Arbëri

UNICEF-i i dorëzon IKSHPK-së pajisje për testimin e cilësisë së ujit të pijshëm

 

Zyra e UNICEF-it në Kosovë ia ka dorëzuar sot Institutit Kosovar të Shëndetësisë Publike (IKShP), dhjetë (10) sete të pakove për testimin e cilësisë së ujit të pijshëm. Këto pajisje ishin përdorur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës gjatë punës në terren me Anketën e Grupimit të Treguesve të Shumëfishtë (MICS).

Në komunikatën e UNICEF-it thuhet se anketa MICS ofron të dhëna të besueshme dhe të krahasueshme në nivel ndërkombëtar për shëndetin dhe ushqyerjen e fëmijëve, vdekshmërinë, mbrojtjen, edukimin, dhe kushtet e përgjithshme të jetesës, si dhe informata në lidhje me shëndetin riprodhues dhe kushtet e jetesës së grave dhe burrave. Që nga dhjetori i vitit 2019 deri në mes të marsit të vitit 2020, nëntë ekipe të MICS-it kanë mbledhur të dhëna duke përdorur tabletë gjë që siguron cilësinë dhe besueshmërinë e informatave të mbledhura në terren. Ekipet kanë vizituar të gjitha zonat e përzgjedhura të numërimit dhe i intervistuar rreth 8,000 familje, mblodhën mostrat e ujit nga popullsia e përgjithshme dhe komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.