Veliu ka qenë ministër i LDK-së dhe ka qenë pjesë e marrëveshjes që asnjë ministër nuk mund të shkarkohet pa u konsultuar”, ka thënë ai.

Sipas Mustafës, Kurti nuk ka provuar as të bisedojë më të lidhur me shkarkimin e Veliut, duke thënë se nëse do të dialogonin do të gjenin një zgjidhje të kënaqshme për të të dyja palët.

“Unë do të isha ulë me të dhe me Veliun dhe do ta diskutonim, nëse do të kishim konkloduar që duhet të vazhdohet të punohet e kishim bërë, nëse jo atëherë do të kishim gjetur zgjidhje”, ka thënë ai.

20:59

Mustafa paralajmëron zgjedhje të reja nëse nuk gjendet një zgjidhje për çështjen e presidentit

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se në negociatat për formimin e Qeverisë Hoti nuk është diskutuar për çështjen e presidentit. Sipas tij, një çështje e tillë mund të bëhej pengesë në negociatat me AAK-në e Nismën. Ai ka sugjeruar që të gjendet një zgjidhje për çështjen e presidentit, duke shtuar se “kjo mund të çojë në zgjedhje në fillim të vitit të ardhshëm”.

“Nëse ne dëshirojmë bashkërisht të bëjmë ndryshime kushtetuese që çojnë në zgjedhjen e presidentit me 61 vota pa i kapërcyer procedurat e parapara që dy herë rresht të shkohet me 2/3 të deputetëve prezentë e të marrin pjesë në votim, kjo duhet të bëhet 6 muaj para zonës së zgjedhjes së presidentit. Koha është e shkurtër. Ne nuk e kemi diskutuar këtë. S’kemi preferuar të shkojmë në zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit. Në Kosovë s’mund të zgjidhet një president që herën e parë të marrë 50 për qind të votave. Për herën e dytë duhet të ketë pazare e koalicione brenda partive për ta bërë presidentin. Mendoj që duhet të lehtësohet procesi i zgjedhjes së presidentit. Ekziston mundësia që të na çojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mund të na çojë edhe në fillim të vitit të ardhshëm nëse nuk gjejmë zgjidhje”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se çështjen e presidentit e kishin hapur në diskutimet për koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje duke besuar se mund të udhëheqin bashkë për dy mandate.

20:45

Mustafa: LDK-ja s’ka diskutuar për largimin e Osmanit – s’kam kontakte me të kohëve të fundit

I pari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se partia që ai udhëheq s’ka diskutuar për përjashtimin e nënkryetares Vjosa Osmani pasi kjo doli kundër në disa nga vendimet e fundit. Ai ka thënë se nuk ka pasur së fundmi kontakte me kryeparlamentaren.

“Ne duhet të respektojmë si LDK institucionet në këtë rast edhe kryetaren e parlamentit. Ne duhet të bashkëpunojmë si institucione, çështjet tjera duhet të mbesin si pjesë e partisë. Zonja Osmani mundet të mbesë nënkryetare e partisë e anëtare e kryesisë, duke i kundërshtuar vendimet është çështje tjetër karshi asaj që ajo e ka pasur dhe e ka votën tonë që të qëndrojë si kryetare e Kuvendit, që të bashkëpunojmë me të, që kryeministri të bashkëpunojë me të, që në asnjë rast kjo të mos ndikojë në jetën parlamentare”, ka thënë Mustafa në Deskun e KOHËS.

Mustafa ka deklaruar se në statusin e LDK-së është një dispozitë në të cilën thuhet se anëtarët e LDK-së që bartin pozita nuk mund të kundërshtojnë publikisht vendimet e partisë.

“Nuk është diskutuar në këtë formë. Ka pas vërejtje se si po ndodh te ne në LDK që ne të ndahemi në moment kur po marrim përgjegjësi për vendin. Na ka ndodh më 2014, kur kemi bërë koalicion me PDK-në, një numër i deputetëve s’më votoi. Ishte situatë pak më ndryshe. Dispozita në statut thotë se anëtarët e LDK-së, të cilët bartin pozita në LDK nuk mund të kundërshtojnë publikisht vendimet dhe qëndrimet e LDK-së në organet në të cilat janë. Munden brenda LDK-së të dalin kundër, të bëjnë vërejtje, por në momentin që merret vendimi, një anëtar i kryesisë nuk mund të dalë publikisht e të thotë që mos e përkrahni këtë vendim, në të cilën jam edhe unë. Dispozita është e qartë se nuk mund të jenë pjesë e atij organi nëse publikisht del kundër vendimit. Ne nuk jemi lëshuar gjithmonë në këtë, sepse kemi dashur ta evitojmë marrjen e masave ndaj njerëzve tanë. Por konsideroj se është më shumë çështje e etikës në politikë. Çështjet duhet të mbesin të brendshme. Nuk besoj që ajo është dashur të largohet vetë, por unë më tepër besoj që Osmani është dashur të përkrahë vendimet e shumicës në LDK. Në qoftë se ajo i beson LDK-së nuk ka nevojë të dilet publikisht e të thotë mos i përkrahni vendimet që i ka marr partia ime. Nuk kam pasur komunikim me të kohëve të fundit”, ka thënë ai.

Lidhur me sulmet ndaj babait të Osmanit, Mustafa thotë se ka reaguar personalisht, por edhe si kryetar i partisë se nuk pajtohet me një gjë të tillë. Sipas tij, askush nuk ka informatë që babai i Osmanit nuk është sjellë në mënyrë atdhetare.

20:28

Mustafa: Qeveria nuk mund të hyjë në dialog pa mbështetjen e opozitës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria Hoti duhet të gjejë kanale të komunikimit me opozitën për t’u dakorduar sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, në këtë proces Qeveria nuk duhet dhe nuk mund të hyjë e vetme.

Mustafa ka thënë se përafrimi me Vetëvendosjen rreth këtij procesi nuk është i lehtë, por sipas tij duhet të dominojë arsyeja.

“Në këtë proces të dialogut Qeveria nuk duhet të hyjë e vetme pa opozitën. Nuk mund të hyhet as pa shumicën shqiptare. Kryeministri Avdullah Hoti shkon në Washington, por duhet të komunikojë me opozitën, duhet të gjejë kanale dhe mundësi që opozita ta marrë rolin e vet që i takon, sepse nuk është çështje që i takon vetëm Qeverisë, por edhe opozitës e qytetarëve. Unë e vërejta që Hoti sot ka bërë përpjekje që t’i ftojë partitë. Javën tjetër Hoti do ta prezantojë platformën e dialogut dhe do të kërkojë nga opozita të marrë pjesë në këtë proces”, ka thënë ai.

Sipas tij, është i domosdoshëm bashkëpunimi i të gjitha palëve në mënyrë që, siç thotë ai, të dalin të fuqishëm para Serbisë.

“Unë shoh arsye që secili prej nesh ta lusë Vetëvendosjen dhe PDK-në dhe të bëhemi të gjithë bashkë për dialogun Kosovë-Serbi”, ka thënë ai.

Duke folur për marrëdhëniet e tij me ish-partnerin e koalicionit Albin Kurti, Mustafa ka thënë se nuk ka pasur komunikim me të, por se ka shtuar se nuk duhet pasur hatërmbetje.

“Me Kurtin nuk kam pas komunikime, por se nuk mendoj që duhet të jemi të hatëruar në këtë proces. Unë jam i gatshëm në çdo moment të bisedoj me të se si të dalim nga ky proces në mënyrë që të jemi më të fuqishëm karshi Serbisë. Nuk shoh arsye që Qeveria ta mbyllë këtë proces të marrëveshjes pa pajtimin e opozitës sepse pa ta ne nuk mund ta ratifikojmë marrëveshjen”, ka thënë ai.

20:20

Mustafa: Për Kosovën, ideja e mini-Schengenit është shkatërruese

I pari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Kosova asnjëherë nuk duhet të përkrahë ide të tipit të mini-Schengenit për dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se një proces i tillë do të ishte shkatërrues për Kosovën.

Mustafa tutje ka shtuar se nuk ka pasur sinjale as nga SHBA-ja se mund të ketë një kërkesë të tillë.

Sipas tij, një ide e tillë i përgjigjet më së shumti Serbisë, për shkak siç thotë ai, fuqisë ekonomike dhe pozitës gjeografike që ka.

“Mund të pres që për dikë mund të duket atraktive, por për ne është rrënuese. Ne nuk mund ta pranojmë, në një formë mund ta pranojë Maqedonia, Mali i zi, Shqipëria, mund t’i duket Serbisë atraktive sepse asaj i përgjigjet më së shumti, por neve nuk na përgjigjet sepse nuk kemi asnjë kufi me të cilin prekemi me vendet e BE-së. Për të dalë në Evropë ne mund të dalim përmes Shqipërisë, Maqedonisë ose Serbisë, pastaj ne do të duhej ta bartnim sovranitetin e Kosovën në kufijtë e këtyre vendeve”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë Shqipëria ka mundur ta keqkuptojë mini-Schengenin me marrëveshjen që ka qenë më herët me vendet e Ballkanit Perëndimor për unionin doganor, duke menduar që një e ide e tillë është e përshtatshme edhe për Kosovën.

“Unë mendoj që e kanë shpjeguar keq atë marrëveshjen që ka qenë me vendet e Ballkanit Perëndimor për ekonomi. Ne e kemi refuzuar idenë e unionit doganor sepse nuk do të lejojmë që doganat për Kosovën t’i mbledhë Serbia. Por ne mund të lehtësojmë dhe kjo zona e përbashkët ekonomike ka pasur për qëllim lehtësimin ekonomik. Por pastaj kemi thënë se duhet t’i zgjidhim problemet me Serbinë në këtë aspekt”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se është shqetësuese për Kosovën rikthimi i temave si shkëmbimi i territoreve dhe çështja e kufijve. Mustafa ka deklaruar se duhet anëtarësuar në Bashkim Evropian si Republikë e Kosovës dhe jo në forma tjetër.

20:13

Mustafa beson se Thaçi është tërhequr nga tema e kufijve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është tërhequr nga idetë për shkëmbime territoresh me Serbinë.

Ai në emisionin DESKU të KTV-së ka thënë se në një takim me të, i është bërë e qartë se LDK-ja nuk do të hyjë në dialog në të cilin bisedohet për territore.

Mustafa ka shtuar se deklaratat e tilla të Thaçit kanë qenë brengosëse në të kaluarën, dhe të njëjtat e kishin shtyrë LDK-në ta përkrahnin ish-kryeministrin Ramush Haradinaj në idenë e tarifës 100 për qind për mallrat serbe.

“Sa i përket Thaçit, unë them se ai është tërhequr nga fjalori për kompromise të dhimbshme. Ai nuk flet më për Preshevën, Bujanovcin, dhe mundësinë e bashkimit të atyre komunave sepse është e qartë se bashkimi i tyre nuk do të ndodhte vetëm njëanshëm. Është shumë e logjikshme që Serbia nuk hyn në dialog të na falë territor. Unë mendoj që ndoshta publikisht nuk është tërhequr, por në realitet po. Unë kam pasur biseda me të dhe e kam sqaruar pozicionin e LDK-së dhe ia kam bërë të qartë se nuk hyjmë në dialog në asnjë forme në të cilën do të bisedohet për shkëmbim të territoreve pa marrë parasysh se çfarë ndryshimi i kufijve do të jetë ai, sepse një gjë e tillë na kthen para shpalljes së pavarësisë”, ka thënë ai.

Mustafa ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet lidhur me figurën e Thaçit dhe kryeministrit Hoti, por me gjithë Kuvendin, pasi sipas tij, marrëveshja duhet të jetë e pranueshme për gjithë qytetarët por edhe për opozitën.

Ndërkaq duke folur për rolin e SHBA-së dhe BE-së në këtë proces, ai ka deklaruar se dialogu nuk do të zhvillohet në dy binarë, pasi sipas tij, asnjëra palë nuk mund ta çojë përpara dialogun pa palën tjetër.

E për takimin e 27 qershorit i cili do të mbahet në Washington, Mustafa ka thënë se nuk dihet ende se çfarë konkretisht do të ketë.

Mustafa ka shtuar se në takim që ka pasur me të dërguarin e posaçëm të SHBA-së, Richard Grenell, ai ia ka bërë të ditur se SHBA-ja nuk është për shkëmbim të territoreve.

“Ai është shprehur që dialogu ka për qëllim bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Unë karshi kësaj mendoj që procesi i dialogut nuk do të fillojë në Washington me tema të rënda por me tema atraktive për të dyja palët, si bashkëpunimi ekonomik, zhvillimi ekonomik e tema të tilla”, ka thënë ai.

Ndërkaq në takimin me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ai thotë se ia ka bërë të ditur se qëndrimi i LDK-së është që në dialog të jetë edhe BE-ja, por që të jenë bashkë me SHBA-në.