23:54

Prej javës së ardhshme, gjoba ndaj atyre që s’respektojnë masat

Pasi qytetarët nuk po iu binden thirrjeve për të respektuar masat në luftë ndaj COVID-19, hapi i ardhshëm do të jetë ndarja e gjobave. Këtë e ka paralajmëruar Sazan Ibrahimi, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Ibrahimi ka folur në Interaktiv të KTV-së, ndërsa ka thënë se do të vjen koha që masat të shqiptohen, pasi nuk po respektohen kërkesat.

Ibrahimi ka thënë se kryetarët e komunave nuk janë pro masave ndëshkuese, por po detyrohen të veprojnë ndryshe.

“Deri më tani çdo qytetari i është tërhequr vërejtja që mos të e përsërisë gabimin. Gastronomia - që është një vatër, po frekuentohen kafiteritë - në takimet që i kanë pasur më herët shoqatat e gastronomëve, kanë dhënë premtime. Por nuk janë duke respektuar masat. Kryetarët e komunave nuk janë shumë për shqiptimin e gjobave, sepse janë gjoba të mëdha. Gjobat janë prej 3000 euro e më lartë. Ato mund t’i shqiptohen personit juridik”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, bizneseve deri më tani vetëm u është tërhequr vërejtja, pasi ishin të mbyllura për kohë të gjatë.

“Por prej javës së ardhshme besoj se do të veprohet sepse po shihet që vetëm shqiptimi i gjobave ndoshta do t’i vetëdijesojë pronarët e restoranteve, kafiterive, për krijimin e kushteve që janë të parapara”, ka theksuar Ibrahimi.

Ai thotë se koordinimi nuk mungon, por se ka pasur hezitim për të ndarë gjoba. 

“Por ka ardhur koha që të veprohet edhe në këtë drejtim”.

23:45

Ibrahimi: Situata me COVID-19, nga kryetarët e komunave, vlerësohet e menaxhueshme

Numri i vogël i inspektorëve sanitarë në nivel të komunave është duke ndikuar tek përpjekjet për menaxhimin e gjendjes me COVID-19.

Sazan Ibrahimi, Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka thënë në Interaktiv të KTV—së se nivelit qendror i është paraqitur ky shqetësim.

“Kemi pasur takim me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë dhe ministrin Zemaj sa i përket inspektorëve sanitarë. Mund të themi se numri i inspektorëve sanitarë është shumë simbolik”, ka thënë ai, duke përmendur rastin e Prishtinës.

Ai ka shtuar se kryetarët e të gjithë komunave janë të shqetësuar me gjendjen, por është vlerësuar se situata, tani për tani, është e menaxhueshme.

“Kemi parë shumë debate. Gjithmonë është vlerësuar edhe nga kryetarët e komunave që shëndeti publik është primar. Por, në atë kohë, teksa rastet ishin duke rënë, ne morëm nje qëndrim dhe ia adresuam nivelit qendror për të kërkuar lirim të masave pas 1 qershorit. Është ditur se do të ketë rritje. Por, një herë për herë vlerësohet nga kryetarët e komunave dhe drejtorët komunalë se situata është nën menaxhim”, ka thënë ai.

Sa i përket trajtimit të rasteve me koronavirusit nga spitalet rajonale ai ka thënë se në të ardhmen, edhe komunat tjera do të mund ta përkrahin qendrën në Prishtinë.

“Kryetarët e komunave kanë kërkuar të bëhet një dekoncentrim i kompetencave nga niveli qendror, kështu që në të ardhmen edhe komunat pak më të mëdhaja kanë vlerësuar se mund ta përkrahin qendrën në Prishtinë, për trajtimin e rasteve.

Ibrahimi ka folur për rrjedhën e gjendjes me koronavirus në Kosovë. Ka thënë se në fillim, virusi i kishte gjetur të gjithë të papërgatitur.

“Por pastaj të gjitha komunat u mobilizuan dhe krijuan shtabet emergjente. Pastaj, kërkesat filluan të ndryshojnë, pasi edhe niveli qendror mori vendime që ne si asociacion vlerësuam se nuk ishin në dobi të nivelit lokal”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur në mesin e këtyre vendimeve atë për mbylljen e restoranteve, por hapjen e qebaptoreve.

“Kjo ka qenë në fazën fillestare. Një vendim tjetër është ai i MAPL-së, që vlerësoi që të mos e bënte shqyrtimin eligjshmërisë së akteve të nxjerrura nga komnuna të mos e bënte dhe kjo i pezulloi të gjitha aktivitetet, sepse kjo shkonte në dëm të komunave”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se puna filloi të rregullohej me krijimin e komitetit ndërinstitucional për menaxhimin e pandemisë.

Ai ka shtuar se asociacioni ka pasur takime me kryeministrin dhe ministrat. Me Hotin thotë se është në komunikim të vazhdueshme.

“Kemi pasur takim me ministrim Zemaj, ku është parë se çfarë duhet të ndërmerret. Kemi pasur takime edhe me ministren Bajrami sa i përket finacave dhe jemi dakorduar që buxhetet komunale të mos preken gjatë rishikimit rtë buxhetit”, ka thënë ai.