21:59

Sela: VMRO edhe LSDM të njëjtë, s’ka rëndësi kë kemi përballë

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët ka thënë se VMRO dhe LSDM janë të njëjta, dhe për ta s’ka rëndësi se kush është përballë tyre.

“VMRO edhe LSDM-ja janë të njëjtë, parimi dhe ideja që i bashkon këto është krijimi i një shteti monoetnik maqedonas në një realitet mbinacional do të thosha, po hajt po i themi multietnik. Dy popujt të cilët e mbajnë dhe e ndërtojnë paqen dhe e mbanë stabil në aspektin ekonomik janë shqiptarët dhe maqedonasit. Dhe sistemet dhe kushtetutat janë ndërtuar për paqe afatgjate dhe stabilitet. Dhe pikërisht këtu është destabiliteti. As VMRO-ja dhe as LSDM-ja nuk kanë hequr dorë nga këto. Thirrjet e tij se do të fitojë zgjedhjet në njësinë numër gjashtë për qëllim final asimilimin politik të shqiptarit, dhe kur asimilohesh politikisht t’i pakicë shndërrohesh”, shprehet Sela. “Edhe koncepti i tyre ‘shoqëri për të gjithë’ është të mos thuash asgjë. Sepse shoqërinë as nuk e bën, as nuk e zhbënë dot, sepse është ajo që është”.

Sipas tij duhet të përshtatësh shtetin që të jetë i përbashkët për të gjithë, që është emërtimi i platformës tonë. Ajo quhet ‘shtet për të gjithë’.

“Kur të mos jetë partia shqiptare në bashkëqeverisje, shqiptari është i pambrojtur. Prandaj them se këto janë tendenca për asimilim politik se pikërisht këtu është rreziku. Është një parim i pashkruar që nga vitet e 90-ta që koalicionet bëhen nga një parti maqedonase dhe nga një parti shqiptare, kjo është i vetmi nishan ose shenjë i mbinacionalitetit të Maqedonisë. Votat në koalicione të përziera kanë për qëllim asiminimin politik dhe prishjen e këtij precedenti, e kjo është e rrezikshme”, thotë ai.

Sela ka treguar se ka pasur dhjetëra oferta më herët nga LSDM-ja.

“Nuk mundesh lehtë lehtë të pranosh një ofertë që të shërben personalisht, por në plan afatgjatë krijon probleme. Si mendoni, a s’kemi pasur ne oferta të tilla. Më janë ofruar dhjetë deputetë sigurt, vetëm si Aleancë për Shqiptarët, nga LSDM-ja. Aleanca është partia e vetme fatkeqësisht që ruan interesin kombëtar”, thotë Sela.

Sipas tij qëllimi i BDI-së është të marrin pushtetin për të mbrojtur të kaluarën e tyre.

“Ne duam pushtetin që të ndërtojmë ardhmërinë për shqiptarët, dhe ky është një dallim shumë i madh që na dallon si koncepte politike. Në periudhën që kaloi është e vërtetë që kam arritur një marrëveshje me Zoran Zaevin, e kam bërë kryeministër. Natyrisht u mundua që me BDI-në të sjellë disa ligje të tjera për përdorimin e gjuhëve, por unë i kam thënë pa këtë ligj që ne propozojmë nuk mund të ketë variant tjetër. Dhe e kemi sjellë Ligjin e Gjuhëve, pra që i trajton të dyja. Nuk është çështja sa besim kemi tek ata. Ne kemi besim te vetja jonë, që kur ngulim këmbë në një çështje dimë ta çojmë deri në fund dhe pak rëndësi ka se cilin kemi përballë”, thotë Sela. “Ne jemi partia e parë shqiptare që kemi lëshuar Qeverinë, dhe aspak nuk e kemi pasur problem. Dhe kur të gjithë menduan se ne do të zhdukemi, ne u rikthyem edhe më fuqishëm”.

Tutje Sela në emisionin Desku ka folur edhe për problemet në politikën shqiptare.

“Ne jemi në këtë gjendje politike për shkak nuk dimë të dënojmë si popull. Debati që nuk i kemi politikanët ashtu siç duhet fajtorë jemi vet, sepse e vetmja formë për të edukuar politikanët është sidomos aftësia për të dënuar politikanët dhe partitë politike. Pikën e dilemës nuk e kam pasur kur e kam përkrahur Kurtin, sepse kam përkrahur ndryshimin. E ndryshmin e përkrahur edhe në Maqedoni”, ka thënë Sela.

Sipas mungon kritika e mirëfilltë.

“Ajo që ne na mungon pa dallim, a jeton në Shqipëri, Kosovë, a kudo. Atë që e kemi të theksuar është polarizimi i tejskajshëm i shoqërisë, saqë nuk arrin dot të gjesh një qytetar i cili nuk është pjesë e ndonjë subjekti politik. Masa kritike na mungon. Dhe përveç realizimit të programit ne si parti jemi të interesuar të stimulojmë masën kritike, intelektualin i cili nuk shndërrohet në rroktar, sepse kur intelektuali nuk flet zëshëm për fenomenet shoqërore ai më s’është intelektual. Duam të krijojmë këtë masë kritike. Dhe shpresoj se Vetëvendosje të jetë kjo shkëndija që do të nxisë masën kritike që do të kritikojë qeverinë, nesër neve si pjesë të qeverisë në mënyrë që ne të rrimë në binarë. Vetëm kur të kemi zhvilluar këtë masë kritike gjykimet e shoqërisë do të jenë më të drejta”, ka thënë ai.

21:22

Sela e sheh të mundshëm bashkimin e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët është shprehur se është i mundshëm një bashkim i forcave politike shqiptare në Maqedoni të Veriut. Sipas tij, ai që fiton në zgjedhje duhet të marrë të drejtën të flasë në emër të shqiptarëve, e të tjerët duhet të mos provojnë ta rivalizojnë, por të bashkohen për të ecur bashkë.

Në Deskun e KOHËS, Sela ka thënë se është tejet e rëndësishme të ketë ura komunikimi mes faktorëve politikë shqiptarë.

“Shqiptarët bëhen bashkë në ditën e zgjedhjeve, gjithsecili duke përkrahur opsionin politik që ai mendon. Ata që duhet të bëhen bashkë në qëndrime e strategji janë partitë politike shqiptare që shqiptarët i zgjedhin. Kemi qenë ideatorë të tryezës së përbashkët të partive. Më 2016 kam folur për këtë instrument politik që duhet ta vendosim. U kurorëzua me nënshkrime. Fatkeqësisht e minoi BDI-ja, Ali Ahmeti këtë tryezë. Shumë thonë se ka vdekur kjo tryezë, por jo. Është e rëndësishme të ketë ura komunikimi mes faktorëve politikë shqiptarë”, është shprehur ai.

“Duhet ta ndalim lojën e Gruevskit që e bënte dhe tentativën e Zaevit që të mbajnë një parti shqiptare brenda e tjetrën te dera e Qeverisë, nën shantazhin që nëse s’është i dëgjueshëm. Humbin votuesit shqiptarë. Këtë duhet ta bëjmë marrëveshje menjëherë pas zgjedhjeve e të mos vrapojmë për të kërkuar partnerin për të qeverisur maqedonas, por duhet të kërkojmë të takohemi dhe të ulemi e të hartojmë strategji e kushteve qeverisëse e të mos i konkurrojmë njëri-tjetrit, jo si parti politike. Kështu lloj bashkimi është i shëndoshë. Është i mundshëm, po pse jo. Ai që fiton e merr të drejtën të flasë në emër të shqiptarëve. Disa herë kam thënë, dua apo s’dua unë, në emër të shqiptarëve fjalën deri tani e ka pas Ali Ahmeti sepse ka marrë shumicën e votave. Pas 15 korrikut do ta humbë këtë të drejtë e duhet t’i bindet verdiktit me votë të shqiptarëve, jo vetëm ai, por çdo kryetar partie që do të përfaqësohet në Kuvend. Flasin shqiptarët me votë, dhe unë duhet ta respektoj vullnetin e tyre. Fillimisht duhet të konstatojmë listën e gjërave që t’i ecim përpara e t’iu qëndrojmë. Mos t’i konkurrojmë njëri-tjetrit. Vetëm kështu mendoj se mund të ecim me hapa gjigantë drejt barazisë e ndërprerjes së eksploatimit”, ka vazhduar Sela.

Sipas Selës, kur ka pasur rezultate zhgënjyese nga partitë shqiptare në pushtet dhe mosbashkim të partive opozitare në anën tjetër, shqiptarët në Maqedoni kanë kthyer votat kah partitë maqedonase.

21:10

Sela: Çështja e kryeministrit shqiptar, mbulesë për diskriminimin

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët ka thënë se çështja e kryeministrit shqiptar në Maqedoni të Veriut është vetëm mbulesë për diskriminimin.

Sela ka theksuar në emisionin Desku në KTV se Ali Ahmeti për 18 vjet ka qenë kryeministër i shqiptarëve, porse nuk i ka mbrojtur ata.

“E keni dëgjuar që është hapë tema e kryeministrit shqiptarë, kjo realisht mendoj se është mbulesë diskriminimi. Ditën e zgjedhjeve ku shqiptarët votojnë, ia japin legjitimitetin një partie shqiptare e kanë zgjedhur për kryeministër shqiptar. Ali Ahmeti ka qenë i zgjedhur kryeministër i shqiptarëve për 18 vite me radhë, por ai nuk i ka mbrojtë shqiptarët. Prandaj them, e para, ne do ta mbrojmë hisen e shqiptarëve”, ka thënë Sela.

Ai thotë se do të mbrojnë shqiptarët dhe do të ndalojnë eksploatimin

“Zëshëm themi vazhdimisht se ne po diskriminohemi për buxhet. Por, në anën tjetër nuk ka buxhet që nuk e ka brenda përkrahjen e deputetëve shqiptarë. Pa votën e deputetëve shqiptarë kurrë s’ka mundur të kalojë asnjë buxhet. Ne s’do të votojmë asnjë buxhet që nuk ka paraparë investimet te shqiptarët”, shprehet Sela.

Ai gjithashtu ka premtuar investime direkte në vendbanimet shqiptare.

“Jo rastësisht e kemi shkruar në program se për katër vite do të ketë 500 milionë euro investime direkte në vendbanime dhe lagje të shqiptarëve. Sepse e gjithë Maqedonia lindore po bëhet me rrugë eksprese dhe autostrada ndërsa në gjithë këto rrugë qarkullojnë maksimumi 4 mijë makina, kurse vetëm në Tetovë-Gostivar në ditë qarkullojnë gati 14 mijë makina. E këtu nuk ka pikë investimi”, ka thënë Sela.

Sipas tij janë inekzistente investimet në vendbanimet shqiptare.

“Kemi bërë një parafushatë, shqiptarët përballen me probleme të mesjetës, s’kanë ujë të pijshëm, s’kanë shkollë, s’kanë rrugë, s’kanë trajtim të ujërave të zeza dhe ujësjellës. Si e shoh unë migrimin e shqiptarëve. Kur dikush largohet nga vendlindja, për mua s’ka dilemë, i është marrë e drejta për të jetuar. Kur dikush ta uzurpon vendin e punës, maqedonasit ua zënë vendin e punë shqiptarëve. Kur dikush ta ndot ajrin, Tetova është qyteti me ajrin më të ndotur, ta ka marrë të drejtën për të jetuar. Ne duam t’iu kthejmë shqiptarëve të drejtën për jetë”, shprehet ai.

thotë se krijojnë kushte për të rivitalizuar turizmin.

“Do t’i japim fund eksploatimit, shfrytëzimit që ndodh me buxhetin, do të krijojmë kushte të rivilatizuar vende që janë tepër atraktive edhe për turistë të huajë. Tetova ka qendrën e skijimit në Kodrën e Diellit, që ka qenë me zë në ish-Jugosllavi. Jemi të interesuar ta rivitalizojmë në bashkëpunim me biznesmenë në Tetovë”, thotë Sela.

Sela ka shtuar se do të kenë kujdes që të ketë zbatim Ligji për zhvillim të barabartë regjional, i cili nuk ka gjetur zbatim.

20:43

Sela: Do të kërkojmë të rihapen të gjitha lëndët ku ka dyshime për interferim politik

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në emisionin Desku në KTV ka thënë se shqiptarët nuk duhet të jenë spektatorë por të jenë katalizatorë të reformave në drejtësi.

Ai ka theksuar se do të kërkojnë të rihapen të gjitha lëndët ku ka dyshime për interferim politik.

“Nuk mundemi të jemi vetëm ata që presim, ne duhet të jemi katalizatorë të reformave në drejtësi. Ajo që u vërejt dhe që u premtua fatkeqësisht ka krijuar një zhgënjim të madh të qytetarët në Maqedoni, pa marrë parasysh a janë shqiptarë apo maqedonas. Sepse një nga premtimet kryesore të Zoran Zaevi ishte shteti i së drejtës. “Pa drejtësi nuk mund të ketë qetësi”, kështu thoshte ai nëpër protestë”, shprehet Sela.

Ai thotë se tani është LSDM-ja ajo që po i menaxhon grupet kriminale.

“Fatkeqësisht u bë palë me miqtë e shefave të shërbimeve sekrete të para 27 prillit. Më duhet të them patjetër se Sasha Muellkovi i famshëm është tani në krahun e Zoran Zaevit. Grupet kriminele që dikur menaxhoheshin nga VMRO-ja tani menaxhohen nga LSDM-ja dhe kjo ka krijuar zhgënjim te qytetarët. Rasti Reket (Zhvatje) që kishte për kryefjalë kryetaren e Prokurorisë Speciale prapa saj fshihej tendenca që s’u arrit për të mos ekzistuar institucioni më i besueshëm i qytetarëve. Futen në një linjë korrupsioni për të amnistuar ato raste, dhe kështu ndodhi, sot Prokuroria Speciale nuk ekziston në Maqedoni. Por, ne nuk duhet të jemi spektatorë dhe të shohim se çfarë bëjnë tjerët”, thotë Sela.

Sela tutje ka bërë të ditur se kusht për të hyrë në qeveri është kërkesa për rihapjen e rasteve dhe sjellja e gjyqtarëve nga BE-ja.

“Brenda 100 ditëshit me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën, dhe ky është një ndër kushtet bazë të krijimit të Qeverisë, do t’i bashkohet vendeve bazë të BE-së në mënyrë që të sjellin ekspertë, gjykatës dhe prokurorë dhe të rihapen të gjithë lëndët në të cilat ka dyshime për interferim politik. E kjo duhet të jetë në kuadër të sistemit”, thotë Sela.

Ai ka kujtuar rasti i lënies në liri i vrasësit 4 vjeçar, “dhe kur vrasësi është maqedonas dhe e ka emrin Boban ai shumë lehtë del prej burgut dhe sot është i lirë. Para ca ditësh ishte katër vjetori i vrasjes. Tentativa për të vrarë një familje të tërë, me ç’rast u vra fëmija katër vjeçar u rikualifikua vepra në aksident trafiku me rrezikshmëri të lartë”.

“Kjo është për të treguar se ku është gjyqësia. Një gjë e tillë nuk do të tolerohet dhe ai proces duhet të rihapet”, shprehet ai. “Një shtet që lejon që drejtësia të vendos mbas thirrjes së turmave, shndërrohet në shtet mizor”.

Një ndër masat është rihapja e proceseve të montuara politike.

“Lagjja e Trimave u dhanë vendime të cilat unk ishin parë as në procesin e Nyrembergut mbi 700 vite burg. Hetim ndërkombëtar do të vazhdojë të jetë kërkesa jonë në mënyrë që të ndahet drejtësi dhe gjithsecili të përgjigjet për veprën që ka bërë. Dhe nga ana tjetër të shohim se kush ishin organizatorët”, ka thënë ai.

Sela ka thënë se do të ketë edhe vetting, “me keqardhje kam parë Zaevin duke thënë se nuk e bëjmë dot vettingun se do të mbesim pa gjykatës, kjo është të pranosh se e ka gjyqësorin thellë të zhytur në korrupsion. Prandaj për rezultat kemi të pafajshëm në burg dhe kriminelë që janë të lirë”.

20:32

Sela: 27 prilli 2017 ishte data e ndarjes së Maqedonisë mes Lindjes e Perëndimit

Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut e ka cilësuar 27 prillin e 2017-s si datën e ndarjes së këtij shteti mes orientimit drejt Lindjes dhe Perëndimit.

Sipas tij, në ditën e zgjedhjes së kryeparlamentarit shqiptar, Talat Xhaferi, dhe eskalimit të situatës, që solli edhe sulmin ndaj tij, ishte kthesa e madhe e vendit.

Ka thënë se sa herë i sheh pamjet e sulmit ndaj tij të asaj kohe, i kujtohet Abdylfetah Alimi, që punonte si roje e Kuvendit, e që kishte shpëtuar Selën.

“Sa herë i shoh këto pamje, çdo herë më kujtohet Fetah Halimi, që më ka shpëtuar kokën më 27 prill. Njeriu që sot është në burg padrejtësisht sepse kështu deshi partia shqiptare që është në Qeveri, në mënyrë që të mbulojnë konstruksionet e veta me ish-partnerin VMRO-DPMNE, që të duket sikur përkrahin qeveri të re, por që realisht shpresonin e luteshin të shpallej gjendje e jashtëzakonshme që të vazhdojnë krushqinë e vjetër që kishin, nishanet e të cilit shihen edhe tash para zgjedhjeve të një bashkëpunimi mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së. Nga e gjithë kjo situatë, është dëshmia më e mirë e kthesës që i ndodhi. Një nga pikat ndarëse ishin orientimi kah Perëndimi ose kah Lindja. Orientimin kah Lindja nga ish-regjimi VMRO-BDI, që kishin oligarkë si pasojë e korrupsionit të lartë, dhe orientimi drejt Lindjes ishte që të kishte strehë te Putini e Rusia. Momenti i ndarjes ishte pikërisht kjo natë. Kur u zgjodh për herë të parë kryeparlamentari shqiptar dhe ishte dita në të cilën i vetmi kryetar partie shqiptar isha unë dhe asnjë tjetër”, ka thënë ai.

Sipas tij, pamjet e sulmit ndaj tij hedhin poshtë deklaratat e partive të tjera se ata e kanë çuar Maqedoninë në NATO.

Sela ka thënë se ndaj Aminit është bërë padrejtësia, duke e dënuar me burgim “pasi më shpëtoi kokën”.

“Një pjesë e fajtorëve është dënuar, por kupola jo. Për shembull kryeparlamentari që u zgjodh edhe me gjakun tim, gjithçka që bëri me këtë rast, Xhaferi amnistoi Milianovskin që ishte në strukturat udhëheqëse të këtyre rasteve, duke mos lejuar t’i hiqet imuniteti. Ish-kryeministri Nikola Gruevski është në Hungari e i ka ikur përgjegjësisë. Nga ana tjetër, krenohen për rastësinë së një marrëveshjeje se deri sa të krijohet qeveria detyrën e ministrit të Punëve të Brendshme e merr zëvendësministri e tash BDI-ja krenohet se ne tash kemi zgjedhur ministrin e parë të Punëve të Brendshme, rezultat i të cilit ishte 27 prilli. Në atë kohë, nga policët që ishin të ngarkuar në detyrë për të ruajtur Parlamentin, ai i liroi nga detyra duke u dhënë pushim që të funksionojë plani. Nëse Fetahi ka pasur fajin pasi u hapën dyert, që i hapën disa deputetë sot të amnistuar, si ishte e mundur që Fetahu të ndalte turmën me mijëra vetë. Nëse dikush ka mundur si i vetëm ta bënte, ai ka faj atëherë. Por Abdylfetahu më ka fshehur në dhoma të Parlamentit. Kam qenë në komë. Kur kam hapur sytë, ai ka qenë mbi kokën time duke më mjekuar plagët e duke më dhënë kurajë. Përgjegjësi kryesor është ai që ishte në krye të detyrës, i cili lejoi që të shkelej vija e kuqe imagjinare e nëse do të duhej përgjegjësi do të duhej të nisej nga ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri mbi ministrin, drejtori i uniformës. Funksionarët e BDI-së janë kontradiktorë. I kanë borxh, jo mua, sepse s’u sulmova për shkaqe personale, por siç duket kam artikuluar drejt nevojat që kanë shqiptarët, e kurorëzova me jetësimin e tryezës së përbashkët të partive politike, si instrument të rëndësishëm politik që bashkon vullnetin e shqiptarëve në veprim politik. Instrument që BDI-ja nisi ta minojë e ne do ta jetësojmë kur të fitojmë zgjedhjet. Dhe ky ka qenë shkaku realisht pse jam sulmuar. Shkaku tjetër ishin deklaratat tjera të njohura, se me një qeveri duhet të ketë ligj për gjuhën”, ka shtuar Sela në Deskun e KOHËS.

Sela ka thënë se ka vënë re deklarata kontradiktore të zyrtarëve të BDI-së për sulmet e asaj dite.

“Janë kontradiktorë zyrtarët e BDI-së, pasi kryeparlamentari Talat Xhaferi thotë se e ka ditur se do të ketë trazira, Agim Nuhiu ish ministër në MPB thoshte se s’ka ditur asgjë. Ali Ahmeti s’ishte aty. Publikisht po i pyes kush e thotë të vërtetë, Agim Nuhiu që thotë s’dinte gjë, apo Xhaferi që ka ditur gjithçka. T’i përballim në sy e të shohim ku është e vërteta”, ka shtuar ai.