10:03

Osmani: Miqësia me Amerikën, referencë e përhershme e Kosovës

Për nder të 244 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, flamuri amerikan është vendosur para hyrjes së objektit të Kuvendit të Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe ambasadori amerikan Philip Kosnett kanë nderuar flamurin amerikan pas intonimit të himneve të të dy shteteve.

Tutje bëhet e ditur se flamuri amerikan do të valëvitet në hyrje të ndërtesës së Kuvendit deri më 6 korrik.

Osmani ka uruar popullin amerikan për ditën e pavarësisë së shtetit të tyre, duke rikujtuar që miqësia e Kosovës me ShBA-të është e një rëndësie strategjike dhe e përhershme.

“Vlerat e popullit amerikan, të theksuara në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-së, nga e cila është frymëzuar edhe Deklarata jonë e Pavarësisë, janë frymëzim yni i përhershëm. Jemi krenar që në krah tonin kemi vendin simbol të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. SHBA-të janë përveç se vend mik, edhe partner strategjik i yni në gjithë rrugëtimin tonë për ta bërë Kosovën shtet të pavarur. Vendi ynë sot është i lirë edhe shkaku i kontributit të madh të Amerikës, miqësinë me të cilën na e la testament presidenti historik dr.Ibrahim Rugova. Kosova në miqësi të përhershme me Amerikën është referencë e përhershme e jona”, ka thënë Osmani. “Popullit amerikan, urime 4 Korrikun! Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë popullin amerikan”.

 
Për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve

Për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, vendit me të cilin ne i ndajmë të njëjtat vlera dhe jetojmë në paqe të qëndrueshme e në miqësi të përhershme, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, së bashku me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, shkëlqesinë e tij, z. Philip S. Kosnett, ngritëm flamurin e SHBA-ve, në shenjë falënderimi e respekti ndaj popullit amerikan dhe demokracisë amerikane. Flamuri do të qëndrojë aty deri më 6 korrik. Vlerat e popullit amerikan, të theksuara në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve, nga e cila është frymëzuar edhe Deklarata jonë e Pavarësisë, janë frymëzim yni i përhershëm.

Posted by Vjosa R. Osmani on Friday, July 3, 2020

 

09:18

Thaçi uron SHBA-në: Ndajmë vlerat dhe vizionin e përbashkët për një botë demokratike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook ka uruar SHBA-në me rastin e 244 të përvjetorit të Pavarësisë.

“Ky 4 korrik shënon përvjetorin e 244-të të Pavarësisë së SHBA-së, vendit më demokratik në botë. Urimet më të sinqerta për popullin dhe institucionet amerikane në emër të popullit dhe institucioneve të Kosovës. Ne ndajmë vlera, parime dhe vizion të përbashkët për një botë të lirë, të drejtë dhe demokratike”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka shtuar se, “populli i Kosovës është përjetësisht falënderues për mbështetjen amerikane në kohërat më të vështira dhe për mbështetjen e vazhdueshme në rindërtimin e vendit tonë. Zoti e bekoftë miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

09:09

Hoti: Urime 4 korriku Amerikë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka uruar SHBA-në me e 4 Korrikut, ditës së Pavarësisë.

“Urime 4 korriku Amerikë! Urime të gjithë miqve amerikanë. Gjithmonë mirënjohës për kontributin tuaj për Kosovën dhe popullin shqiptar”, ka shkruar Hoti.

SHBA-ja sot feston 244 vjetorin e Pavarësisë.

Bulevardi Bill Clinton mbushet me flamuj amerikanë