12:28

Hoti nga vetizolimi shpalos dy prioritetet e Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se dy prioritetet e Qeverisë së Kosovës janë lufta kundër pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike.

Ai ka thënë se pavarësisht zhvillimeve, dinamika e punës së Qeverisë nuk do të ndikohet. Pos kësaj ai ka thënë se Kosova po shihet si faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë, për shkak të qasjes konstruktive, të matur dhe të koordinuar me partnerët sa i përket dialogut.

“Qeveria mbetet e fokusuar në dy prioritetet e saj, lufta kundër COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike. Pavarësisht zhvillimeve, dinamika e punës së Qeverisë nuk do të ndikohet.

1. LUFTA KUNDER COVID-19: Sot mbahet mbledhja e Komitetit ku diskutohen detyrat e secilit institucion në kuadër të Planit të Reagimit Kombëtar, që ka për qëllim bashkërendimin e punës të të gjitha institucioneve të përfshira në menaxhimin e pandemisë. Ministri i Shëndetësisë dhe Drejtori i SHSKUK-së janë duke u angazhuar me të gjitha kapacitetet për krijimin e shtretërve shtesë për rastet që mund të paraqiten. Po punojmë edhe me donatorë dhe vende mike për të krijuar këto kapacitete sa më parë, përfshirë edhe kapacitetet testuese shtesë. Së shpejti licencohen spitalet-laboratoret private për të kryer testime. Mbikëqyrja e zbatimit të masave do të vazhdojë pa pardon.

2. RIMEKEMBJA EKONOMIKE: Ministrat e resorëve ekonomike kanë marrë detyrat për të bërë përgatitjet për zbatim të masave për ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve. Sapo të hynë në fuqi ligji i buxhetit do të nisim pagesat e mbetura përgjysmë. Presim që Kuvendi ta miratojë këtë javë edhe ligjin për rimëkëmbje ekonomike, për të hapur rrugë për zbatim të të gjithë pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Krahas këtyre, Kosova po shihet si faktor stabiliteti më rajon dhe më gjerë për shkak të qasjes konstruktive, të matur dhe të koordinuar me miqtë tanë sa i përket dialogut, marrëdhënieve regjionale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Kryeministri Hoti është në vetizolim pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19.

11:37

Hoti do të punojë nga shtëpia, agjenda e Qeverisë “nuk ndikohet”

Testimi pozitiv i kryeministrit Avdullah Hoti nuk do të ndikojë në agjendën e punës së Qeverisë së Kosovës.

Nga Kryeministria është njoftuar se kryeministri do të vazhdojë të punojë nga shtëpia, online dhe do të koordinojë punën në konsultim me zëvendëskryeministrat. Po ashtu nga Kryeministria është njoftuar se Hoti është testuar me sugjerim të mjekëve dje pasdite dhe menjëherë pasi ka marrë rezultatin ai është vetizoluar.

Po ashtu është thënë se stafi i zyrës së Kryeministrit do t’i përmbahet protokolleve të IKSHP-së. “Kryeministri Avdullah Hoti, me sugjerim të mjekëve, dje pasdite e ka bërë testin për COVID-19. Porsa ka marrë rezultatin, ai është vetizoluar dhe do të vazhdojë t’i kryejë obligimet e tij nga shtëpia, online. Ndërsa, stafi i zyrës së Kryeministrit do t’u përmbahet protokolleve të sugjeruara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Ndërkohë, agjenda e punës së Qeverisë së Kosovës nuk do të ndikohet. Kryeministri Hoti do ta koordinojë punën nga shtëpia në konsultim me zëvendëskryeminitrat”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë. Shërim të shpejtë i kanë uruar kryeministrit të Kosovës, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

08:52

Hoti u përgjigjet kritikave: U testova të dielën pasdite, menjëherë u izolova

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar pas kritikave se ai ka thyer protokollet, duke thënë se ai ishte testuar të dielen pasdite dhe menjëherë ishte izoluar.

Ai ka treguar se nuk është që ka pasur ndonjë simptomë, përpos një kolle të lehtë të dielen, për ç’shkak bashkëpunëtorët e rekomanduan të testohej.

“Testimin e kam bere te dielen rreth ores 16. Ne momentin qe jam testuar, jam izoluar ne pritje te rezultatit, pasi keshtu eshte protokolli i rekomanduar nga mjeket. Sapo e kam marre rezultatin, e kam bere publik. Kushdo qe deklaron ndryshe nuk e thote te verteten”, ka shkruar ai në Facebook.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, të hënën në mëngjes kishte thënë se shpreson që Hoti të shërohet shpejt dhe i shëruar të largohet nga posti që e ka. Ajo po ashtu e ka kritikuar Hotin se nuk ka respektuar protokollin, pasi që ai ka dalë në terren, ndonëse është testuar.

Ajo ka thënë se me këto vizita ka rrezikuar bashkëpunëtorët dhe qytetarët e vendit.