12 perditesime
22:02

Bushati: Përballja dinjitoze me çdo aktakuzë do ta bëjë Kosovën shtet më të fuqishëm

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një postim në Facebook ka thënë se përballja dinjitoze me çdo aktakuzë të mundshme do ta bëjë Kosovën shtet më të fuqishëm dhe më funksional.

“Kosova ka zhvilluar një luftë çlirimtare, qëllimi i së cilës ka qenë liria dhe pavarësia, të fituara me përkrahjen e jashtëzakonshme të familjes euroatlantike”, ka shkruar ai.

Bushati ka shtuar se paralajmërimet për aktakuza eventuale nuk mund të devijojnë rëndësinë historike të luftës çlirimtare.

21:44

VV: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, instalimi i Speciales faj i madh politik

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për deponimin e aktakuzës së Zyrës së Prokurorit Special në Gjykatën Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Vetëvendosje thotë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër dhe e drejtë, porse instalimi i Gjykatës Speciale ka qenë faj i madh politik.

“Ata shqiptarë që kontribuojnë në normalizimin e Serbisë pa e njohur ajo Kosovën dhe pa dënuar krimet e luftës që ka bërë, njëkohësisht i kontribuojnë edhe gënjeshtrës serbe për “shqiptarët kriminelë”. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër, kurse instalimi i Gjykatës Speciale ka qenë faj i madh politik, për të cilin mbajnë përgjegjësi gjithë ata që e votuan në parlament”, thotë VV.

Vetëvendosje ka shtuar se sot u njoftuan nga Zyra e Prokurorit të Specializuar se dy muaj më parë, pra me 24 prill, ky institucion ka paraqitur pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës një aktakuzë të rëndë për presidentin e Kosovës dhe për figura të rëndësishme politike e partiake.

“Së pari, spikat fakti se kjo aktakuzë po publikohet tre ditë para takimit në Ëashington D.C., ku edhe pse nuk ka transparencë për platformën dhe përmbajtjen e diskutimeve, është deklaruar se mes krerëve institucionalë të Kosovës e Serbisë do të vendosen korniza për një marrëveshje. Pala serbe shkon në këtë takim duke pretenduar legjitimitet pas zgjedhjeve të reja, edhe pse ato janë bojkotuar nga opozita e kontestuar nga faktorë ndërkombëtarë, ndërsa pala kosovare shkon aty me një qeveri jolegjitime të krijuar pas akrobacive kushtetuese, pa mbështetje popullore, e tashmë edhe me një president figura e të cilit rëndohet prej këtyre aktakuzave të njoftuara”, thotë VV.

Në një tryezë të tillë, sipas Vetëvendosjes, përfaqësuesit e Kosovës do të paraqiten si të njollosur e të akuzuar, ndërsa ata të Serbisë do të luajnë me zë të lartë rolin e viktimës që kërkon dëmshpërblim, edhe pse Aleksandër Vuçiqi ka qenë ministër i qeverisë gjenocidale të Millosheviqit.

“Për Kosovën kjo ka kosto të mëdha, të cilat nuk zgjidhen duke dërguar përballë Vuçiqit që kontrollon 90% të parlamentit serb, Avdullah Hotin i cili as në subjektin e dytë parlamentar nuk ka qenë ndër më të votuarit”, thotë Vetëvendosje.

Tutje Vetëvendosje shton se së dyti, në deklaratën e ZPS thuhet se ky publikim po bëhet për shkak se krerët politikë të akuzuar po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të sabotuar dhe penguar punën e këtij institucioni.

“Është për t’u habitur se si këta politikanë që mbajnë poste të larta e që përfaqësojnë Kosovën, veprojnë në mënyrë kaq joinstitucionale. Janë pikërisht vetë këta që e kanë votuar dhe e kanë vendosur Gjykatën dhe Prokurorinë Speciale në Kosovë”, thotë Vetëvendosje.

Në qershor të vitit 2015 Lëvizja Vetëvendosje, e kujton, se shprehej që “Gjykata Speciale është padrejtësia më e madhe që i bëhet shtetit të Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë”.

“Subjekti ynë, me sinqeritet e ndershmëri, të vetëdijshëm për çmimin e lartë kombëtar e shtetëror që do të pësonte Kosova nga një përçudnim i tillë i sistemit të brendshëm gjyqësor, e kundërshtoi këtë Gjykatë, edhe në Kuvend, e edhe duke mbështetur protestat. Mirëpo siç dihet kjo gjykatë u mbështet me forcë dhe u votua nga subjektet e tjera parlamentare. Është për të ardhur keq se si këta politikanë të papërgjegjshëm nuk e kanë patur asnjë brengë për dëmin që i shkaktohet vendit dhe UÇK-së, por janë shqetësuar kaq shumë vetëm për veten e tyre, dhe për akuzat që rëndojnë personalisht mbi ta”, thotë VV.

Vetëvendosje thotë se lufta e UÇK-së nuk mbrohet me marrëveshje prapaskenash.

“Ne besojmë në luftën e pastër e të drejtë të UÇK-së dhe angazhohemi tash e kurdoherë që ta mbrojmë atë. Por ajo nuk mund të mbrohet me marrëveshje prapaskenash dhe me sabotime kulisash. Politikanë të tillë nuk munden më ta përfaqësojnë Kosovën. Kosovës i duhen institucione transparente dhe politikanë të pashantazhuar, që të mos ia ulin asaj vlerën në bisedime, dialogje e marrëveshje ndërkombëtare, si edhe që të ndalet përbaltja e fajësimi i padrejtë i UÇK-së”, thotë VV.

21:24

Ahmeti: Akuzat e ngritura dy ditë para takimit në SHBA, as të rastësishme e as qëllimmira

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se komunikata e Zyrës së Prokurorit Special për akuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, pak ditë para takimit të paraparë me Serbinë në Washington, s’është as e rastësishme e as qëllimmirë.

Në një reagim në Facebook, i pari i kryeqytetit, ka kërkuar nga politikanët në vend të bashkohen sepse “ditë të vështira janë këto”.

“Me Kadri Veselin nuk pajtohem në shumicën e gjërave. Me Hashim Thacin edhe më pak. Por, asnjëherë dhe kurrë, nuk do të pajtohem që largimi i tyre nga skena politike të bëhet me çdo kusht. Kur dëmtohet Kosova, dëmtohem unë. Kur dy ditë para një procesi të rendësishëm në Shtëpinë e Bardhë (me të cilin mund edhe të mos pajtohem) një komunikatë jehon në krejt botën se krerët e UÇK kanë vrarë mbi 100 persona, kjo nuk mund të jetë as e rastësishme e as qëllimmirë”, ka thënë ai ndër tjerash.

20:37

Osmani: Kosovës i duhet drejtësi, Serbia është shteti gjenocidal

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë se Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi, pas ngritjes së akuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi e kreut të PDK-së, Kadri Veseli, nga Zyra e Prokurorit Special në kuadër të Gjykatës Speciale.

Në një reagim në Facebook, ajo ka thënë se “mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi”.

“Në këto momente, Kosovës i duhet maturi, unitet, bashkëpunim e urtësi. I duhet edhe mbrojtje e dinjitetit, integritetit e imazhit shtetëror. Por mbi të gjitha, Kosovës i duhet drejtësi. Drejtësia duhet të kryej punën në mënyrë të pavarur e pa presion. Serbia ende nuk është përgjigjur për krimet e llahtarshme kundër civilëve të pafajshëm në Kosovë. Serbia është shtet gjenocidal. Dhe këtë duhet ta themi sot e çdo ditë, në Kosovë, në SHBA, në Evropë e çdokund në botë”, ka shkruar Osmani.

20:22

Qeveria: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe çlirimtare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e vendit beson se lufta e popullit të Kosovës dhe e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë.

Në një reagim në Facebook, pas ngritjes së akuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, nga Zyra e Prokurorit Special në Gjykatën Speciale, Hoti ka thënë se “askush nuk mund të cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës”.

Ai ka ftuar qytetarët që të tregojnë qetësi në situatën e re.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, është njoftuar sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, se Zyra e Prokurorit Special ka deponuar pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale një aktakuzë ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli. Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se askush nuk mund cilësohet fajtor pa vendim përfundimtar të gjykatës. Qeveria e Republikës së Kosovës fton të gjithë qytetarët të tregojnë qetësi. Qeveria beson se lufta e popullit të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe çlirimtare dhe, si e tillë, do të mbetet si një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së vendit”, ka shkruar Hoti në Facebook.

19:41

Kurti: Ajo që po shohim sot, është pasojë e re e gabimeve të mëparshme

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, në një prononcim për media ka thënë se ajo çfarë po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të mëparshme.

Këto komente ai i ka bërë pas aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Pasnesër bëhen pesë vjet që kur pat dështuar amandamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës me atë nenin 24 që i hapte rrugë formimit të Gjykatës Speciale, një ngrehine juridike, sui-generis. Ndërkaq më 3 gusht sivjet bëhen pesë vjet kur i njëjti nen, 24, si amandamentim i Kushtetutës, kaloi pas trysnisë së paparë që u reflektua me përdredhje duarsh të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ajo që po shohim sot, është pasojë e re e gabimeve të mëparshme”, ka thënë Kurti, transmeton KOHA.

Kur është pyetur se a beson në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit ai është përgjigjur se, “besoj në pafajësinë e luftës së UÇK-së”.

19:24

Rama: Nderim udhëheqësve të luftës çlirimtare

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas vendimit të Speciales për ngritjen e aktakuzës ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

“Qëkur e kam marrë lajmin e listës së Tribunalit Special dhe kam lexuar emrat e kriminelëve të supozuar të Luftës Çlirimtare të Kosovës, përpiqem po nuk arrij të formuloj fjalitë e duhura për të shprehur indinjatën time”, ka thënë Rama. “Do të shprehem publikisht nesër me një mesazh për të gjithë shqiptarët, por jam e do të jem deri në fund, në krah të të gjithë atyre që luftuan me armë për ta çprangosur Kosovën e burgosur në ferrin e Sllobodan Milosheviçit”.

Tutje ai ka shtuar, “rroftë Kosova dhe sot më shumë se kurrë nderim udhëheqësve të luftës çlirimtare”.

18:56

Ilir Meta: Besojmë në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, përmes një postimi në Facebook ka thënë se beson në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre.

“Lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviqit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj europiane dhe të rajonit tonë. Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre”, ka shkruar ai.

Ai ka shtua se edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar.

“Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”, thotë Meta.

18:43

Selmanaj e Isufi besojnë në pastërtinë e luftës së UÇK-së

Rasim Selmanaj, deputet i AAK-së, dhe Ahmet Isufi, nënkryetar i kësaj partie kanë reaguar pas aktakuzave ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Aktakuza politike të sponsorizuara nga shërbimet serbe dhe mbetjet e UDB-së në Kosovë! Dy nga figurat kryesore të luftës, Hashim Thaçi e Kadri Veseli do të dalin fitues dhe faqebardhë, ashtu siç ishte e pastër lufta e lavdishme e UÇK-së”, ka shkruar Selmanaj.

Derisa Isufi ka thënë se nuk ka aktakuzë që mund ta njollosë luftën e UÇK-së.

“Aktakuza e propozuar nga Prokuroria Speciale ndaj luftëtarëve të lirisë, është fabrikim dhe tendencë për ta njollosur luftën e drejtë të popullit tonë për liri e pavarësi. Kjo mënyrë e veprimit me prapavijë politike, sidomos në momentet kur pritet zhvillimi i dialogut Kosovë-Serbi, jep mesazhin e qartë për tendencën e dobësimit të pozicionit të Kosovës dhe krijimit të një klime të tensionit politik”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se për mbrojtjen e të drejtës dhe të vërtetës së lirisë për atdheun e shtetin është bërë sakrificë e madhe, prandaj nuk mundet askush t’i cenojë këto vlera sublime pavarësisht synimeve dhe qëllimeve të armiqve tanë.

“Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është vërtetuar edhe në të kaluarën me pastërtinë e saj dhe do të vërtetohet përgjithmonë, pavarësisht tendencave dhe përpjekjeve për ta cenuar dhe denigruar atë”, ka shkruar Isufi.

18:25

Naser Rugova: Dorëheqja, akt moral dhe burrëror

Anëtari i LDK-së, Naser Rugova, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se dorëheqja është një akt moral dhe burrëror.

Këtë koment ai e ka bërë pas ngritjes së akuzës nga Zyra e Prokurorisë Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi.

“Dorëheqja është akt moral dhe burrëror”, ka shkruar shkurt Rugova.

Image
18:06

Mustafa: Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte dhe do të konfirmohet sërish si e drejtë dhe e pastër, pas konfirmimit të akuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi e kreut të PDK-së Kadri Veseli nga Specialja.

Në një postim të shkurtër në Facebook, Mustafa ka thënë se luftëtarët e UÇK-së luftuan për të mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb.

“Besoj thellë se lufta e UÇK-së Ishte dhe do të konfirmohet nga drejtësia ndërkombëtare si luftë e drejtë dhe pastër, se luftëtarët e UÇK-së luftuan për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga terrori, likuidimi dhe gjenocidi serb”, ka shkruar ai.

17:42

Haradinaj: Besojmë në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se besojmë në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit dhe të gjithë bashkëluftetarëve të tjerë.

“Populli shqiptar i Kosovës me të drejtë zhvilloi luftë për liri, pas shtypjes së egër nga regjimet e ndryshme serbe, që zgjati pothuajse një shekull, duke kulmuar me regjimin e Millosheviqit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të pastër, rezultat i së cilës ishte liria dhe themelimi i Republikës së Kosovës.

16:33

Lladrovci: Asnjë tendencë për të njollosur UÇK-në s’mund të ketë sukses

Kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se asnjë tendencë për të njollosur UÇK-në s’mund të ketë sukses.

Ky reagim i tij vjen pas aktaktuzës së Gjykatës Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, transmeton KOHA.

Specialja ngre aktakuzë kundër Thaçit e Veselit, dyshohen për rreth 100 vrasje

“Në kohën kur presim që shteti ynë të marrë përkrahje për fuqizimin e shtetësisë, sundimin e ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, ne marrim lajm të padrejtë, nga institucioni i drejtësisë! Dy udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, deri më tani ishin të vetmit që nuk janë ndjekur penalisht. Lajmi tronditës se do të akuzohen, më shqetësoi pa masë”, ka shkruar Lladrovci.

Ai thotë se tashmë, të gjithë drejtuesit madhorë të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen.

“Edhe drejtësia ndërkombëtare e di, ashtu sikurse të gjithë ne e dimë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë e pastër dhe e drejtë. Asnjë tendencë për të njollosur udhëheqësit tanë, në asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund të ketë sukses. Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Lavdi heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të lirisë!”, ka shkruar ai.