19:30

Përfundoi takimi Borrell-Vuçiq-Hoti

Takimi trepalësh në Bruksel, midis Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përfunduar.

19:12

Takimi Hoti-Vuçiq-Borrell pritet të zgjasë deri në orët e vona

Takimi trepalësh në Bruksel, midis Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të zgjasë deri në orët e vona të së enjtes.

Ai kishte filluar më vonë sesa që planifikohej, teksa i kishin paraprirë takimet ndaraz të Borrellit fillimisht me Hotin, e pastaj edhe me Vuçiqin.

Nga BE-ja është paralajmëruar se krahas çështjeve të paralajmëruara për diskutim, do të flitet edhe për marrëveshjet që janë arritur kohë më parë dhe që nuk janë zbatuar në tërësi, apo nuk janë zbatuar fare.

Nga selia e BE-së insistohet se blloku evropian është lehtësuesi kryesor në dialog, prandaj edhe Borrelli në prononcimin e tij vlerësoi se po e merr në dorë udhëheqjen e dialogut, duke u kërkuar palëve qasje kontruktive.

18:54

Nis takimi Hoti-Vuçiq

Pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell i ka bërë ata bashkë.

“Dialogu Prishtinë-Beograd me nikoqir përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, po zhvillohet tani në Bruksel”, ka bërë të ditur zëdhënësja e Borrellit, Nabila Massrali

17:19

Borrelli përfundon takimin me Hotin, e nis atë me Vuçiqin

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell bashkë me të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të takimit të tyre me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.

Zëdhënësja e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Nabila Massrali ka publikuar një fotografi të Borrellit me Vuçiqin, para se të nisë takimi mes tyre.

“Josep Borrell tani në takim me presidentin ne Serbisë”, ka shkruar ajo.

Takimi i së enjtes në Bruksel është i pari pas më shumë se 20 muajsh, që kur ishte ndërprerë me arsyetimin e Serbisë se nuk mund të ketë dialog me kushte, pasi që Kosova kishte vendosur tarifat prej 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia.

Ata së pari kanë zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, e tani me Vuçiqin. Pas këtyre takimeve, do të zhvillohet një takim i përbashkët në kuadrin e dialogut

Hoti që nga dita e martë ndodhet në Bruksel, ku ka pasur disa takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe një takim me komisarin e fqinjësisë dhe zgjerimit, Oliver Verhelyi. Në ato takime është folur edhe për dialogun me Serbinë, por edhe për angazhimin e BE-së në Kosovë, për asistencën e BE-së në procesin e rimëkëmbjes ekonomike, si dhe në përballjen me pandeminë.

16:16

Borrelli pret diskutime konstruktive

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të enjten se pret një qasje pragmatike dhe frymë kompromisi në takimin e sotëm mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndihmuar nga BE-ja.

Borrell, bashkë me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, janë nikoqirë të takimit që ka nisur në Bruksel.

“Jam shumë i lumtur që po ju drejtohem vetëm katër ditë pas takimit të nivelit të lartë Prishtinë-Beograd. Takimi i së dielës ishte i pari pas një pushimi prej 20 muajve. Një kohë e gjatë. Jam i lumtur që po shoh se BE-ja është kthyer në udhëheqje të procesit. Presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Kosovës janë sot këtu me ne në Bruksel për takimin e parë me prani fizike. Duke u takuar për herë të dytë brenda javës, dy liderët tregojnë përkushtimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Këtë e mirëpres jashtë mase. Sot pres një takim konstruktiv, si elementi i parë i bisedimeve, që do të kontribuojë në normalizimin gjithëpërfshirës mes Kosovës dhe Serbisë. I inkurajoj të dyja palët që t’u qasen bisedimeve të sotme në frymën e kompromisit dhe pragmatizmit, dhe me mendjen tek e ardhmja evropiane për popujt e tyre”, ka thënë Borrelli, në fjalimin para fillimit të takimit.

Takimi i së enjtes në Bruksel është i pari pas më shumë se 20 muajsh, që kur ishte ndërprerë me arsyetimin e Serbisë se nuk mund të ketë dialog me kushte, pasi që Kosova kishte vendosur tarifat prej 100 për qind për importin e mallrave nga Serbia.