Arbëri

KDI: Qeveria e Kosovës të bashkërendojë qëndrimet me opozitën për rishikimin e buxhetit

KDI: Qeveria e Kosovës të bashkërendojë qëndrimet me opozitën për rishikimin e buxhetit

Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi rishikimin e buxhetit me procedura të përshpejtuara, për të sanuar pasojat ekonomike dhe shëndetësore që ka shkaktuar pandemia. Ky projektligj do të jetë në shqyrtim të parë në vazhdimin e seancës së sotme. Sidoqoftë, për trajtimin e projektligjit me procedura të përshpejtuara, kërkohet shmangie nga Rregullorja me votat e ⅔ e deputetëve të pranishëm, që nënkupton se nevojitet pajtueshmëri më e gjerë mes grupeve parlamentare në pozitë dhe atyre në opozitë, rikujton KDI.

Duke pasur parasysh situatën e ndjeshme me pandeminë është e domosdoshme që buxheti i rishikuar të jetë reflektim i qëndrimeve të të gjitha partive politike. Andaj, KDI kërkon nga koalicioni qeverisës të intensifikojë përpjekjet për gjetjen e një gjuhe të përbashkët me opozitën, duke marrë parasysh propozimet dhe kërkesat e tyre, në funksion të arritjes së pajtueshmërisë për kalimin e projektligjit për rishikimin e buxhetit.