Arbëri

Perëndimi i shpresës

Perëndimi i shpresës
Ikja e fuqisë punëtore ka nisur para disa vjetësh me viza të punës. Po ikin edhe ata që kanë vende pune në Kosovë. Po migrojnë për paga më të larta e siguri më të madhe sociale e shëndetësore në vendet e bllokut prej 27 shtetesh anëtare. Gjermania, ndër vendet më të preferuara

Sulltan Berishës i çelet fytyra kur rrëfen ditët më të mira të jetës. Ishte vetëm katërmbëdhjetë vjeç kur familja tetanëtarëshe qëndroi një vit në Gjermani. Ishte viti 2014 kur Berishët ilegalisht morën udhë drejt Perëndimit për jetë më të mirë në ekonominë më të fuqishme evropiane. Por gjithçka mori teposhtën në një mëngjes të hershëm, kur forcat speciale policore bastisën Berishët dhe i dërguan në aeroport. Riatdhesimi u shoqërua me vështirësi për kthimin e kredisë, të cilën e kishin marrë për t’i paguar trafikantët që i nxorën nga Serbia në Hungari.

Berishët romë do të provonin edhe një herë rrugën drejt tokës së shpresës, por Gjermania do t’i kthente pas një muaji. Babai 19-vjeçar i dy fëmijëve nuk ka vend të përhershëm pune. Punon në plantacione. Po t’i jepet mundësia, përsëri do të merrte rrugën drejt shteteve perëndimore për të siguruar mirëqenien e familjes. Sikurse ai, edhe shumë të rinj të tjerë të Kosovës shpresojnë se Bashkimi Evropian, nën kryesimin gjerman të radhës, do të heqë vizat për kosovarët. Qeveria gjermane nuk ka dhënë garanci, por ka premtuar angazhim.