23:53

Bytyçi për mundësinë e zhbërjes së Speciales: Nuk ka diçka konkrete, është realitet

Deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyçi, nuk beson se ka diçka konkrete rreth zhbërjes së Gjykatës Speciale.

Ai thotë se këto zëra janë më shumë të individëve apo raportime të mediave.

"Nuk mendoj se ka diçka konkrete, Unë nuk kam pa, ndoshta më shumë janë raportime të mediave, të individëve, apo diçka tjetër", ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka folur edhe për kundërshtimin që kësaj Gjykate ia kanë bërë anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Ka thënë se është e drejtë e tyre dhe se kundër Gjykatës ishte edhe vetë ai, kur u formua ajo.

"Anëtarët e OVL UCK-së kanë qenë kundër të formohet kjo Gjykatë. Ata organizuan edhe protesta, është krejtësisht e natyrshme që të kërkojnë edhe shfuqizimin e kësaj Gjykate. Në fakt, unë edhe pse jam deputet i PDK-së, në kohën kur kjo Gjykatë u formua, isha kundër me mundësitë e mia, më një shkrim, me një postim me diçka tjetër, por rrethanat politike ishin krijuar të tilla dhe tashmë kjo Gjykatë është realitet", ka thënë ai.

Bytyçi pret që Specialja ta kryejë punën me ndershmëri dhe që të ushtarët e akuzuar të shpallën të pafajshëm.

"Ne si parti presim që kjo Gjykatë ta kryejë punën e saj me ndershmëri dhe sipas rregullave e ligjeve që janë të përcaktuara. Ne besojmë në pafajësinë e të gjithë ushtarëve të UÇK-së. Ne besojmë në pafajësinë edhe të presidentit e të zotëri Veselit dhe të gjithë atyre që janë kontaktuar apo janë marrë në pyetje nga Gjykata Speciale", ka thënë ai.

23:49

Bytyçi: Ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës nuk ndërhyn në Kodin Penal

Deputeti i PDK-së, Gazmend Bytyçi, ka mbrojtur projekligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ka shtuar se ai rregullon shumëçka për luftën dhe ata që e bënë atë.

Bytyçi i ftuar në Interaktiv të KTV-së, tha se ky projektligj, nëse arrin të kalojë në Kuvend të bëhet ligj, nuk do të merret me shkeljet që mund të ndodhin.

"Sa i përket çështjeve të dënimeve e sanksionimeve, Kosova ka Kodin Penal. Ky ligj nuk ndërhyn në pjesë të Kodit Penal, nuk cenon asnjë kategori kushtetuese. Ky ligj nuk interferon në çështje të tjera, prandaj askush nuk duhet të ndihet i frikësuar se do të ndodh diçka, ta themi dikush përdor ndonjë term jo të përshtatshëm sa i përket luftës së UÇK-së. UÇK-ja ka luftuar për lirinë e shprehjes, ka luftuar për lirinë e popullit tonë dhe ky ligj është i tillë", ka thënë Bytyçi.

Ai ka folur edhe për akuzat e kritikat e vazhdueshme të veteranëve të luftës ndaj atyre që sot merren me politikë.

"Edhe unë kam qenë ushtar, edhe unë si të tjerët kam ëndërruar një Kosovë më ndryshe, por ndoshta ka qenë kjo pjesë e dëshirave tona, sepse realiteti ka qenë dhe është shumë më i vështirë, shumë më i ashpër se që e kemi menduar", ka shtuar ai.

23:41

Bytyçi nuk e kupton kundërshtimin e SHBA-së për Ligjin për vlerat e UÇK-së

Deputeti i Kosovës, Gazmend Bytyçi, ka thënë se nuk e kupton kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka thënë se ky projektligj nuk cenon lirinë e shprehjes, teksa thekson se për të njëjtin do të pranojnë të gjitha këshillat që do të vijnë nga Ambasada e ShBA-së gjatë leximit të dytë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është ajo e cila ka luftuar për lirinë e shprehjes, është ajo e cila ka luftuar për lirinë e popullit shqiptar. Nuk e kam kuptuar, nuk e kuptoj ende se në cilin nen apo paragraf e cenon lirinë e shprehjes apo frikëson ndonjë grup të qytetarëve të Kosovës. Për mua është ende e pakuptueshme, megjithëse qëndrimi im personal dhe i PDK-së është që ne do të jemi të gatshëm që të pranojmë të gjitha këshillat juridike apo miqësore të Ambasadës Amerikane që mund t'i inkorporojë në leximin e dytë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

“Ky ligj është publik dhe në kuadër të tij janë dokumentacione të tjera, si Zyra Ligjore e Kuvendit të Kosovës, e cila thotë se ky ligj nuk cenon apo i përmbushë të gjitha standardet e ligjeve të Bashkimit Evropian. Prandaj, ne nuk shohim se kemi diçka të ngjashme që mund ta frikësojë një grup apo individ të caktuar. Ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së nuk është ligj që penalizon dikë, frikëson dikë, por ligj që promovon të kaluarën tonë historike si vlerë të veçantë kombëtare”, është shprehur tutje ai.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur kundër ligjit të propozuar për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së. Tani, ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, në një shkrim ekskluziv në Koha Ditore, shpjegon arsyet pse. Kosnett, në shkrimin e tij autorial që publikohet të premten, sqaron se cilat janë problemet me ligjin e propozuar dhe propozon zgjidhjen alternative që do t’i nderonte luftëtarët e UÇK-së, në vend se ta minonte trashëgiminë e saj.

23:34

Bytyçi sqaron projektligjin për vlerat e luftës së UÇK-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Gazmend Bytyçi, në Interaktiv të KTV-së, ka dhënë sqarime për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, që pritet të shqyrtohet të premten në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, ky projektligj përmbyll kornizën ligjore të luftës.

Ai ka bërë të ditur se ky projektligj ka 12 nene. Sipas tij, në projektligj janë të përfshira kategoritë që mbrohen nga ligji, janë obligimet e Qeverisë, është pjesa e muzeut dhe e komplekseve. Bytyçi ka thënë se ky projektligj flet për vlerat e përgjithshme të popullit të Kosovës.

Ai ka thënë se të gjitha partitë në Kuvend janë pajtuar që të bashkëpunojnë për këtë projektligj teksa ka shtuar se Kosova është vonuar me një ligj të tillë.

“Ne si PDK në momentin që e kemi iniciuar kemi thënë që kërkojmë unitet, bashkëpunim me të gjitha partitë politike. Nuk duam që të jetë i PDK-së si ligj, as i Gazmend Bytyçit e as i Kadri Veselit që e ka inicuar, por duam që të jetë një ligj që përfaqëson të gjitha grupet politike dhe grupet e interesit në Republikën e Kosovës. Ne përveç komisioneve funksionale, rekomandimeve e miratimeve edhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale edhe nga vendimi i Qeverisë, dhe nga komisioni funksional i cili ka trajtuar këtë ligj, kemi organizuar një tryezë bashkëbisedimi me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare që i kemi në Kuvend, për partitë politike shqiptare, por edhe të atyre joshumicë siç është grupi 6+. Në këtë takim kemi pasur edhe shoqatat e dala nga lufta, të familjeve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve. Jemi dakorduar se jemi vonuar me këtë ligj. Ky ligj është dashur të nxirret shumë më herët, por jemi ku jemi dhe jemi dakorduar që në leximin e dytë të gjithë të bashkëpunojmë që të bëjmë përmirësimet eventuale”, është shprehur Bytyçi.