19:27

Kurti: 30 vjet nga shpallja e Republikës së Parë

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se të enjten janë bërë 30 vjet nga shpallja e “Republikës së Parë”. Në një postim në “facebook”, ish-kryeministri Kurti ka paraqitur listën me emrat e 114 delegatëve që u nënshkruan në Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990.

“Togfjalëshat gjenerikë ‘vetëvendosje politike’ dhe ‘demokracia autentike’ vijnë prej popullit e frymëzojnë lëvizje. Këto dyja ishin konceptet e rëndësishme që u përmendën në Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut të 1990. U bënë 30 vjet nga shpallja e Republikës së Parë”, ka shkruar Kurti.

“Shqiptarët, nëpër breza janë munduar për pavarësi e për shtetformim. 2 korriku e dëshmon këtë. Republika e Parë u shpall nën okupim dhe kjo e bënë atë Republikë-për-Rezistencë. Nderimi e kujtimi për të janë e njëjta gjë”.

14:10

​Mustafa: Deklarata e 2 korrikut, gur-themel i shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Deklarata e 2 korrikut 1990, shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës dhe i hapi rrugë shkëputjes së Kosovës nga regjimi serb, dhe hapi rrugën e synimeve të popullit tonë për të drejtën natyrale për krijim të shtetit tonë.

Me rastin e 30-vjetorit të Deklaratës së 2 Korrikut, i pari i LDK-së u shpreh mirënjohës delegatëve të kohës për guximin dhe vendosmërinë që edhe në ato kohë të vështira me tytat e automatikut serb mbi krye, nuk u ndalën së kërkuari lirinë, e pavarësinë e vendit tonë.

“Deklarata e 2 korrikut të vitit 1990, shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës. Ajo i hapi rrugë shkëputjes së Kosovës nga regjimi serb, dhe hapi rrugën e synimeve të popullit të Kosovës për liri, barazi e më së shumti për të drejtën natyrale për krijim të shtetit tonë. Pas tre dekadash u jemi mirënjohës delegatëve të kohës për guximin dhe vendosmërinë që edhe në ato kohë të vështira me tytat e automatikut serb mbi krye, nuk u ndalen së kërkuari lirinë, e pavarësinë e vendit tonë. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1999, është gur-themel i shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, andaj duhet ta kujtojmë përherë si faqe të ndritur për shtetin tonë”, thuhet në letrën e Mustafës dërguar për media.

11:36

Osmani: Deklarata e 2 Korrikut, akti me të cilin Kosova s’pranoi t’i nënshtrohej hegjemonisë

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka pritur në zyrën e saj dhe u ka ndarë mirënjohje përfaqësuesve të legjislaturës e cila, para dyerve të tempullit të lirisë, siç shprehet Osmani, artikuluan qartë pikësynimin e pathyeshëm për liri në Deklaratën e 2 korrikut të vitit 1990.

“Deklarata e miratuar nga 114 delegatët e asaj kohe qe akti politik dhe juridik me të cilin Kosova përfundimisht nuk pranoi t'i nënshtrohej hegjemonisë dhe i hapi udhë artikulimit të shtetësisë së Kosovës, e cila u konkretizua me Kushtetutën e Kaçanikut, të 7 shtatorit të po atij viti”, shkruan Osmani.

Prandaj, shkruan ajo tutje në Facebook, “ua shpreha mirënjohjen më të thellë timen dhe të Kuvendit të Kosovës për aktin sa heroik, aq njerëzor të secilit prej tyre, duke nisur nga ish-kryetari, z. Ramajli, delegatët e pranishëm sot, delegatët që për arsye moshe e shëndeti nuk mund të ishin sot me ne dhe në veçanti atyre grave e burrave që tashmë nuk janë mes nesh”.

“Që të gjithë do të mbahen në mend përjetësisht, sepse në vorbullën politike të kohës, kur vendi ynë po vihej egërsisht nën çizmen e regjimit serb ata i dolën zot atij dhe e artikuluan vullnetin politik të qytetarëve liridashës për Kosovën Republikë. Ne ju përkulemi sot sepse ata e kuptuan se në botën e përplasjeve të mëdha ideologjike të fundviteve '80, orientimi drejt vlerave demokratike, përqafimi i idesë së lirisë për veten dhe për tjetrin, si dhe refuzimi i ideologjisë komuniste ishin edhe vullnet edhe orientim strategjik. Sot themelet e shtetit tonë qëndrojnë mbi vendimin e këtyre delegatëve për ta refuzuar dhunën dhe për t'i përqafuar vlerat e lirisë. Prandaj, si Kryetare e Kuvendit i falënderoj në emër të të gjitha legjislaturave pas asaj të 2 korrikut dhe t'i siguroj se çdo veprim yni në jetësimin e lirive njerëzore dhe në promovimin e tyre do të jetë i frymëzuar nga parimet që i vulosën këta delegatë me Deklaratën Kushtetuese. E, njëri ndër këto parime është këmbëngulja për ta jetësuar shtetin e së drejtës dhe mosdorëzimi para çfarëdo lloj pengese. Ne qëndrojmë fort mbi këtë parim sepse delegatët e 2 korrikut i kishim shembull nga i cili mësuam. Urime 2 korriku, që shënoi themelet e shtetësisë!”, thuhet në përfundim.

 

10:15

Hoti: Deklarata e 2 Korrikut sublimon përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, priti sot një delegacion të cilët më 2 korrik 1990, në rrethana të jashtëzakonshme, miratuan Deklaratën Kushtetuese e cila shënoi hapin e parë institucional në procesin e gjatë për pavarësinë e Kosovës.

Siç njofton kumtesa për media, Hoti tha se kjo deklaratë qe moment kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.

“Deklarata e 2 Korrikut e vitit 1999 do të kujtohet gjithmonë si akt që sublimon përpjekjet e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Bashkë me aktet e tjera që e pasuan atë, si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Referendumi për pavarësi, kjo deklaratë shënon kthesën historike në përpjekjet tona të gjithanshme për liri në dekadën e fundit të shekullit XX”, tha kryeministri Hoti.

Në këtë ditë të rëndësishme, vijoi Hoti, “si qeveri e vendit u shprehim mirënjohjen tonë të gjithë delegatëve të Kuvendit të 2 Korrikut, të cilët, në koordinim me lëvizjen politike demokratike të asaj kohe, me vendimet e tyre të guximshme i hapën Kosovës rrugën e pakthyeshme të mëvetësisë dhe të integrimeve euroatlantike”.

Ndërsa, në emër të delegatëve, të cilët shpallën Deklaratën e 2 Korrikut dhe miratuan Kushtetutën e 7 Shtatorit, foli Iljaz Ramajli, ish-kryetar i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, i cili e falënderoi kryeministrin Hoti për pritjen, si dhe për angazhimin e Qeverisë së Kosovës që kujdesi për delegatët e asaj kohe të ngrihet nga niveli i vullnetit politik, në obligim institucional dhe ligjor.

Image
08:29

30 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut

Sot mbushen 30 vjet që kur delegatët (deputetët) e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

Në këtë ditë historike, Kosova është shpallur njësi e veçantë, në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.

Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.

Deklaratën Kushtetuese të Kosovës, si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111, përkatësisht 114 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.

Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.