20:32

Seanca e Kuvendit vazhdon të premten

Seanca e Kuvendit të Kosovës që ka nisur në mëngjesin e së enjtes, do të vazhdojë të premten.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka thënë, pas dështimit që të zgjidhet një kandidat për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, se për shkak të “rrezikshmërisë sepse ajri s’po mund të qarkullojë” seanca të vazhdojë të premten me fillim prej orës 11:00.

Kurse, seanca ku do të raportojë kryeministri Avdullah Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, do të mbahet me fillim prej orës 16:00.

17:40

Kuvendi miraton rezolutën për unitet politik

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projekt-rezolutën e propozuar nga deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi-Krasniqi, për “unitet politik e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit të Kosovës”.

Pas një debati të gjatë në Kuvend, rezoluta mori përkrahjen e 61 deputetëve.

Në rezolutë përfshihen dhjetë pikat, ndër të cilat thuhej se rikujtohet se Kosova ishte viktimë e Serbia agresori e se duhet të gjendet zgjidhje e shpejtë për çështjen e të pagjeturve. Po ashtu aty thuhet se Kuvendi ia kujton bashkësisë ndërkombëtare përpjekjen 20-vjeçare për të vendosur drejtësi ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë, teksa Kuvendi përsërit thirrjen për drejtësi të plotë. Po ashtu aty thuhej se Kuvendi respekton Dhomat e Specializuara dhe kërkon që puna e tyre të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës e të jenë të paanshme. Me rezolutë, Kuvendi ka shprehur edhe shqetësimin për “shkeljet e mundshme procedurale të bëra me rastin e publikimit të aktakuzës së emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së”.

“Kuvendi i Kosovës e sheh të domosdoshëm unitetin politik për të mbrojtur luftën çlirimtare të UÇK-së dhe popullit të Kosovës duke theksuar faktin se Kosova edhe sot përballet me Serbinë. Ky unitet politik e qytetar që ka për synim vendosjen e drejtësisë në pajtim me rendin kushtetues të Kosovës, rikonfirmon përkushtimin dhe bashkëpunimin dhe miqësinë e paanshme me SHBA-të BE-në NATON-n si dhe përkushtimin për fqinjësi të mirë”, thuhet ndër tjerash aty.

14:31

Dy propozimet e Osmanit s’kalojnë në Kuvend

Dy propozimet e Kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, nuk kanë kaluar në Kuvend.

Osmani fillimisht kishte kërkuar projekt-rezolutë, për të futur të rend vite votën në Kuvend për shkarkimin e zëvendëkryeministrit të Kosovës, Goran Rakiq.

Në të njëjtën kohë, ajo ka bërë një propozim rreth projektligjit për pandeminë.

“Propozim nga shmangjet procedurale.: Që sa më shpejt duke e ditur urgjencën ta kemi këtë ligj në procedurat tona të Kuvendit. Na duhet vendim me 2/3 e deputetëve të pranishëm në këtë seancë. Edhepse kemi pasur vonesa të paarsyeshme, deputetët të kenë parasysh që të futet me procedura të përshpejtuara ky ligj. E në fund të vendosim sipas vullnetit të lirë nëse duam të votojmë këtë projektligj”, kishte thënë ajo.

Osmani ka thënë se ligji anti COVID-19 është i domosdoshëm.

“Propozimi është ky: Të shmanfgemi nga rregullorja, pas konsultimeve edhe me komision për shëndetësi...Të mos presim dy javë vetëm për ta vendosur në rend dite, ta vendosim sot pas pikës për rezolutë, vetëm për lexim të parë. E komisioni për shëndetësi ta ketë kohë një javë, e nëse ka nevojë për shtesë atëherë do t’ia mundësojmë që komisiuoni të bëjë amandamentimet e nevojshme”, ka thënë Osmani.

Simiq Osmanit: Erdhët në pozitë me votat tona

Igor Simiq deputeti i Listës Serbe ka replikuar ashpër me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, duke thënë se në pozitë ka ardhur “me votat e tyre”.

“Së pari dua t’ia kujtojë kur në këtë mënyrë të ashpër sulmoni deputetët e Listës Serbe. Keni ardhur në atë pozitë me votat tona në atë kohë. Por, atëherë nuk ishte problem për ty politika e ‘Listës Serbe’. Ju bëj thirrje ta gjeni deklaratën e Rakiqit me video... Këto nuk janë të vërteta. Në të pavarëteta nuk mund të bëhen rezoluta”, ka thënë Simiq.

Deklarata e tij ka nxitur reagimin e kryekuvendares.

“Kurrë nuk kam ndjekur në korridore dikë për vota. Deklarata që e lexova, të cilën e keni lëshuar në gjuhën serbe dhe atë angleze, thotë: Përkrah Presidentin Vuçiqi… Kur më keni votuar, nëse keni menduar se e përkrahi këdo që i bashkohet Vuçiqit në beteja politike e diplomatike e keni pasur gabim. Keni votuar për themelim të institucioneve… Ne po votojmë për të futur në rend dite këtë rezolutë. Nëse deputetet nuk pajtohen atëherë e kanë të drejtën të deklarohen”, ka thënë Osmani.

Shuhet Grupi parlamentar Nisma pas tërheqjes së Haxhi Shalës

Pas aderimit të Haxhi Shalës në AAK, më 9 korrik, sipas nenit 20 të rregullores, grupi parlamentar Nisma nuk ekziston më, ka thënë kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

“Me këtë rast, ai grup i humb të drejtat e përcaktuara me rregulloren e Kuvendit, si janë përfaqësimi në komisione parlamentare, hapësira të nevojshme për zyre, staf politik dhe pozicione tjera”, ka thënë Osmani.

14:05

Osmani i kërkon Kuvendit të votojë për shkarkimin e Goran Rakiqit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka propozuar një rezolutë të re në Kuvend, duke kërkuar që ky trup ligjvënës të votojë sot për shkarkimin zëvendëskryeministrit Goran Rakiq.

Para se të kërkojë votën në Kuvend, Osmani e ka lexuar këtë rezolutë.

“Kuvendi i Kosovës rikonfirmon se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, karakteri unitar, sovraniteti e integriteti janë të pacenueshme. Çdo thirrje për mbështetje të pozicionit politik e diplomatik të Serbisë kundër Kosovës është thirrje kundër rendit kushtetues, sovranitetit të vendit tonë e kërcënon themelet e shtetësisë së Kosovës. Kuvendi i Republikës së Kosovës rinkonformon se gjitha subjektet politike, qoftë ato në Qeveri, apo opozitë, kanë për obligim të punojë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, duke mos rrezikuar pozicionin e Kosovës dhe interesat shtetërore karshi Serbisë.

Kuvendi fton Qeverinë e Kosovës të mos lejojë asnjë anëtar të jetë i përfshirë apo angazhuar aktivisht në fushatën diplomatike e politike të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës. Kuvendi kërkon nga Qeveria të shkarkojë të gjithë ata anëtarë të Qeverisë që bëhen pjesë e përpjekjeve të tilla. Nëse Qeveria nuk largon anëtarët brenda një jave, do të iniciohet mocion mosbesimi ndaj anëtarëve individual që kanë cenuar rendin kushtetues e sovranitetin e vendit”.

Ajo ka thënë se treguar se kjo ka të bëjë me një deklaratë shumë specifike që nuk lidhet me masat e pandemisë.

“Ka të bëjë me deklarimet e Goran Rakiqit, ku ai thotë se i përkrah përpjekjet politike e diplomatike të presidentit Vuçiq për ta kthyer ‘Kosovën e Metohinë’”, ka thënë ajo.

“Ka të bëjë se një zëvendëskryeministër i Kosovës i bashkohet fushatës politike e diplomatik kundër shtetit tonë”.

13:09

Hoti “s’do të hezitojë” ta kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se nuk do të ketë kurrfarë hezitimi që ta kërkojë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Ai i është referuar projektligjit për pandeminë, të cilën Qeveria e ka konsideruar të panevojshëm.

“Sot kemi trajtuar në mbledhje të Qeverisë projektligjin e ardhur nga Kuvendi për menaxhimin e pandemisë. Vlerësimi i ekspertëve ligjorë të Qeverisë është se ky ligj nuk e zgjidh problemin, sepse nuk mundet me ligj të kufizohen të drejtat elementare, siç ka ndodhur me vendimet e Qeverisë së kaluar që u shpallën jokushtetuese. E vetmja zgjidhje nëse duhet shkohet në ekstreme të kufizimit të lëvizjeve në nivel vendi, duhet ta shpallim gjendje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në nuk do të hezitojë ta bëjë një gjë të tillë, nëse ia kërkon MSH-ja dhe IKSHPK-ja.

Ndërkohë, kryekuvendarja Osmani ia ka rikujtuar se propozimin për gjendje të jashtëzakonshme e jep vetëm presidenti.

“Propozimin për gjendje të jashtëzakonshme në përputhje me Kushtetutën tonë nuk ka të drejtë ta japë kryueministri, por vetëm presidenti. Presidenti e konsulton kryeministrin para se ta lëshojë dekretin. Por, në këtë Kuvend nuk mund të vijë propozim ose akti i Qeverisë për gjendje jashtëzakonshme, por vetëm i presidentit. Prandaj është mirë të jeni të qartë lidhur me kompetencat që keni”, ka thënë ai.

12:54

Zemaj në Kuvend: Situata me COVID-19 është menaxhuar mirë

Për Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, situata me COVID-19 është menaxhuar mirë.

Në një replikë Arbër Rexhajt të LVV-së, ai ka thënë se pandemia ka futur në kolaps sistemet më të avansuara anembanë botës, teksa ka vazhduar akuzat ndaj Vetëvendosjes.

“Nuk është imune as Kosova. Por, fatmirësisht situata është menaxhuar mirë, e po tentojmë të vazhdojmë këtë menaxhim. Kur i referohemi situatave që infeksioni i COVID-19 ishte i panjohur. Për këtë arsye edhe ndërmarrja e masave dhe rikthimi në kufizim janë përgjegjësi e IKSHPK-së. Ne i përkrahim plotësisht. COVID-i ju prek edhe ju, është dashur ta keni parasysh me datën 12 qershor. Po ju tregoj çfarë ka bërë koronavirusi vetëm në Prishtinë… Është papërgjegjësi e juaja, që i keni nxjerrë njerëzit nuk i keni mbrojtë, nuk e keni respektu distancën e as masat mbrotjëse”, është përgjigjur Zemaj.

Replika e tij ka ardhur pasi që Rexhaj kishte shprehur shqetësim rreth gjendjes me koronavirus.

“Gjendja me COVID-19 është tejet shqetësuese. Në baza ditore kemi mbi 200 raste në Kosovë dhe si analogji nëse ju kujtohet sa ishte Qeveria Kurti, presidenti Hashim Thaçi së bashku me Hotin, që ishte zëvendëskryeministër i Kurtit, kërkonin gjendje jashtëzakonshme. Pse sot s’po shpallet? Atëherë nuk kishim të vdekur, e sot edhe me dhjetëra”, ka thënë Rexhaj në Kuvend.

Të menaxhueshme e ka quajtur situatën edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

“Jemi duke e menaxhuar situatën, trendi është në rritje, si është në rajon e më gjërë. Ministri dha shifra konkrete. Jemi në proces të riorganizimit të klinikave spitalore, për të krijuar shtretër shtesë, janë krijuar ato, por edhe në spitale rajonale. Po ashtu, e kemi autorizuar Ministrinë e Shëndetësisë që në përputhje me ligjin të kërkojë nga spitalet private të vëjë në dispozicion shtretër shtesë, nëse është e nevojshme”, ka thënë Hoti.

I pari i Qeverisë po ashtu ka thënë se MSH-në e ka autorizuar që të bëjë angazhimin e gjithë stafit shëndetësor në nivel vendi, që nuk janë të angazhuar në sektorin publik e privat.

“Kemi autorizuar Ministrinë të licencojë institucione private e stafe rajonale, për të kryer testime në përputhje me standardet. Kemi filluar procedurat për vlerë deri në 100 mijë teste virologjike dhe 500 mijë vaksina të gripit sezonal, që mundësojnë krijimin e një imuniteti për vjeshtë. Janë bërë porositë e nevojshme për vaksinë eventuale kundër COVID-19. Kemi filluar procedurat për blerjen e shtatë aparateve për testim, një në Infektive e gjashtë rajonale. Kemi autorizuar vlerën e terapive specifike për COVID-19”, ka thënë ai.

12:09

Përplasje LDK-LVV në Kuvend rreth krizës pandemike

Deputeti i LVV-së Liburn Aliu ka folur për rastin e vdekjeve të dyshimta në QKUK, duke thënë se ajo është rrjedhojë e “papërgjegjësisë politike”.

“Ishin pacientë që ishin shtrirë për të kërkuar shërbim shëndetësor. Gjetën vdekjen pikërisht në dorën e sistemit shëndetësor. Po flitet për rënien e sistemit e sistemit të oksigjenimit. Pra diçka që ndodhi brenda minutash hodhi poshtë gjithë mundin e kujdesit dhe personelit mjekësopr e solli vdekje. Ky sistem ra edhe dje e ishim me fat, pasi mund të ndodhte edhe dje. Ka rënë edhe në të shkuarën ku ishin po ashtu të pafat. Ku në vitin 2017 pacientët vdiqën e supozohet nga gazi oksidul. Për ato vdekje nuk u zbuluan shkaktarët e përgjegjësit. Ato thjeshtë ndodhën e pothuajse u harrua, derisa fajtorën dolën paq. Këto vdekje që po na del se kanë të bëjë me sistemet e furnizimit, po përsëriten. Nuk ka të bëjë me personel mjekësor qe po lufton. Është përgjegjësi menaxheriale që vjen si rrjedhojë i përgjegjësie apo papërgjegjësië politike”, ka thënë ai.

Sipas Aliu, “Qeveria ilegale” e ka idenë e saj se pandemia e arrin pikun, e pastaj kalon, ose me arritjen e imunitetit të masës, “e ku kemi sistem shëndetësor me kapacitet të limituar”.

“Kjo ide ishte e gabuar. Tani kur kemi arritur në momentin e daljes nga kontrolli e klinikat vërshohen nga pacientët, bëhet thirrje e merren masat. Por, kësaj thirrjeje nuk i shkon më zëri. Nuk mund të ketë besim te ju”, ka thënë ai.

E Vlora Limani Hajnuni e LDK-së e ka akuzuar LVV-në për përhapje të koronavirusit.

“Duhet të kemi kujdes në diskutimet e sjelljet tona pasi shembulli i jonë mund të ndiqet nga qytetarët. Kemi rritje enorme të rasteve me COVID-19. Si rezultat i shumë faktorëve, por me dëshirë do të flisja në një periudhë tjetër pos pandemike, kur qytetarët edhe shërbyesit shëndetësor të jenë liruar nga antkhi i virusit. Por, meqë disa nga ne po përpiqen të gjejnë fajtorë te periudha e inkubacionit të virusit nga 7 deri 14 , është mirë të përkujtohen disa faktorë nga 30 maji deri 14 qershor. 30 maji është hapja e masave. E pastaj tubimi më LVV-së me afër 5 mijë persona”, ka thënë ajo.

11:44

Nuk kalon projekt-rezoluta e LVV-së për dialogun

Projekt-rezoluta e LVV-së për dialogun nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme në Kuvend.

31 deputetë kanë votuar për të, e 60 kundër.

Pas shpalosjes së saj nga shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhel Selimi, Faton Bislimi i LDK-së ishte shprehur kundër kësaj projekt-rezolutë.

“Jemi përkrahës të çfarëdo nisme që Kuvendi i Kosovës e merr dhe është në përputhshmëri me ligjet e Kushtetutës sonë. Deputetet e LVV-së i ka fare të qarta diskrepancat që kanë në ato katër pikat e rezolutës së tyre. Rezolutë me katër pikë, por me diskrepancat që lënë për të dëshiruar”, ka thënë Bislimi.

11:38

Osmani: Në Kuvend s’ka ardhur asnjë platformë për dialogun

Kryetarja Osmani ka thënë se në Kuvend nuk ka ardhur asnjë platformë për dialogun.

“Nuk kemi platformë në Kuvend për dialogun, ka pasur debat, nuk ka ardhur asnjë platformë. Krijimi i Komisioneve të reja “ad hoc” mund të bëhet vetëm me propozim të deputetëve të Kosovës. Proceduralisht nëse deputetët kanë vullnet e mirëpresim”, ka thënë ajo.

Të njëjtën e ka thënë edhe Selimi. “Hoti iu referua një platforme për të cilën nuk e kemi të shkruar dhe nuk e kemi këtu. Nuk ekziston një platformë që të mbështetemi te ajo”, ka thënë ai.

Kryeministri Avdullah Hoti ndërkaq kishte kërkuar paraprakisht që çështja e rezolutës të shtyhet për një ditë tjetër.

“Kemi kërkuar diskutim të gjatë në seancën atë ditë, mendova se u dakorduam për një rezolutë... E di, shumica ishin dakord me atë rezolutë. Kam prezantuar platformën e Qeverisë për dialogun, duke përfshirë edhe vijat e kuqe. Kam propozu që të formohet komision parlamentar për dialog. U pa se nuk është disponimi të formohet komision, por që unë të raportoj rregullisht para dhe pas çdo raundi të dialogut. Është një rezolutë e re, propozoj ta shtyjmë për ditë tjetër, të ulemi bashkë gjitha grupet parlametare me Qeverinë dhe të vijmë te një rezolutë që e maksimizon rolin e Kuvendit në këtë process, në përputhje me Kushtetuën. Unë jam i hapur, sido që e shihni rolin e Kuvendit në këtë proces normalisht në përputhje me Kushtetutë, që ta ndihmoni këtë process”, ka thënë Hoti.

11:20

Selimi shpalos projekt-rezolutën e LVV-së për dialog

Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, e ka shpalosur në Kuvend projekt-rezolutën e tij për dialog.

“Projektrezoluta ka katër pika: Pika 1: Kuvendi i Kosovës rithekson se klarakteri unitar i Republikës së Kosovës është i paprekshëm dhe i pacenueshëm; Pika 2: Duke marrë parasysh faktet e konfirmuara lidhur me temën e trajtuar gjatë dialogimit të deritanishëm, atë të shkëmbimit të territoreve që janë në kundërshtim me obligimin Kushtetues për ruajtjen e Integritetit dhe Sovranitetit të Kosovës, Kuvendi i Kosovës kërkon nga institucionet përgjegjëse që në temën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në asnjë rrethanë e as nivel e format nuk mund të jenë çështje që lidhen me sovranitetin e vendit apo integritetin territorial, apo që synojnë krijimin e ndonjë pushtetit të tretë administrative; Pika 3: Kuvendi i Kosovës para çdo takimi në kuadër të dialogut me Serbinë duhet të miratojë platformën për dialog, që do të përfshijë parimet bazë në bazë të të cilave e do të zhvillohet dialopgu dhe do të votohet me 2/3 e votave të deputetëve; Pika4: Kuvendi i Kosovës kërkon hapjen e rrugës për një proces zgjedhor të lirë e demokratik nga i cili do të dilte qeveri legjitime e do të kishte legjitimitetin e përfaqësimit të vendit në dialog me Serbinë”, ka thënë Selimi.

11:15

PDK-ja tërheq projekt-rezolutën e saj për dialog

Memli Krasniqi i PDK-së e ka tërhequr projekt-rezolutën e partisë së tij për dialog.

“Arsyeja ishte për takimin në Ëashington. Ai takim është anuluar dhe nuk është ripërcaktuar të mbahet. Kemi potencialisht edhe një ndryshim të çasjes apo një nivel të përfshirjes së tjetër sa i përket SHBA-së, gjë që do të ndikonte drejtpërdrejt në potencialin e diaologut mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces që ka filluar shumë kohë më parë ka rëndësi dhe peshë të madhe dhe normalisht një shtet serioz e institucione serioze, e para se gjithash Kuvendi i Kosovës, nuk mund të rrijë anash dhe nuk mund të jetë vetëm një vend ku raportohet para dhe pas këtyre vizitave. Ne besojmë se është tepër e domosdoshme të shohim platformën e Qeverisë, propozimet e Qeverisë dhe Kryeministrit e të diskutojmë mundësitë për të ecur para e për të saktësuar dhe përcaktuar rolin final të Kuvendit të Kosovës. Është tepër e domosdoshme që të kemi kohezion politik sa më tepër të jetë e mundshme. Rezoluta që kemi propozuar kishte më tepër karakter teknik sesa politik”, ka thënë ai.

Krasniqi ka thënë se nevoja është të hartohet e dakordohet një rezolutë që harton
“jo vetëm aspektin Teknik, por në detaje edhe çështje që lidhen me platformën, kërkesa dhe pozicionin e Kosovës në këtë aspekt, e deri te vijat e kuqe që nuk mund të shkelen pavarësisht rrjedhës së këtij procesi. Ne e tërheqim draft rezolutën që e propozuam seancën e kaluar. Duhet të ketë rezolutë tjetër më gjithëpërfshirëse që i përfshinë ato që i thashë. E shpreh qëndrimin në emër PDK-së nuk mbështesim rezolutë tjetër, pasi qëndrimi ynë nuk është i njëjtë edhe karshi rezolutës”, ka thënë ai.

11:00

5 marrëveshjet ndërkombëtare nuk kalojnë shkaku i mungesës së kuorumit

Për shkak të mungesës së kuorumit në Kuvend nuk kanë kaluar pesë marrëveshjet ndërkombëtare.

Fjala është për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim; Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Dogana 2020”, si dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.

E Ministrja e Finacave, Hykmete Bajrami u ka bërë thirrje deputetëve që të miratohet amandamenti i rregullores së Kuvendit, që e mundëson votimin obline.

“Po e shoh që ka mungesë të deputetëve pas rasteve me COVId-19. Për këtë arsye nuk kaluan. Kemi diskrepancë mes të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore… pjesa më e madhe e shpenzimeve të buxhetit, sidomos pjesës që kanë me implemementimin e Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomike vijnë nga financimet e jashtme që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës. Të kalojë amandamenti i rregullores së punës që të bëhet mundësia e votimit edhe nga shtëpia”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka shtuar se ata që do të penalizohen janë qytetarët dhe bizneset.

“Ata penalizohen nëse nuk kalon rishikimi i buxhetit. Bëj thirrje të kalojë ky Amandamentim, që të mundësohet votimi nga distanca e të kalojnë këto ligje që janë shumë të rëndësishme”, ka thënë ajo.

10:51

Seanca në Kuvend, Osmani u tërheq vërejtjen deputetëve të respektojnë masat

Kryeparlamentara e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar gjithë deputetët se do të largohen nga seanca, në rast se nuk përfillen masat për t’u mbrojtur nga pandemia, si mbajtja e distancës fizike, maskës dhe higjienës.

“Dua t’ua tërheq vëmendjen lidhur me rëndësinë e masave nga pandemia COVId-19. Duke u bazuar në manualin e ministrisë. Gjatë seancës janë të obliguar gjithë deputet e gjithë administratat dhe të gjithë anëtarëat e kabinetit në mënyrë strikte , distanca fizike prej dy metra dhe përdorimi i maskave nga secili. Kushdo që i shkel rregullat nuk lejohet qëndrimi në seancë. Kërkohet të mbahet higjiena. Rekomandohet të diskutohet nga ulësja që të kemi sa më pak njerëz që e përdorin foltoren kryesopre. Duhet të dezinfektohet vazhdimisht foltorja. Do të kemi pauza për t’u ajrosur salla plenare. Gjithë ata që kanë simptoma (kollë, probleme me frymëmarrje) të qëndrojnë në shtëpi. Nëse keni qenë rast kontakti vetëizoloheni për 14 ditë e të mos keni kontakt. Rregullat e rekomandimet tjera i gjeni edhe në dokumentet tjera të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë si manuali por edhe në vendimet e marra së fiundi, që kërkoi Ministria e Shëndetësisë a Qeveria t’ia dërgojë Kuvendit me shkrim”, ka thënë Osmani.