16:35

Basha siguron Kurtin se janë krah Kosovës në të gjitha temat

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë është takuar edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Siç ka bërë të ditur përmes një njoftimi për media, në takim është diskutuar për zhvillimet ekonomike, politike dhe rajonale.

“U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t'u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë”, ka njoftuar ai.

Siç thuhet në komunikatë, të dy liderët janë pajtuar se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër.

“E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t'i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj”, ka thënë ai.

Siç bëhet e ditur, Basha ka theksuar rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Basha ka takuar edhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.

"Prita sot në takim vëllazëror kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, me të cilin diskutuam për zhvillimet politike në të dyja vendet dhe temat e interesit kombëtar. Vlerësuam se faktori shqiptar në tërë rajonin tonë po fuqizohet vazhdimisht, dhe se implementimi sa më i shpejtë i marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë, përpos impaktit të madh në zhvillim ekonomik do t'i shërbenin forcimit të lidhjes sonë të pashkëputshme.Të dyja vendet do të vazhdojnë së bashku në rrugën euroatlantike, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", ka shkruar Haradinaj në Facebook.

16:15

Osmani: Në Shqipëri duhet të kundërshtohet ideja e shkëmbimit të territoreve

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka kërkuar bashkërendim më të madh ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shumë tema.

Kryeparlamentarja Osmani pas takimit me liderin e PD-së, Lulzim Basha përmes një konferencë të përbashkët për medie tha se është e nevojshme që çdokush në Shqipëri të flasë kundër ideve për shkëmbim territoresh.

“Është e domosdoshme që Kosova dhe Shqipëria të bashkërendojnë raportet ndërmjet dy vendeve, e veçmas në ekonomi dhe politikë të jashtme. Është e nevojshme që çdokush në Shqipëri të flasë kundër ideve për shkëmbim territoresh”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari Basha tha se dialogu me Serbinë duhet të jetë rruga për të ecur përpara, por me qëllimin e njohjes reciproke.

12:52

Thaçi në takim me Bashën: Jetike që dialogu Kosovë-Serbi të ketë konsensus

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se e rëndësishme për të është që dialogu Kosovë-Serbi të ketë konsensus. Gjatë takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashën ai e ka quajtur “jetike” çështjen e konsensusit.

“Kënaqësi e veçantë ta takoj mikun tim të vjetër. Sot diskutuam për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri, për mundësitë e bashkëpunimit edhe më të mirë. Destinacion edhe i Kosovës është të hyjmë sa më shpejt në NATO e në BE. Është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë për perspektivë evropiane. Diskutuam edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Për neve është jetike që të kemi konsensus institucional në Kosovë, është jetike që të jetë i koordinuar edhe mes Washingtonit dhe Brukselit. Ai duhet të përmbyllet jo në aspekt teknik, por për njohje reciproke”, ka thënë ai.

E Basha presidentit të Kosovës ia ka shprehur përkrahjen për “qëndrimet konsekuente”.

“Shpreha mbështetjen time për qëndrimet konsekuente si kre i shtetit në mbështetje të dialogut, në mbështetje të kohezionit të forcave politike në Kosovë. Kam theksuar bindjen dhe besimin se bashkërendimi i plotë mes SHBA-së dhe BE-së ka qenë dhe mbetet parakusht për sukses”, ka thënë ai.

11:57

Basha përgëzon Hotin për “lidershipin” në rinisjen e dialogut

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha e ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, për lidershipin që ka thënë se e ka treguar në rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Kjo ka qenë një nga tri çështjet që ai thotë se janë trajtuar gjatë takimit të tyre, të hënën.

“E dyta për rinisjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Dua t’ju falënderoj për lidershipin tuaj në rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi, në shinat në të cilat dialog u konceptua”, ka thënë Basha, teksa e ka ofruar përkrahjen e partisë së tij për dialogun që ka një përfundim: “Njohjen reciproke”.

Basha në konferencën pas takimit me Hotin ka thënë se vizita e tij është “paksa e vonuar” dhe se ndodhet në Kosovë për t’iu dhënë përkrahjen autoriteteve dhe qytetarëve.

“Po ndjekim me shqetësim përparimin e pandemisë. Jam i inkurajuaj për paketën që ju keni njoftuar për t’iu dalur në ndihmë qytetarëve. Me paketën ekonomike që ju keni njoftuar, në raport me prodhimin bruto, ju viheni në krye të vendeve të rajonit dhe përbëni shembull edhe për Shqipërinë”, ka thënë ai.

Basha njëkohësisht ka dhënë edhe një premtim.
“Një ndër vendimet e para si kryeministër i zgjedhur në zgjedhjet e ardhshme do të jetë heqja e taksës në Rrugën e Kombit. Ju siguroj që është qëllimi i PD të rikthejmë atë lloj bashkërendimi me Kosovën që e kemi gëzuar në vitin 2007 e 2008”, ka thënë ai.

Hoti ndërkaq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve e ka përsëritur se s’ka dialog teknik.

“Dialogu është vetëm politik për njohje reciproke. Të enjten do të jetë një takim tjetër në Bruksel, u do të marrë pjesë koordinatori nacional, që do ta emëroj së shpejti. Sot i kam dorëzuar ftesat për forumin e liderëve… Dialog teknik nuk ka, por njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, ka thënë ai.

10:56

Hoti pret Bashën

Lideri i Partisë Demoktratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, është pritur nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Takimi i tyre siç është paralajmëruar ka nisur në ora 11:00. Pas takimit pritet të ketë konferencë për media.

Pos me Hotin, Basha, pritet të takohet me presidentin Hashim Thaçi, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj, atë të NISMA-s Fatmir Limaj.

Po ashtu do të ketë takime me drejtuesit e LDK-së dhe PDK-së.

Image