22:25

Tensione në Kuvend, ndërpritet seanca

Për shkak të tensionimeve në Kuvend, me ç’rast deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhavit Ukaj, i ishte vërsulur kryeparlamentares Vjosa Osmani, është ndërprerë seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.

Debati u tensionua pas disa përplasjeve që patën deputetët në fund të diskutimeve për rishikimin e buxhetit.

Pas një fjalimi të deputetit Salih Zyba të Vetëvendosjes, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, kërkoi përmbajtje nga deputetët dhe nga kryeparlamentarja Osmani të mos lejohet gjuhë e rëndë në seancë. Më vonë fjalën e mori deputetja Ganimete Musliu e PDK-së që teksa fliste u përplas me Fitore Pacollin e Vetëvendosjes.

Teksa Musliu doli në foltoren në qendër të Kuvendit, deputeti Ukaj u përplas me kryeparlamentaren, madje edhe duke iu afruar në foltore.

Në fund Osmani vendosi që të ndërpritej seanca duke thënë se “kjo seancë ndërpritet për shkak të joedukatës së deputetit”.

18:07

Raportimi i Hotit për pandeminë shtyhet për të hënën

Raportimi i kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me menaxhimin e situatës së pandemisë Covdi-19, i paraparë të mbahej sot, është shtyrë për të hënën në ora 16:00.

Kjo pasi që të gjitha grupet parlamentare u pajtuan me rekomandimin e kryetares së Kuvendit, për shkak të rrezikut nga infektimi.

Ndërsa debati për projektligjin për rishikimin e buxhetit për vitin 2020 po vazhdon.

16:58

Formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për procesin e privatizimit

Me 77 vota pro është miratuar formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Propozimi ishte bërë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Komisioni do të ketë 11 anëtarë e pas gjashtë muajsh duhet t’i dërgojë raport Kuvendit.


Lista Serbe lëshon sallën kur mbahet një minutë heshtje për Srebrenicën

Image

Para vazhdimit të kësaj seance, Kuvendi i Kosovës mbajti një minutë heshtje në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës. Me këtë rast, deputetët e Listës Serbe u larguan nga salla.

15:16

Jeton Mehmeti zgjidhet kryesues i Bordit të KOSTT-it

Jeton Mehmeti është zgjedhur kryesues i Bordit të KOSTT-it, ndërsa anëtarë tjerë janë zgjedhur Arben Dodaj dhe Nebih Zariqi.

Në raundin e parë të votimit të fshehtë në Kuvend, asnjëra nga kandidatet nuk ka arritur të marrë votat e mjaftueshme as për të hyrë në raundin e dytë të votimit.

Deputetët kanë votuar në kuti të ndara për të siguruar përfaqësimin e grave në Bordin e KOSTT-it.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar sqarim nga Komisioni përgjegjës nëse duhet të përsëritet konkursi nga fillimi, apo do të shkohet edhe njëherë në votim për kandidatet.

12:50

Deputetët votojnë në kuti të ndara për të siguruar përfaqësimin e grave në Bordin e KOSTT-it

Në zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) u zbatua barazia gjinore e paraparë në Ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi në kuti të ndara deputetët po votojnë për të dy gjinitë që të sigurohet prezenca e grave në këtë bord.

Kjo nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila u cilësua si ditë progresi për Kosovën.

“Sot do të votohet me lista të ndara për t’u garantuar barazia gjinore në një ndërmarrje shoqëri aksionare në Kosovë, KOSTT. Ajo që duhet theksuar për secilin prej nesh, e veçanta grave që duhet t’i rikujtojmë secilit obligimin që e kemi për vajzat dhe gratë që janë jashtë kësaj salle, qytetarëve të Kosovës që e kanë të drejtën për t’u përfaqësuar dhe zgjedhur. Sot është një moment që vlen të theksohet si një moment progresi për Kosovën… Sot i kemi dy kuti të ndara për të siguruar që gratë janë të përfaqësuar në bord të një ndërmarrje për shoqëri aksionare”, tha ajo.

Kandidatët që po synojnë të jenë në Bordin e KOSTT-it janë: Kushtrim Krasniqi, Jeton Mehmeti, Ali Hamiti, Nebih Zariqi, Pranvera Doburna-Mehmeti, Saranda-Sadriu-Mehemti, Xhavit Buzhala, Ibrahim Krasniqi, Gjelosh Vataj, Ajrina Gashi, Arben Dodaj dhe Hyrmet Mydyti.

 

/KsP.

11:54

Vazhdon seanca në Kuvend

Seanca në Kuvend, e cila ishte ndërprerë të enjten pasdite, ka nisur me rreth katërdhjetë minuta vonesë.

Pika të rendit të ditës janë zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, (KOSTT); Formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë; Shqyrtimi i Raportit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit-(ARRU) për vitin 2019; Kërkesa e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e Pandemisë së Virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për miratimin e buxhetit; Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për shtatë (7) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Bordit të Ankesave të Komisionit të Pavarur të Mediave; Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani kishte thënë të enjten, pas dështimit që të zgjidhet një kandidat për anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, se për shkak të “rrezikshmërisë sepse ajri s’po mund të qarkullojë” seanca të vazhdojë të premten me fillim prej orës 11:00”.

Kurse, seanca ku do të raportojë kryeministri Avdullah Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, do të mbahet me fillim prej orës 16:00.