21:09

Haziri për shkarkimin e Osmanit: Ajo duhet të tregojë durim politik, Mustafa ishte tolerant

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur edhe për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozitat në LDK.

Ai ka thënë se Osmani është dashur të tregojë durim politik, pasi sipas tij, guxim ka treguar edhe më herët.

Haziri ka shtuar se shkarkimi i saj erdhi pasi kishte votuar kundër shumicës në LDK, e që sipas tij ishte kundër statutit.

“Nëse flitet për guxim politik, Vjosa e ka dëshmuar vetën më herët se tash. Tash është koha që me tregu durim politik e që është një nga vlerat e LDK-së. Isa Mustafa është treguar tolerant jo vetëm për mendim ndryshe e debat ndryshe deri në votim, por ka paralajmëruar para disa kohe që mendimi dhe debati ndryshe do të jenë vlerë politike në LDK, por në momentin që votohet, nuk lejon veprime kundër që është dallim i madh, veprime kundër vendimit të shumicës dhe e ka mbajt fjalën e tij”, ka thënë ai.

21:03

Haziri: Kurti prishi raportet me SHBA-në, u fokusua tek BE-ja

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ish-kryeministri Albin Kurti prishi raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u fokusua te Bashkimi Evropian.

Ai në DESKU-n e KTV-së ka thënë se riparimi i marrëdhënieve me BE-në, la anash raportet me SHBA-në dhe filloi distancimi me emisarin për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenellin.

“Riparimi i këtyre marrëveshjeve dhe këtij dëmi shumë shpejtë me evropianët në veçanti, i la anash dhe filloi një distancimi me emisarin Grenell. Kjo është e vërteta e madhe. Duke qenë një nga njerëzit që nga brenda ka punuar për ndërtimin e këtij uniteti politik jam munduar ta ruaj këtë raport deri në fund”, ka thënë ai.

Sipas tij, Grenell erdhi me ofertë ekonomike, për të cilën thotë se ka pasur parashikim ekonomik dhe masa ekonomike të planifikuara.

21:00

Haziri flet për dështimin e koalicionit me Vetëvendosjen

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur edhe për dështimin e koalicionit VV-LDK.

Ai ka thënë se në zgjedhjet e 6 tetorit nuk kishte një fitues të madh, pasi sipas tij, të dyja partitë ishin fituese.

Haziri ka shtuar se koalicioni është prishur për shkak të raporteve me emisarin për dialog Richard Grenell.

“Mendoj që hapi i madh i marrëveshjes së Kurtit me Mustafën ka qenë falë zgjuarsisë dhe vullnetit politik të të dyja palëve që të lëshojnë pe dhe të ndërtojnë një qeverisje me stabilitet politik. Ky hap i madh i përbashkët rezultoi me dy hapa të Kurtit të njëanshëm. Nuk është vetëm shkarkimi nga frika që ministri i Punëve të Brendshme bëhet i padëgjueshëm në kabinet dhe do të punojë të ndërtojë koncept të situatave të jashtëzakonshme të bashkëpunimit me presidentin ose edhe me kryetarin e LDK-së më shumë se me kryeministrin, por është pasojë edhe e raporteve me emisarin për dialog Richard Grenell”, ka thënë ai.

Ai thotë se pas kalimit të hendekut të mosbesimit, ai kishte besuar që kishte kaluar rubikoni i shumëpritur nga të gjithë.

“Ka 4 muaj të negociatave për një qeveri të shpresës dhe dy vjet përpjekje për bashkëpunim në opozitë. Besova shumë që e tejkaluam hendekun e mosbesimit dhe e kaluam rubikonin e shumëpritur dhe të kërkuar nga dy subjekte rivale politike, por partia e parë në Kosovë dhe partia më e re arritën që së bashku me i fitu zgjedhjet, u krijua sinergji pozitive dhe opozita e riktheu rezultatin në favor të saj. Nuk ka pasur një fitues të madh, kemi qenë dy fitues të mëdhenj, ose fitues i vogël ka qenë Vetëvendosja”, ka thënë ai.

20:47

Haziri: Sot me dalë në zgjedhje rezultati do të jetë i njëjtë

I pari i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, beson se që nëse mbahen zgjedhjet, rezultatet do të jenë përafërsisht të njëjta si ato të 6 tetorit.

Dallim, sipas tij, bënë rasti i PDK-së kryetari i së cilës “është i kërcënuar nga një akuzë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara”.

“Unë jam njëri prej atyre që besoj shumë, që sot me dalë në zgjedhje, rezultati është pak a shumë i njëjtë. Heq një solidaritet qytetarë dhe mobilizim të votës të subjekteve politike që ndihen natyrshëm të kërcënuar nga aktakuza. PDK-ja si parti e cila tash e ka kryetarin e saj nën kërcënim të një aktakuze me apo pa të drejtë nuk është detyrë e imja me e determinu”, ka thënë ai.

Duke folur për aktakuzën, ai ka thënë se pastërtia e luftës në Kosovë do të lahet me drejtësi.

“Unë jam një nga ata që besoj që pastërtia e luftës do të lahet me drejtësi herët apo vonë dhe kjo nuk lidhet me emër të përvetshëm. Në rastin tonë para drejtësisë po nxjerrët një proces me një individ të caktuar, ashtu siç po potencon gjykata, por nëse sheh brendësinë atëherë po del një ekip. Është hera e tretë që po provohet me u vendosë drejtësia në Kosovë dhe shpresojmë që po mbyllet”, ka thënë ai.

20:40

Haziri: Pretendimet e Speciales ndaj Thaçit e Veselit e vështirësojnë unitetin në dialogun politik

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, vlerëson se aktakuza e Speciales ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe të parit të PDK-së, Kadri Veseli, ka mjegulluar situatën politike.

Sipas tij, kjo aktakuzë ka komplikuar ndërtimin e unitetit dhe solidaritetit politik, për të cilat thotë se në Kosovë janë duke munguar.

“Nëse ja shtojmë pretendimet e Prokurorisë të Dhomave të Specializuara ndaj presidentit të Republikës dhe kryetarit të PDK-së është situatë edhe më e mjegulluar politikisht në kuptimin e ndërtimit të unitetit dhe solidaritetit politik sepse po mungojnë të dyja”, ka thënë ai.

Haziri tutje shton se në vend vazhdon ende të mbetet solidariteti qytetarë, të cilët sipas tij, janë duke mbrojtur kauzat.

“Solidariteti qytetarë është më i madh se sa ai politik. Nëse flasim edhe nga përvoja edhe pritjet atëherë shihet se ekziston një solidaritet qytetarë në mbrojtjen e kauzës dhe kryengritjes së armatosur dhe eksponentëve që tash po pritet me iu konfirmu aktakuza”, ka thënë ai.

20:19

Haziri kundër masave të ndërmarra nga Qeveria Hoti

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur kundër disa masave të ndërmarra nga Qeveria Hoti për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit.

Ai ka thënë se disa nga vendimet janë vendosur nën ndikimin e panikut.

Haziri në DESKU-n e KTV-së ka shtuar se nëse burimi i infeksionit del në një shkollë, nuk duhet të mbyllet i gjithë sistemi arsimor.

Ndërkaq rritja e numrit të rasteve me COVID-19, Haziri thotë se erdhi pas ndryshimit të sistemit të testimit.

“Rritja e numrit erdhi pas ndryshimit të testimit. Nuk u arrit me iu shpjegu publikut që tani nuk marrin mostra të kontakteve sepse më herët i kemi pasur 100 mostra pa simptoma dhe probabiliteti i testeve negative ka qenë 10 për qind i atyre që kanë pasur simptoma. Ndërkaq tash është ndërruar politika dhe me rekomandim të OBSH-së merren vetëm testet e atyre që kanë simptoma dhe probabiliteti i testeve është 50-60 për qind çdo ditë. Katër ditët e fundit ka rënë numri dhe po pritet që në javën e ardhshme pritet të mbyllet burimi i infeksionit”, ka thënë ai.

Ai thotë se problem mbeten qytetarët në komuna e lagje të cilët janë të infektuar porse nuk kanë simptoma dhe ende vazhdojnë të lëvizin lirshëm.

“Problemi është në komuna dhe lagje e komuna që ende ka qytetarë me infeksion por nuk kanë simptoma dhe janë bomba në ecje dhe institucionet nuk kanë burim apo nuk kanë informacione për burimin e infeksionit. Kjo është problemi, duhet me u gjet burimi i infeksionit. Mbyllja e kopshteve nuk është burim i infeksionit”, ka thënë ai.

20:05

Haziri: Moskoordinimi i liderëve ndikoi në menaxhimin e pandemisë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, vlerëson se ka pasur moskoordinim mes liderëve politikë e institucional dhe kjo ka bërë që pandemia të mos menaxhohet në mënyrën më të mirë.

Ai, i ftuar në emisionin “Desku” në KTV, ka vënë theksin tek ish-kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Hashim Thaçi.

“Përvoja e moskomunikimit apo konflikti institucional mes kryeministrit dhe presidentit në pandemi dhe për masat ndaj pandemisë, ishte burim u vështirësive për menaxhim në terren. Dolën disa qëndrime kundërshtuese në masa, zaten e bënë pandemik edhe politikën, për të mos thënë anemik në reagim. Veprimi politik që kryeministri në detyrë Albin Kurti ndërmori ishte largimi i të drejtës se tij si kryeministër për koordinim dhe delegoi i detyrat të ministri i Shëndetësisë Arben Vitia për gjithë procesin me pademinë, si vendimmarrjen, masat e përgjegjësinë në mënyrë që me e distancu rolin e tij si kryeministër nga efekti i pandemisë për shkak të Gjykatës Kushtetuese edhe eventualisht pritjeve, meqë u bë rast për Kushtetuese”, ka thënë Haziri.