21:57

Arsyet që çuan në polarizimet politike para dhe pas luftës në Kosovë, sipas Çelajt

Zenun Çelaj, gazetar qe 60 vjet, në Deskun e KOHËS, ka shpjeguar arsyet, që, sipas tij, quan në përplasjet politike në Kosovë si para, por edhe pas luftës.

Sipas tij, “përplasja” e parë ishte kur u shfaqën shumë njerëz që u shprehnin të gatshëm të nisnin luftën, e pati të tjerë që thoshin se s’ishin të përgatitur.

“Në vitin ’91 shihnim njerëzit në prita të ndryshme që donin praktikisht të nisnin luftën, por ne s’ishim gati kurrkah. Kjo bisedë u zhvillua me LDK-në, KMDLN-nja dhe organizata të tjera që të mos ndodhte se s’ishim të përgatitur. Megjithatë, s’mund të thuhet se s’ishim krejt të përgatitur. Braktisën milicinë 3000 e kusur shqiptarë. Formuan gjoja një sindikatë që do të merrej me çështjet sindikale të anëtarëve të vet, por u shndërruan në ministri të mbrojtjes. Isha një lloj ndërmjetësi, që të marrin miratimin e LDK-së. Kam organizuar takimin e tyre me Fehmi Aganin. I pati këshilluar Fehmiu që të vazhdojnë të punojnë. Ata nisën të përgjonin shërbimet e Policisë dhe Sigurimit të Serbisë në Kosovë. Ka ndodh shpeshherë që në sajë të këtyre informatave njerëzit t’u iknin kapjes së arrestimit. Iu bënin me dije se në këtë orë mund të ndodhë kjo”, ka kujtuar ai fillimisht.

Sipas Çelajt, ka qenë e vështirë që Kosova të merrte rrugën tjetër nga ajo që tashmë ka ndodhur.

Ai ka thënë se që nga formimi i formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka pasur mosorganizim.

“Fatkeqësisht ka munguar një organizim më i mirë i këtyre forcave që prej fillimit. Formacionet e UÇK-së u krijuan gati në mënyrë të pavarur, jo zona e Drenicës, Llapit, Nerodimes, Dukagjinit, do të thotë pa një koordinim të përgjithshëm kolektiv. Koordinimi filloi pak më vonë, por jo edhe në përmasa dhe ashtu siç do të duhej. Qeveria që ishte në ekzil, që praktikisht kishte forcën materiale, nisi një organizim, por kërkonte të gjithë të futeshin nën ombrellën e qeverisë që mund të ishte e logjikshme, por këta nuk donin. Ishte rivaliteti politik dhe nuk pranonin”, ka thënë ai për mosunifikimin e asaj kohe.

Çelaj ka thënë se deklarimet e LDK-së që s’pajtohej me UÇK-në kishin shkaktuar pakënaqësi të mëdha. Ai ka vlerësuar se kjo krijoi një lloj polarizimi mes “krahut të luftës” dhe atij të “paqes”.

“Këto janë supozime. Duhet analizë e thellë e më e argumentuar. LDK-ja që atëherë përbënte forcën kryesore jo të krahut të luftës, pati disa deklarime që ishin kundër luftës dhe që njerëzit e UÇK-së i demonizoi. ‘Janë njerëz të Beogradit, që i ka shti UDB-ja’ e kjo krijoi pakënaqësi të mëdha ndër ata. Ne luanim rolin sikur kemi pushtet, jo mbajtëm zgjedhje, jo u zgjedh një Kuvend, jo tjetri e që asnjëherë asnjë mbledhje s’e mbajti deri pas luftës. Kjo krijoi polarizimin mes krahut të quajtur të luftës dhe të quajturit të paqes”, ka thënë Çelaj.

Mungesa e unitetit edhe pas luftës, sipas Çelajt, u bë për shkak të lakmive për pozita.

“Ndoshta për shkak se dolëm në ambient ma të sigurt e di që nuk kthehet Serbia dhe filluan lakmitë për pozita të cilat më përfituese për vete dhe klane të ndryshme. Edhe në kohën e socializmit, kishte beteja kush do të marrë bajrakun. Kjo vazhdoi edhe pas luftës edhe pse një kohë ishin ndërkombëtarët që kishin pushtetin, por atyre s’u interesonte kush ishte në pushtet, i Drenicës a Llapit. Kryente punët e tyre, por kjo vazhdonte. Është punë mentaliteti dhe problemi se në krye të pushtetit nuk kanë qenë njerëz të cilët e kanë menduar sinqerisht si ta bëjnë Kosovën më të mirë, për të gjithë e ku njerëzit do të ishin më të lumtur, por secili në krye më vete”, ka deklaruar ai.

Çelaj ka thënë se nuk mund të komentojë se a është arritur shteti i synuar i Kosovës, duke thënë shkurt se pavarësisht deklarimeve “Kosova është e pavarur”.

“Ka probleme që duhet dhe besoj që zgjidhen, por nën Serbi nuk kthehet kurrë më. S’është Kosova as për të cilën janë betuar edhe UÇK-ja se do të bashkohen me Shqipëri, por tash s’i dihet se ndoshta as vetë njëra a tjetra s’duan të bashkohen. Janë detaje të cilat megjithatë s’duhet të prishin atë arritjen e Kosovës shtet i pavarur”, ka thënë ai.

Çelaj ka shtuar se nga viti ’66 e deri në vitin ’80, në Kosovë ka pasur përkushtim të përbashkët për ta çuar vendin përpara.

Sipas ambiciet kolektive të asaj kohe dallojnë dukshëm nga ambiciet e pasluftës të politikanëve në vend.

“Ndërsa në periudhën pas luftës, për fat të keq, vrapimi pas përfitimeve individuale familjare është i tmerrshëm. Njëherë njeriu habitet se si organet që i kemi qoftë gjyqësia, qoftë hetuesia nuk kanë ndërmarrë sepse një njeri që ka dalë nga lufta me opinga ka marrë pushtet nga ai pozicion e përnjëherë u bë milioner, ka shtëpi shumëkatëshe. Janë probleme sistemi. Më ka ra të dëgjoj dhe përcjell se njerëzit fajësojnë edhe faktorin ndërkombëtar. Edhe UNMIK-u e EULEX-i s’kanë kryer punën që është dashur ta kryejnë. Ata kanë pas kompetenca. Besoj se mund të bëjmë më mirë. Ka mundësi të mëdha, s’ka kufizim që të rregullosh çështjet që janë të çrregulluara”, ka deklaruar gazetari Çelaj.

21:13

Çelaj: “Kosova Republikë” u bë parullë, njerëzit janë burgosur për të

Gazetari Zenun Çelaj ka përshkruar periudhën kur për thirrjen “Kosova Republikë”, njerëzit në Kosovë burgoseshin.

Duke folur në emisionin “Desku” në KTV, Çelaj ka treguar edhe për mbylljen e dhunshme të Rilindjes dhe të Radio Televizionit të Prishtinës e po ashtu për kuvendin historik në Kaçanik.

“Kosova Republikë u bë parullë e të gjithëve, edhe e fëmijëve, fëmijëve nëpër shkolla. Ata nuk nguronin më të shkruanin kudo nëpër rrugë, nëpër mure, Kosova Republikë. Kjo më pas u shndërrua në vepër penale. Shumë të rinj e shumë njerëz kanë vuajtur edhe burg për këtë”, ka thënë Çelaj.

Veterani i gazetarisë, që ishte pjesë e gjithë këtyre proceseve, ka treguar kur policët “pushtuan” objektin e Rilindjes.

“Na lajmëruan nga recepcioni se po hynin në objekt numër i madh policësh. Ndodhi kjo më 5 korrik, kur ishte vendosur nga Qeveria e Serbisë që të mbyllte dhe të shpërndante Kuvendin, Qeverinë e Kosovës, televizionin, janë ato skenat kur me dhunë e marrin komandën në televizion. Te ne erdhën, por i shpëtuam dhunës. Objekti është i madh dhe ne lëviznim. Na lajmëronte dikush, ‘largohuni se po vinë në këtë kat”. Në katin e tretë, jo të katërtin, jo të pestin. Ata dikur u kthyen dhe ne vazhduam, nxorëm gazetën. Nuk na kanë penguar më për disa ditë rresht, edhe pse shkrimet kanë qenë shumë kritike, ndaj gjithë asaj që bëhej nga politika e Beogradit”, ka shtuar Çelaj.

Çelaj ka dhënë detaje edhe për shkrimin e kushtetutës, e po ashtu për largimin e deputetëve nga Kosova.

“Menjëherë pas Deklaratës Kushtetuese, në takimet e Këshillit Koordinues të partive politike dhe të shoqatave, erdhi propozimi që kuvendi, delegatët, të vazhdojnë të nxjerrin kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kishte dal edhe Akademia e Shkencave me idenë që pas Deklaratës Kushtetuese të nxirrej edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës. U kërkua që delegatët të përgatisin Kushtetutën, formohet një grup juristësh që ndanë punët për hartimin e Kushtetutës. Ajo Kushtetutë është hartuar kryesisht në shtëpinë e Xhevdet Shoshit në lagjën Velania, ku ishte rektorati një kohë. Por edhe në shtëpitë e të tjerëve”.

Çelaj ka treguar se delegatët nuk e kanë ditur deri në atë ditë se do të mbahej takimi në Kaçanik më 7 shtator. Ilaz Ramajli, kishte marrë përsipër organizimin në shtëpinë e kulturës në Kaçanik. Vendi ku është mbajtur Kuvendi i Kaçanikut nuk është as 100 metra larg stacionit të policisë. Mbledhja ka filluar në ora tetë të mbrëmjes.

“Në një holl pa dritare. Në objektin afër Lepencit”, ka kujtuar Çelaj.

“Kur kam shkuar, kam pasur rregullat se si duhet të arrijë, pasi kishte frikë se mos është zbuluar vendi dhe koha ku do të ndodhte mbledhja e Kaçanikut”.

Doajeni i gazetarisë ka treguar për telashet e delegatëve pas mbledhjes. Edhe të tij personale. Ka mohuar mundësinë që policët të kenë qenë të painteresuar për të penguar punimet e kuvendit.

“Nuk ishin të painteresuar policët, pasi ndërkohë kanë arrestuar delegatët shqiptarë, disa që janë ekspozuar më shumë si Adem Mikullovci e të tjerë. U shpallën flet-arreste, u caktua vendi ku do të gjykoheshin, diku në Valevë. Më patën arrestuar edhe mua, po për këtë arsye. Nuk kanë qenë të painteresuar që të ndalin të mos ndodhë kjo. Por luajtën rolin sikur nuk po na intereson shumë kjo. Delegatët, shpesh kam dëgjuar të thonë se ikën për të mos u arrestuar. Nuk është kështu. Ka qenë marrëveshje e kryesisë së asaj pjese të kuvendit, Ilaz Ramajli dhe të tjerët, që delegatët të largohen përkohësisht nga Kosova, në mënyrë që mos të ndodhë rastësisht që të marrin ndonjë, ta torturojnë dhe ta detyrojnë të thotë se e kanë detyruar me zor pasi unë nuk votoj për Kushtetutën e Kaçanikut. Një pjesë e madhe e tyre mbetën në Slloveni e Kroaci. Më pas u kthyen në Maqedoni ku në vitin 1993 i mblodhi të gjithë, i ktheu këtu, por nuk i mbajtën”, ka kujtuar Zenun Çelaj.

20:43

Çelaj përshkruan rrugën që i parapriu Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut

Doajeni i gazetarisë, Zenun Çelaj, në 30-vjetorin e miratimit të Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut, përmes së cilës Kosova u shpall njësi e veçantë nga deputetët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, ka përshkruar gjithë rrugën që i ka paraprirë këtij vendimi.

Në Deskun e KOHËS, Çelaj ka kujtuar aktin që shënohet si pikënisje e pavarësimit të Kosovës.

Sipas tij, gjithçka nisi më 1980 kur Josip Broz Tito, ish-presidenti i Jugosllavisë, ishte i sëmurë dhe pritej vdekja e tij.

“Gjithçka konsideroj se nisi më 1980 kur Tito ishte i sëmurë dhe pritej vdekja e tij. Të gjithë prisnin të ndodhnin ndryshime radikale, ashtu edhe ndodhi. Pushteti që frymonte në politikat e Titos, ndërmori shumë kufizime, po vdiste Tito! Ndodhi vdekja dhe Beogradi nisi të realizojë konceptet e tij, të rikthejë sundimin që ka pasur dhe trajtimin e shqiptarëve qysh në kohën e Jugosllavisë. Filloi propaganda e Serbisë që të demonizojë shqiptarët, të konsideronte profilin e shqiptarit si vrasës e diskriminues. U aktivizua i gjithë mekanizmi propagandues i Serbisë. Kjo filloi atëherë e më pas filluan demonstratat. Ishte një barometër i studentëve. Ishin më të ndjeshmit. Shpërtheu një demonstratë nga një moment krejtësisht i parëndësishëm, nga një pjatë në mensë. Kjo i konvenoi atë kohë Serbisë që kishte paralajmëruar se shqiptarët po përgatisin kryengritje e rrëzim të pushtetit e po duan t’i bashkohen politikës staliniste-enveriane”, ka kujtuar ai.

Çelaj ka kujtuar se në atë kohë Serbia kishte krijuar para perëndimit profilin e shqiptarëve si njerëz terroristë dhe kjo kishte nxitur kundërshtime të mëdha në Kosovë.

“Pas vitit ’81, filluan grevat, marshet nga të gjitha pjesët e Kosovës që s’pajtoheshin me një politikë që po ndodhte. Kam qenë i pranishëm në grevën e minatorëve të Trepçës. Rrija terr e errët. Pjesa më e madhe e tyre ishin të vendosur të vdesin, të bëhen viktima të një ideje që të mbrojnë një status të Kosovës. Përpiqeshin të ndërronin raportet që po e çonin Kosovën në një pellg pa shpresë. S’mendoj se ka pas iluzione dikush se Kosova do të mund të pavarësohej apo të vinte në pozitë që është sot, por ishte puna që të paktën të ruhej statusi që kishte në Federatën Jugosllave në bazë të Kushtetutës së 74-s, që Kosovën e trajtonte gati si republikat tjera. Këtë donte ta ndryshonte Serbia dhe përpiqej të gjente në çdo moment shkakun që të ndërhynte. Shpallte gjendje të jashtëzakonshme shpesh pa qenë nevoja, orë policore e i mbyllte shkollat sepse rinia ishte më revolucionare. Krijonin pakënaqësi kolektive”, ka shtuar ai.

Çelaj ka kujtuar se me nisjen e ndryshimeve në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë edhe në Kosovë u ndërmorën iniciativat e guximshme për ndryshime.

Për natën e 2 korrikut të 1990-s, kur u shpall Deklarata Kushtetuese, Çelaj ka kujtuar se kishte marrë kërcënim paraprakisht dhe se në kohën e shpalljes ishte në Polici me shumë aktivistë të tjerë.

Ai ka theksuar se në deklaratën e shkruar nga akademiku Gazmend Zajmi ishin gjashtë pika. Sipas tij, pro votuan rreth 115 delegatë, teksa ka thënë se në kohën e shpalljes ka pasur “debate të zjarrta e me dyer të mbyllura”.

“Kjo ka parahistorinë e vet. Përbërja para këtij formacionit të Kuvendit, që diku është miratuar në fund të dhjetorit të 89-shit. U desh të votonte për ndryshimet kushtetuese të Kosovës, praktikisht heqjen e autonomisë, edhe pse nuk formulohej kështu. Një numër delegatësh kundërshtuan e të tjerët ose kanë munguar ose kanë votuar për ato ndryshime. Bëhet fjalë për delegatët e para Kuvendit të 2 korrikut. Zgjodhëm përbërje tjetër që një kohë quheshin delegatët e Rrahman Morinës. Nuk dolën të ishin. Ishin të ndërgjegjësuar. Krejtësisht e kundërta. Këta filluan procedurat dhe në përputhje me ligjet në fuqi që të shfuqizonin vendimet që konsideroheshin të padrejta dhe anti-shqiptare”, ka thënë tutje ai.