21:30

Koci: Neglizhenca jonë e krijoi këtë situatë

Të gjitha rastet e lidhura me krimet e luftës kanë mundur të trajtohen edhe përmes sistemit juridik të Kosovës, beson avokati Arianit Koci.

“Gjithsesi, e kemi rastin e Serbisë, që kinse kanë filluar të dënojnë individë që kanë kryer krime lufte në Kosovë, por ata në të vërtetë janë dënuar se kanë shkaktuar probleme në Serbi”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.

Koci po ashtu ka thënë se Dick Marty s’është marrë shumë seriozisht në Kosovë në fillim.

“Ka kaluar kohë shumë e gjatë. Me vjen keq që Dick Martyn se kanë marrë seriozisht aq shumë në fillim. Ai ka qenë në Kosovë disa herë, e di që ka pasur kontakte me serbë të Kosovës, pala shqiptare është takuar shumë pak me të. Edhe ne e kemi pasur të vërtetën tonë”, ka thënë Koci.

Ai po ashtu e ka përmendur faktin se një pjesë e madhe e personave që janë përmendur në raportin e Dick Martyt, janë cak i aktakuzave.

“Kjo do të thotë se raporti i Dick Martyt ka qenë raport inicial. Nuk do të thotë që të gjithë që janë përmendur, duhet të përfshihen”, ka thënë ai.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se deri në fund të korrikut pritet konfirmimi, i tërësishëm apo pjesshëm, ose edhe hedhja poshtë e aktakuzës së parë, të ngritur gjatë janarit të këtij viti.

21:17

Koci: Gjykata në fazën e konsolidimit, besoj në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit

Avokati Arianit Koci në emisionin Desku në KTV ka thënë se Gjykata Speciale aktualisht është në fazën e konsolidimit, derisa ka theksuar se beson në pafajësinë e presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Sipas tij personat gjykohen individualisht, porse një gjë e tillë lë hije të keqe mbi UÇK-në.

“Sado që po proklamohet se individët do të gjykohen, nuk janë individë të thjeshtë, nëse njëri apo më shumë eventualisht shpallet fajtor në një mënyrë e helmon komplet punën tonë. Luftën tonë duhet me çdo kusht, me argumente, duhet të tregojmë se ne jemi ata që jemi vetëmbrojtë dhe krimet i ka bërë Serbia. Interesi i të gjithë shqiptarëve është që Thaçi të dalë i pafajshëm. Natyrisht se personat hetohen individualisht, por kjo nuk ja lenë hije të mirë UÇK-së”, ka thënë Koci.

Koci ka përmendur gjithashtu faktin se është i përfshirë në ligj edhe ndërmarrja e përbashkët kriminale.

“Në mënyrë implicite e kanë futur ndërmarrjen e përbashkët kriminale, kjo është në ligj. Si koncept ndërmarrja e përbashkët kriminale është doktrinë juridike, dhe nënkupton që personi e ka nxitur është përgjegjës edhe nëse me veprime të veta nuk e ka kryer veprën. Ta provoj ta shpjegoj më thjeshtë: nëse tre persona hyjnë në një bankë për të kryer një vjedhje dhe njëri prej tyre e vranë një zyrtar brenda bankës jep përgjegjësi njëjtë edhe shoferi që ka pritë jashtë bankës”, ka thënë Koci.

Ai ka shtuar se UÇK-ja ka qenë një strukturë policentrike.

“Këtu ka me qenë shumë komplekse dhe ne në mbrojtje duhet të kemi shumë kujdes. Secilit klient timit i kam sugjeruar të mos deklarohet. Në këtë fazë, çdo rast i ka specifikat e veta. Intervistimi ndryshe është edhe mundësia që i dyshuari të paraqet edhe mbrojtjen e vet. Çështja a mbrohet dikush aktivisht apo në heshtje është çështje e strategjisë individuale”, ka thënë Koci. “Kjo Gjykatë ende është në fazën, ta quaj të konsolidimit. Opsionet janë të hapura. Neni i 16 i ligjit e përcakton përgjegjësinë individuale dhe aty jep përgjegjësi edhe për tjetrin. Nëse një vartës i yti e ka kryer veprën penale e ti është dashur me e ditë se e ka kryer, edhe nëse e ka kryer dhe nuk ke ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj tij, edhe për atë jep llogari. Nëse ka kryer dhe e ke ndëshkuar ti atëherë nuk ke përgjegjësi penale”.

Ai ka shtuar se rregullorja pëson ndryshime me vazhdimësi.

“Ne e kemi përvojën e tribunalit të ish-Jugosllavisë. Hetuesit e Speciales e kanë një punë më të lehtë. Këto janë në fazën e konsolidimit të interpretimeve dhe rregulla që duhet të zbatojmë. Është një ekip e gjyqtarëve që janë të punësuar. Krimet e luftës janë krime shumë komplekse, ka kaluar shumë kohë dhe është e natyrshme që merr shumë kohë kjo punë”, ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se i beson kësaj Gjykate dhe se ka besim se të pafajshëm do të dalin edhe Thaçi e Veseli.

“Gjyqtarët që unë i njoh të gjithë janë profesionalisht në nivel, dhe për momentin nuk kam asnjë indikacion se diçka nuk është në rregull. Në këtë fazë asnjë provë nuk e kam për të menduar ndryshe. Kam besim në këtë Gjykatë, dhe në tribunalin e ish-Jugosllavisë shqiptarët kanë kaluar shumë mirë, dhe nuk kam arsye për të besuar ndryshe. Bashkëndjej për situatën që janë Thaçi e Veseli, por unë kam besim në pafajësinë e tyre”, ka thënë Koci.

20:57

Koci rreth mosnjoftimit të Thaçit me përmbajtjen e aktakuzës: S’është situatë normale

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk ka obligim ligjor të japë dorëheqje, megjithatë, me kalimin e kohës shihet se një gjë e tillë është e domosdoshme, ka thënë avokati Arianit Koci.

Koci, në DESKU të KTV-së ka thënë se çështje të rëndësishme, të lidhura me të parin e Kosovës, po paraqiten në vijimësi.

“Tash po e shoh që po paraqiten disa çështje të rëndësishme. Së pari, ai është president i yni dhe është në interesin tonë se çfarë po ndodh me atë, edhe pse ai nuk ka shkuar në Speciale në cilësinë e presidentit”, ka thënë ai.

Koci po ashtu e ka përmendur faktin se presidenti tani nuk ka edhe shumë kontakte me diplomatë.

“Do të ishte mirë të fokusohej në mbrojtjen e tij”, ka thënë Koci.

Koci po ashtu ka kujtuar se shumë politikanë e kanë vlerësuar faktin që Thaçi i është përgjigjur ftesës së Speciales.

“Kjo hyn në domenin e patriotizmit folklorik, pasi që nuk ka alternativë tjetër. Me këtë mentalitet, s’duhet të përgjigjemi. Secili duhet t’i përgjigjet ftesës. Aktakuza, sa i përket prokurorisë, është deponuar dhe tashmë është çështje e gjyqtarit të procedurës paraprake, ai mundet që atë ta konfirmojë vetëm pjesërisht, pra disa pika”, ka thënë Koci.

Koci në të njëjtën kohë është përgjigjur pyetjeve lidhur me mosnjoftimin e Thaçit me përmbajtjen e aktakuzës. Ka thënë se kjo “s’është situatë normale”.

“Sidoqoftë, edhe po ta ketë aktakuzën Thaçi, ato janë vetëm pretendime të Prokurorisë. Prokuroria në këtë fazë mund të jetë ushqyer vetëm me dokumente të Serbisë”, ka thënë ai.

20:47

Koci: Prokuroria me komunikatë ka bërë autogol

Komunikata e Prokurorisë ishte autogol për të dhe mbrojtja e presidentit Hashim Thaçi duhet të shfrytëzojë këtë argument.

Kështu ka thënë avokati Arianit Koci në emisionin Desku në KTV. Ai vlerëson se komunikata e ka kontaminuar procesin, përkatësisht ka krijuar përshtypje se mund të bëhet fjalë për ndikim politik.

“Unë mendoj që me këtë komunikatë, prokuroria ka bërë autogol dhe mbrojtja e Thaçit duhet ta shfrytëzojë mirë këtë argument. Me këtë komunikatë është kontaminuar procesi, edhe pse aktakuza nuk mund të kundërshtohet për këtë bazë. Por është kontaminuar dhe nuk po lë një shije të mirë. Është krijuar përshtypja te publiku që këtu mund të ketë edhe ndonjë ndikim politik, edhe pse nuk kemi prova. Por nuk është situatë e zakonshme”, ka theksuar Koci.

Sipas tij, presidenti është dashur të tregojë se çka i është shkruar në ftesë. Ai ka folur për një postim të bërë nga Thaçi pas komunikatës së Prokurorisë.

“Komunikata e presidentit e ka një notë të fortë politike. Nuk merret me thelbin e çështjes. Për mua ka qenë shumë më me rëndësi që presidenti Thaçi si i pari i vendit, të na tregojë se çka i ka shkruar në ftesë. Në ftesë ceken të gjitha, edhe për cilën vepër eventualisht po dyshohet dhe a është i ftuar si dëshmitar apo i dyshuar”.

Avokati Koci ka theksuar se Thaçi ishte sponsori kryesor i Gjykatës Speciale. Presidenti vazhdon të mendojë se është veprim i drejtë dhe i mirë krijimi i saj, thotë Koci.

Koci thekson se ka qenë kundër gjykatës dhe se ka kërkuar që të përfshihen edhe krimet e serbëve.

“Çfarëdo deklarimi i politikanëve kosovarë nuk mund të rrëzojë këtë gjykatë. Gjykata e ka marrë rrugën e vet dhe do ta përfundoj misionin e vet”, është i bindur Arianit Koci. Ai vlerëson se Thaçi ka bërë mirë që ia ka vazhduar mandatin EULEX-it.

20:32

Koci: Provat e ofruara nga Serbia duhet shikuar me shumë dyshim

Avokati Arianit Koci në emisionin Desku në KTV ka thënë se provat e ofruara nga Serbia duhet të shikohen me dyshim, dhe atyre duhet t’u përgjigjemi me argumente.

Ai ka vlerësuar si normale që presidenti Thaçi të intervistohet për tre ditë, pasi sipas tij, ka raste kur intervistimi zgjat edhe më shumë.

“Normale është të merret në pyetje për tre ditë, por kjo do të thotë se Thaçi ka vendosur që të mos mbrohet në heshtje. Çështjet teknikale mund të jenë një apo dy orë, e jo kaq kohë. Kam pas raste kur janë marrë në pyetje për 3 ditë e për kohë të gjatë. E mbrojtja në heshtje është e drejtë ligjore”, ka thënë Koci.

Sipas tij Thaçi është dashur të jetë më transparent.

“Thaçi u është dashur që të jetë më transparent për shkak të pozicionit, dhe ai nuk ka treguar as për çfarë është ftuar. Ligjërisht mund të jetë i ftuar në cilësinë e dëshmitarit edhe për ndonjë rast tjetër. Nëse lexon me vëmendje vet komunikatën e Prokurorisë, ajo indikon se mund të ketë edhe çështje tjetër që nuk lidhet me luftën por është kompetencë e Dhomave të Specializuara”, ka thënë Koci.

Koci përmend edhe deklaratën e Vladimir Vukçeviqit, ish-kryeprokuror serb për krime lufte, që sot ka deklaruar se Serbia e ka furnizuar Prokurorinë me dokumente dhe dëshmi.

“Nëse kemi një strukturë kemi qenë në luftë dhe ka ushqyer Prokurorinë me dokumente në anën tjetër ne fare nuk kemi pasur informacion për hetimet e prokurorisë, ose nuk kemi pasur një zyrë që do të ushqente zyrën e Prokurorit të Specializuar atëherë hetimi mund të merrë një kahje jo të mirë, pastaj situata eskalon në atë masë se duhet sqarim në gjykatë”, ka thënë Koci.

Koci tutje ka shtuar se pos, deklaratës së Vukqeviqit, edhe Drecuni, që është i lidhur me shërbimin sekret serb, zyrtarisht e ka obligim që të mbledhë prova, kinse, për krimet e krerëve të UÇK-së.

“Prokuroria është e hapur ndaj të gjitha palëve me mbledh dokumente e dëshmi të ndryshme dhe jo domosdoshmërisht u beson të gjithave. Në Gjykatë është pala e kundërt që paraqitet pastaj me kundër argumente. Është shumë esenciale me e kuptuar se dokumentet që po i prodhon Serbia në shikim të parë duken të vërteta, pra aty punohet në njëanca dhe janë ekspertë të cilët i krijojnë dhe i prodhojnë që mund të dëshmojnë fajësinë eventuale. Nëse një akuzë bazohet edhe në dokumente të forcave armike, aty duhet të shikohet me dyshim të madh është komplet një situatë dubioze. Duhet me argumente me i luftuar. Njoh shumë prokurorë që janë shumë seriozë dhe duket se në këtë fazë janë ushqyer me dokumente të prodhuara apo janë të rrejshme”, ka thënë Koci.