23:00

Haxhiu: Keqpërdorim i logos së IKSHPK-së

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për reagimin e bërë pak orë më herët, e ku i doli në mbrojtje kryeministrit Avdullah Hoti, i cili së fundi ka rezultuar pozitiv në koronavirus.

“Keqpërdorimi i logos së IKSHPK-së për interesa të Mustafës e Hotit është i papranueshëm dhe cenon rëndë besimin e madh që qytetarët kanë krijuar ndaj këtij institucioni sidomos gjatë kësaj periudhe të përballjes me pandeminë. Kjo nuk është dashur të lejohet assesi. Mustafa e Hoti mund ta vazhdojnë fjalorin e ulët nga llogaritë e tyre, por jo nga IKSHPK-ja”, ka shkruar zyrtarja e VV-së, Haxhiu, në Facebook.

22:05

IKSHPK-ja reagon për rastin e kryeministrit, nuk shpjegon çështjen e ngritur nga opinioni

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i ka dalë në mbrojtje kryeministrit Avdullah Hoti, i cili u kritikua sot, pasi u testua vetëm pas një kolle të lehtë dhe se e mori testin për COVID-19 pas pak orësh.

Hoti u kritikua për mosrespektim të protokollit të IKSHPK-së, ndërkohë që shumë qytetarë janë ankuar se me gjithë simptomat e rënda të COVID-19 nuk po testohen, e disa të tjerë se rezultatet po i marrin pas disa ditësh.

IKSHPK-ja nuk ka sqaruar këto kritika, as për testimin pas një kolle të lehtë, e as për shpejtësinë e rezultatit që ka marrë kryeministri.

Hoti ka dal pozitiv.

“Sot janë përhapur lajme të pa baza për mosrespektim të rekomandimeve të IKSHPK, ku të jep përshtypje se njerëz të caktuar, përfshirë edhe instancat e larta te shtetit nuk paskan të drejtë të infektohen. Me respekt ju përkujtojmë që virusi nuk zgjedh as moshë as racë as gjini e as shtresa shoqërore. Virusi është kudo dhe nuk e zgjedh askënd. Gjithkush ka të drejtë të infektohet. Ju lutemi të mos përhapen dezinformata kuturu. Qytetarët tanë nuk e meritojnë të bëhet presion psikologjik por tu ndihmohet ta tejkalojmë sa më lehtë këtë pandemi që po na rrezikon të gjithëve. Kontributi i të gjithëve është i mirëseardhur duke zbatuar rekomandimet e Institutit Kombëtar dhe duke bartur maskën si mjet parandalues obligativ. Ju lutemi për vetëpërmbajte sepse virusi nuk njeh politikë as funksion politik as fe as etni. Ju themi me kompetencë të plotë se Kryeministri e ka lajmëruar opinionin në kohë rekorde posa e ka marr informatën për SARS CoV-2”, thuhet ndër të tjera në reagimin e IKSHPK-së.

Në mbrojtje të kryeministrit ka dalë edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa.