18:22

Kuvendi voton në shqyrtim të parë projektligjin për luftimin e koronavirusit

Kuvendi i Kosovës ka votuar për projektligjin që ka të bëjë me luftimin e koronavirusit.

Në sallë ishin 89 deputetë.

Për këtë projektligj votuan 77 deputetë, kundër ishte 1 dhe 1 deputet nuk votoi.

Projektligji kaloi në shqyrtim të parë.

17:11

Kuvendi diskuton rreth projektligjit për luftimin e koronavirusit

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar të premten projektligjin që ka të bëjë me pandeminë e koronavirusit, i cili është propozuar nga gjashtë deputetë, në krye me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Kryeparlamentarja Osmani, si propozuese e projektligjit, ka thënë se ky dokument ka për qëllim të mbrojë shëndetin e qytetarëve në Kosovë.

Ajo ka ftuar deputetët që të votojnë projektligjin në leximin e parë duke thënë se 'ligji nuk është vetëm i deputetëve propozues por i gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës'.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj, nga Aleanca për Ardhmëri e Kosovës, tha se ligji duhet të përkrahet, por atij duhet t'i shtohet edhe neni për përkrahjen e personelit shëndetësor.

Në draft-ligjin e hartuar tashmë, e i cili ka vetëm tetë nene, thuhet se 'ligji ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë'.

Në Kosovë aktualisht lidhur me situatën e pandemisë veprohet në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse. Edhe dënimet në rast të mosrespektimit të vendimeve bazohen po në këtë ligj.

Në Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, nuk ka qenë e paraparë pandemia si COVID -19, rrjedhimisht disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe juristët kanë kërkuar miratimin e një ligji të ri, i cili do të ishte më i përshtatshëm për rrethanat e krijuar me pandeminë.

16:15

Osmani u kërkon deputetëve ta votojnë projektligjin kundër pandemisë

Ka rinisur para pak çastesh seanca në Kuvendin e Kosovës.

Në sallë janë 85 deputetë, dhe në rend të parë është shqyrtimi i projektligjit për parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani në seancën e sotme të Kuvendit duke prezantuar projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid – 19, i kërkoi deputetëve që ta votojnë këtë projektligj dhe të vendosin interesin e qytetarëve para politikave ditore, raporton KOHA.

Ajo theksoi se ky ligj ka mbetur peng i politikave ditore, ndonëse ishte propozuar që nga marsi i këtij viti.

“Për arsye të ndryshme ky ligj është zvarritur që nga marsi, përkundër fakti që ka qenë kërkesë e qartë e Gjykatës Kushtetuese, dhe pastaj që nga prilli kur edhe zyrtarisht është vendosur të procedohet kjo nisme. Deri tani ligji ka mbetur peng i politikave, por shpresoj që tash japim shembull se e vendosim shëndetin para politikave. Ka për qëllim të mbroj shëndetin publik në vend, që të ofroj mundësi për organet e ligjizbatuese që të kryejnë punët e tyre pa e shkelur Kushtetutës dhe ligjet”, tha Osmani.

Ndërkohë në seancën e sotme LDK-ja propozoi shmangie nga të gjitha afatet procedurale, me qëllim që të shqyrtohet në dy leximet projektligji për rimëkëmbjen ekonomike. Mirëpo një nismë e tillë nuk mori përkrahjen e nevojshme.

13:47

Kuvendi në pauzë, seanca vazhdon në orën 15:00

Pas pyetjeve parlamentare, Kuvendi ka hyrë në pauzë deri në orën 15:00.

Nënkryetarja Arbërie Nagavci ka njoftuar se pas pauzës do të vazhdohet me miratimin e rendit të ditës.

12:08

Zemaj deputetëve: Mos e politizoni gjendjen e rëndë me pandeminë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në Kuvendin e Kosovës, duke iu përgjigjur gjithë deputetëve të cilët e kritikuan atë për menaxhim të dobët me pandeminë, kërkoi nga ta që të mos e politizojnë gjendjen e krijuar me koronavirus.

Me këtë rast ai luti deputetët që të mos përdoren vdekjet dhe rritja e numrit të rasteve për qëllime politike.

“Sa i përket vlerësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë, situata është kjo e cila pasqyrohet me transparencë nga MSH dhe IKPSHPK. Ju kisha lut që të reflektoni mbi gjendjen dhe ndërtimin e kauzave politike në përdorim të pandemisë për përballje politike. Ju kërkoj që të na kurseni, pa përdorur vdekjet, rritjen e numrit të rasteve por ne jemi të prirur që të presim rekomandime nga gjithë ju”, është shprehur ai.

Ndër të tjera Zemaj tha se Kosova po përballet me mungesa elementare nëpër institucione shëndetësore, siç janë shtretërit e barnave. Për këtë ka akuzuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës.

Deklarimi i Zemajt erdhi pasi ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tash deputet i PDK-së, deklaroi se me vendimin e Zemajt për shfuqizim të Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave “i ka hapur rrugë krimeve me çmim të barnave”.


Musliu kërkon të ndahen fonde për fëmijët e gruas së vrarë në Kamenicë

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka kritikuar institucionet kosovare se nuk u përkujdesën mjaftueshëm për fëmijët e gruas që dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj në Kamenicë.

“Para dy jave të gjithë ishim dëshmitar të ngjarjes makabre që ndodhi në Kamenicë ku burri privioi nga jeta në mënyrën më brutale bashkëshorten e tij. Ky rast dhe shumë raste të tjera nuk duhet të kalojnë në hije për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën po kalon Kosova me pandeminë. Kërkoj që të jenë të pamëshirshëm ndaj personit që e kreu këtë krim”, tha ajo.

Kësisoj ajo kërkoi që urgjentisht Qeveria e Kosovës të marrë përsipër shpenzimet për fëmijët e së ndjerës, dhe t’iu sigurojë atyre një jetë normale.

11:27

Selimi kritikon Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë

Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka akuzuar Qeverinë Hoti për gjendjen nëpër të cilën po kalon vendi me pandeminë.

Në fjalën e tij, në seancën e re plenare, ai tha se shumëçka mund të fshihet me jotransparencë, por jo edhe humbja e jetës së qytetarëve.

Sipas tij, prej që Qeveria Hoti është në detyrë, që ai e quajti “Qeveri ilegale”, Kosova po shënon rekorde të zeza sa u përket të infektuarve me COVID-19 dhe të vdekurve.

Punëtorët shëndetësorë i quajti ushtarë të braktisur në front.

“Kriza tashmë e ka metastazuar vendin, ka krizë shëndetësore, humanitare e morale. Atë politike nuk po e llogarisë fare”, tha Selimi.

11:15

Nis seanca e re, pritet shqyrtimi i projektligjit për pandeminë dhe për UÇK-në

Ka nisur seanca e re plenare e Kuvendit të Kosovës, me shqyrtimin e projektligjit për pandeminë dhe atë për vlerat e UÇK-së, si pika të rendit të ditës.

Pas këtyre pikave pritet të vazhdohet me zgjedhjen e dy anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e fakulteteve juridike të Republikës se Kosovës, zgjedhjen e Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit, si dhe shqyrtimin e Propozim-Vendimit për caktimin e pagës së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Po ashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë edhe kërkesën e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë për miratimin e Buxhetit të këtij komisioni, si dhe atë të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.