3 perditesime
23:56

Kusari: Procesi i tretë për zgjedhjen e Komisionerit për Informim, larg politikës

Aktivistja Flutura Kusari ka thënë se është hera e tretë që po provohet të zgjidhet komisionari për privatësi dhe informim.

Ajo thotë se kjo pozitë është shumë e rëndësishme dhe personi që do emërohet do të ketë fuqi të madhe sa i përket transparencës së institucioneve.

“Komisionari ka me pas kompetencën që të vendosë se çfarë dokumenti është publik dhe çfarë jo. Ai ose ajo ka me i gjobitë institucionet nëse nuk e dëgjojnë se kur me dhënë një dokument. Një proces është ndalu sepse asnjë nga kandidatët nuk e ka merituar këtë pozicion. Hera e dytë ka qenë një kandidate që e ka merituar por është ndaluar për arsye politike”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se edhe këtë herë janë disa organizata që po e monitorojnë këtë proces.

Kusari thotë se i kanë dekurajuar disa persona politikë që të aplikojnë për këtë pozitë.

23:54

Kusari: Kelkos me padi po tenton t’i frikësojë aktivistët

Aktivistja Flutura Kusari ka thënë se Kompania Kelkos me padi po tenton t’i frikësojë aktivistët.

Sipas saj, për rastin janë informuar nga Shpresa Loshaj udhëheqëse e organizatës “Pishtarët”.

Kusari thotë se avokati Arianit Koci dhe Granit Vokshi kanë dërguar paralajmërim për padi te Loshaj për shkak të një reagimi ende pa u publikuar.

“Ishte e qartë se reagimi ishte normal që përgatitet nga organizatat e shoqërisë civile. Ky është një proces standard që shoqërinë civile e ka përcjellë që 20 vjet. Nuk ka pasur raste që avokatët dhe një kompani e fuqishme është organizuar në atë mënyrë që jo vetëm t’i frikësoj pishtarët me padi ligjore, por kërcënimi është shtrirë edhe tek të gjithë të tjerët që kanë qenë të kopjuar”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se Kelkos me avokatët e saj po tenton t’i frikësojë aktivistët me padi ligjore.

Kusari thotë se për Gacaferi është aktivist i vetmuar dhe një gjë e tillë është e vështirë.

“Dy javët e fundit për të kanë qenë punë me orar të plotë se si me u përgjigj”, ka thënë ajo.

23:49

Kusari: Kur një çështje është me interes publik gëzon mbrojtje më të madhe

Aktivistja dhe juristja Flutra Kusari ka thënë se ndonjë fjalë apo fjali mund të shokojë, siç mund të ketë ndodhur me statusin e Adriatik Gacaferrit për rastin e Kelkosit me hidrocentralet në Deçan, por kur kjo thuhet në interes të publikut, atëherë gëzon mbrojtje më të mëdha.

Ajo e ftuar në Interaktiv të KTV-së tha se kauza e Gacaferrit ka të bëjë me interesin e përgjithshëm për ruajtjen e natyrës dhe ujërave.

“Arsye ligjore pse Adriatiku ka mundur me postu këtë fotografi dhe këtë status është e drejta e lirisë së shprehjes, është e drejtë themelore e garantuar me Kushtetutë. Kjo e drejtë e lirisë së shprehjes na jep mundësinë me u shpreh se çka mendojmë, sidomos ajo që është me interes për publikun”, tha ajo.

Kelkos ka paditur Gacaferrin për fotot dhe gjuhën e përdorur në postimin e tij kundër kësaj kompanie, ku është përdorur edhe fjala gjenocid.

Kusari si juriste së bashku me Gafacerrin sot u paraqitën para Gjykatës.

“Ajo çfarë kemi argumentuar para Gjykatës, është se deklarata e Adriatikut është një çështje me interes publik, nuk është çështje që i intereson vetëm Adriatikut, familjes apo shokëve të tij, por është çështje që prek banorët e Deçanit, kemi bujq në Deçan që po ankohen se nuk mund të mbjellin dhe të kenë të korrura për shkak të mungesës së ujit. Pra është çështje me interes publik dhe kur një çështje është e tillë, gëzon mbrojtje më të madhe”, ka thënë Kusari.

Ajo shtoi se gjykatësin është munduar ta bindë që këtë çështje ta trajtojë nga perspektiva e standardeve të Këshillit të Evropës dhe Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut.

“Kemi argumentuar se ndoshta fjala gjenocid, siç është referuar Adriatiku mund të jetë tronditëse për Kelkosin, por Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut e ka bërë të qartë në shumë raste se edhe kur një deklaratë mund të shokojë një pjesë të publikut, por kur është në interes të publikut është e drejtë të thuhet. Pastaj kemi ofruar një varg të dëshmive e provave për pjesën e parë të statusit të Adriatikut se Kelkosi po i shkel marrëveshjet”, ka thënë ajo.

23:39

Kusari: Kelkos kërkon nga aktivisti Gacaferi 10 mijë euro dhe të demantojë vetën

Aktivistja Flutura Kusari ka thënë se Kompania Kelkos i ka kërkuar aktivistit Adriatik Gacaferi 10.000 euro dëmshpërblim për një postim të tij në Facebook lidhur me hidrocentralin “Lumbardhi 2”.

Përveç dëmshpërblimit, ajo thotë se nga Gacaferi është kërkuar që ta fshijë statusin dhe ta demantojë vetën.

Kusari tutje në Interaktiv të KTV-së ka thënë se i njëjti është aktivist që jeton në Deçan dhe ka parë që kompania në fjalë po shfrytëzonte më shumë ujë sesa që ishte e paraparë.

“Bëhet fjalë për një padi për shpifje që është bërë ndaj aktivistit Adriatik Gacaferi i cili është aktivist që jeton në Deçan. Ai përveç që punon si udhërrëfyes dhe ciceron është i interesuar në mbrojtjen e ambientit. Këto vitet e fundit i ka përcjellë zhvillimet që po ndodhin në Deçan dhe në fokus të veçantë hidrocentralet. Adriatiku ka pa që kompania Kelkos e cila merret me ndërtimin dhe menaxhimin e hidrocentraleve në Deçan është duke shfrytëzuar më shumë ujë sesa që është paraparë dhe ky ka filluar ta dokumentojë këtë. Sa herë që ka dalë në terren, ka bërë fotografi dhe ka postuar në Facebook”, ka thënë ajo.

Sipas saj, statusi dhe fotografia e tij janë arsyeja pse kompania ka bërë padi për shpifje të cilët pretendojnë që iu është dëmtuar reputacioni nga statusi i Gacaferit.