21:07

Kryetari i Apelit: Gjendja në gjyqësor ka ndryshuar, po jepen dënime meritore

Kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka thënë se ka përmirësime në gjendjen e gjyqësorit në Kosovë.

Në Deskun e KOHËS, Shalës i është kujtuar një deklaratë e dhenë para dy vjetësh në KTV, kur ishte shprehur se “ka një lloj kompromis mes gjyqtarit e prokurorit, sepse nëse vërteton gjykata se një person ka kryer vepër penale të veprimit korruptiv duhet të marrë vendim dënim meritor e jo me kusht”.

“Në këto raste po ndodh se po lidhen kompromise ‘të fshehta’ mes gjyqtarit e prokurorit, edhe shpallet fajtor por i jepet dënimi me kusht. Nuk ka dënim me kusht, nëse vërteton gjykata se x personi ka kryer vepër penale me veprime korruptive”, kishte thënë ai në Express Intervistën më 2018.

Ndërsa, në ditën kur në rastin “Pronto” u dënuan tre persona me burgim me kusht, Shala ka thënë se gjendja ka ndryshuar në raport me para dy vjetëve.

“Besoj që ka ndryshuar gjendja. Kemi shumë dënime që kemi dhënë. Kemi ndryshuar vendime dhe kemi dhënë dënime meritore. Ajo që kam thënë para dy vjetësh ka ndryshim. Ka prokurorë që vërtetë ngritin akuza të argumentuara dhe me prova, e kur kemi akuzë të tillë është më lehtë edhe për gjyqtarët. Kur s’kemi argumente apo kemi me gjysmëargumente, rrjedhin këto probleme siç i cekën në këtë rast, ku jam i hendikepuar të flas”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Apeli ka pasur raste kur ka dënuar me burgim në rastet e profilit të lartë e që më parë ishin liruar nga Themelorja.

20:52

Ramaj numëron “anomalitë” në procesin gjyqësor të rastit “Pronto”

Saranda Ramaj, gazetare e KOHËS, ka thënë se në procesin gjyqësor në rastin “Pronto” ka pasur vazhdimisht tendencë të viktimizimit si nga ana e prokurorisë si nga palët e akuzuara. Sipas saj, procesi që sot u mbyll me dënim të tre personave me burgim me kusht, është përcjellë me disa anomali.

Në emisionin Desku, Ramaj ka thënë se në gjithë këtë proces më shumë është folur me akuza e kundër akuza mes prokurorëve, gjyqtarëve e avokatëve sesa për rastin konkret.

“Ka pas tendencë të viktimizimit si nga prokuroria si nga palët. E kuptojmë të gjithë se kjo nisi edhe para se të niste edhe hetimi. Fillimisht zoti Aleksandër Lumezi, kryeprokuror i shtetit, pati thënë se s’janë të mjaftueshme e s’mund të niset hetim i ri dhe presioni publik pati bërë që të nisë një hetim zyrtarisht. Kujtojmë letrën e ish-prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakajt që pati thënë se zoti Lumezi ju ka kërkuar llogari pasi Blakaj dhe një tjetër punonin me prokuroren kryesor, se pse ish ministri Beqaj ishte futur në aktakuzë e nëse s’dënohet do të kërkohet llogari. Pra deri në ngritje të aktakuzës kemi gjëra të pazakonta që kanë ndodhur në këtë rast”, ka thënë ajo.

Sipas Ramajt, provat në rast s’ishin mbledhur në mënyrë të kujdesshme. Ajo ka thënë se ky ishte ndër rastet që kanë përfunduar më së shpejti.

Ramaj e ka cilësuar si anomalinë më të madhe ftesën e vetëm dy dëshmitarëve në rast.

“Anomalia më e madhe ishte kjo sipas meje, sepse nëse prokurorja ishte e sigurt në provat e saj është dashur që për secilin person të gjente dëshmitarë. Kjo ka penalizuar prokuroren dhe e ka bërë jobindëse para trupit gjykues në shkallën e parë. Ka pas anomali kur një dëshmitar ishte ftuar e nuk ishte përshkruar mirë funksioni i tij, s’ishte ditur dallimi i bordit me zyrën e drejtorëve. Në të gjitha aspektet ka pas telashe”, ka thënë Ramaj.

Ajo ka shtuar se është befasuar edhe me dënimin duke shtuar se “ndoshta do të duhej të ishte dënim më i ashpër”.

20:40

Avokati i Kryeziut në rastin “Pronto”: S’ka pasur rast më të lehtë për ta mbrojtur

Avokati Kujtim Kerveshi ka thënë se nuk ka pasur rast më të lehtë sesa mbrojtja e klientit të tij Nijazi Kryeziu në rastin “Pronto”, i cili është liruar.

Kerveshi në emisionin Desku në KTV ka thënë se ka qenë shokuese për të ta dëgjojë organin e akuzës të bëjë kualifikime profesionalisht të paqëndrueshme dhe në kundërthënie me veten.

Ish-shefi i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, është dënuar me 1 vit e 2 muaj burgim me kusht. Përveç Grabovcit, Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore edhe për të akuzuarit Ilhami Gashi e Sadat Gashi. Nga nëntë pika që kishte aktakuza, Apeli i ka gjetur fajtorë për punësimin e dy personave në MPB.

Kurse Ilhami Gashi është dënuar me 1 vit e 4 muaj, ndërsa Sadat Gashi me 8 muaj, poashtu me kusht.

“Ndryshimi i vendimit për mua nuk ka ndonjë pasojë të dëmshme për të mbrojturin tim. Ai është liruar, ndoshta për mua 2-3 seanca kanë qenë kryesore. Fjalimi i Prokurorisë Speciale ka qenë një pamflet politik, i qëndroj prapa kësaj. Mu ka dukë se më tepër sesa një gjykim profesional është duke u kërkuar një gjykim mediatik, që ndoshta nuk përkon me standardin profesional dhe etik të prokurorisë”, ka thënë Kerveshi.

Sipas tij është bërë një betejë profesionalisht e kotë, për t’i dhënë njëlloj pompoziteti të panevojshëm, nisur nga leximi i aktakuzës e deri të shpërfaqja e incizimeve, që ato janë dëgjuar masovikisht në opinion.

“Çështja e përfolur si aferë Pronto e shpërfaq mangësi të jashtëzakonshme të sistemit të drejtësisë në kuptimin e përgatitjes së një rasti nga Prokuroria. Për mua si taksapagues ka qenë shokuese me e dëgjuar organin e akuzës që bën kualifikime profesionalisht të paqëndrueshme në kundërthënie në vetveten, duke thënë për shembull: ‘Prokuroria thotë se unë e di se këta nuk kanë pasur detyrë zyrtare por kanë vepruar ashtu’, po e citoj saktësisht. Ne aty ishim për shpërdorimin e detyrës zyrtare të lidhur me veprën. Kam obligim, sepse kjo temë është bërë shumë popullsitë, por gjykimet nuk bëhen me percepcione”, ka thënë Kerveshi. “Me pas një aktakuzë me kësi lloj gabimi faktik, për mua ka qenë shokuese si taksapagues”.

Ai thotë se për të ky ka qenë një ndër rastet më të lehta.

“Një rast kaq shumë i madh, që për mua si avokat i Nijazi Kryeziut ka qenë ndër më të lehtat. Sistemi i drejtësisë me një aktakuzë të tillë është fyese për pagat që marrin. Rasti Pronto ka pas kaq pak kuptim, për mua si mbrojtës. Në Procedurë penale, kur administrohen provat gjuha e të provuarit duhet të jenë konkluzive. Duhet me u nis nga ligjshmëria e provave. Një standard ka qenë i munguar dhe mbetet i munguar për faktin se mënyra si janë administruar ato prova e shpërfaq një dozë të madhe të pasigurisë së qytetarëve të Kosovës. Komplet procesi ka shkarje të atilla të cilat jam i bindur se nuk mund të kalojnë në një sistem të pavarur dhe të pandikuar. Nuk është e mundshme për një standard me e pranuar”, ka thënë ai. “Vepra penale që është akuzuar nuk ka pasur asnjë lidhje për të akuzuar. Kur flas për Kryeziun, nuk ka pas proces penal më të lehtë në të cilën më është kërkuar me e mbrojt detyrën e një avokati”.