1 perditesime
12:19

Në Ditën kundër abuzimit me droga, ministri Veliu rikujton progresin e Kosovës

Prishtinë, 26 qershor - Me rastin e 26 qershorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Agim Veliu, tha se gjatë vitit 2019, Kosova ka arritur një progres të theksuar në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e vitit 1987 kishte përcaktuar 26 qershorin Ditë Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Drogë dhe Trafikimit të Paligjshëm, si një shprehje të vendosmërisë për të përforcuar veprimin e gjithmbarshëm dhe bashkëpunimin në ndërtimin e një shoqërie ndërkombëtare pa abuzim me drogë, rikujtoi ai.

Tema e Ditës Ndërkombëtare 2020 kundër Abuzimit me Drogën dhe Trafikimin e Paligjshëm, “Njohuri më të Mira për Kujdes më të Mirë”, përqendrohet në nevojën për të përmirësuar të kuptuarit e problemit botëror të drogës, por edhe të nxjerrjes së njohurive më të mira për nxitjen e bashkëpunimit më të madh ndërkombëtar për të kundërshtuar ndikimin e tij në shëndet, qeverisje dhe në siguri.

Ditët ndërkombëtare janë raste për të edukuar publikun e gjerë për çështje shqetësuese, për të mobilizuar vullnetin politik dhe burimet në adresimin e problemeve globale, si dhe për të festuar dhe përforcuar arritjet e njerëzimit kundër këtij fenomeni të dëmshëm shoqëror.

Gjatë vitit 2019, Kosova ka arritur një progres të theksuar në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës. Ministria e Punëve te Brendshme mbetet edhe më tutje e përkushtuar për të vazhduar luftën e pakompromis kundër kësaj dukurie negative dhe për përkrahjen e të gjitha institucioneve relevante të zbatimit të ligjit në këtë drejtim, ka thënë Agim Veliu, ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

08:07

Sot shënohet Dita ndërkombëtare e luftës kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave

Në të gjithë botën 26 qershori simbolizon Ditën ndërkombëtare të luftës kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave, e caktuar për herë të parë më 7 dhjetor 1987 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me qëllim për të shkuar drejt një shoqërie pa drogë.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të paktën 15.3 milionë persona në të gjithë botën kanë probleme si rrjedhojë e përdorimit të narkotikëve.

Të dhënat e UNODC tregojnë se rreth 200 milionë persona përdorin drogë të paktën një herë në vit, prej tyre 25 milionë konsiderohen si të varur nga drogat.

Ndryshe, çdo vit, të paktën 200.000 persona vdesin nga sëmundje që janë të shkaktuara nga përdorimi i drogave.