00:25

Bajqinovci: Do të kërkojmë përgjegjësi nga MPB-ja për rastin në Karaçevë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka paralajmëruar se ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, do të ftohet në interpelancë për rastin e hyrjes së xhandarmërisë serbe në territor të Kosovës, ditë më parë.

Në Interaktiv të KTV-së, Bajqinovci e ka quajtur agresion hyrjen e forcave serbe në brendi të fshatit Karaçevë në Kamenicë. Ai ka thënë se MPB-ja e Policia e Kosovës duhet të raportojnë e të japin përgjegjësi për rastin.

“Do të ftojmë ministrin e Brendshëm në interpelancë. Deklarata e tij ishte se kjo ishte një patrullim i zakonshëm. Ku ke parë patrullim të zakonshëm të futet xhandarmëria serbe brenda në Kosovë 500 metra. E të dalë ministri me deklaratë të tillë... Ai s’po vjen në Komisionin për Siguri. Mendoj që Qeveria e Kosovës, ministri i Brendshëm, drejtori i Policisë duhet të japin raport për këtë e të janë përgjegjës për këtë ndërhyrje e të tregojnë pse KFOR-i nuk lejon Policinë e Kosovës të patrullojë në kufirin tonë. Ata qytetarët më kanë thënë se s’do të rrinë më duarkryq e s’do t’i lejojnë më forcat serbe. Aty kishte pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kanë qenë direkt në luftime me ta. Kanë qenë në Kosovë, por edhe pjesë e UÇPMB-së. Personalisht më thanë që më s’do të lejojnë”, është shprehur Bajqinovci.

Sipas tij, deklarimi i Veliut që kjo ishte patrullim rutinor i përbashkët me forcat e KFOR-it, ishte “skandaloz”.

00:19

Bajqinovci: Është hera e parë që xhandarmëria serbe futet hapur në Kosovë

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është hera e parë që xhandarmëria serbe është futur për herë të parë aq hapur dhe aq thellë brenda territorit të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës nuk ka sovranitet mbi atë pjesë. Ajo (video) ka treguar për një agresion ndaj shtetit të Kosovës. Është hera e parë që Serbia futet aq thellë në territorin e Kosovës”, ka thënë Bajqinovci.

Ai ka treguar se menjëherë të nesërmen ka shkuar në Karaçevë ku ka takuar banorët.

23:50

Bajqinovci: Vendi duhet të shkojë në zgjedhje, s’ka pse të flitet për postin e presidentit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Qeveria Hoti duhet të rrëzohet e se në vend s’duhet të ketë tash diskutime për postin e presidentit.

Pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës propozoi kryetarin e saj, Ramush Haradinaj si kandidat për president të ardhshëm, Bajqinovci ka thënë se duke u bazuar në situatën aktuale, të rënduar nga përballja me COVID-19, s’ka pse të flitet për postin e presidentit.

“Kjo qeveri duhet të shkojë. Kosova s’ka kohë për pazare në pandemi. E kanë sjellë vendin buzë katastrofës humanitare. Duhet legjitimitet nga populli e jo karrige nga konjuktura. Kjo qeveri duhet të shkojë. Këta s’e kanë gajlen e pandemisë, por humbjen totale nëse vendi shkon në zgjedhje. Vendi ka hyrë në krizë të thellë. Kemi qindra raste të reja ditore dhe menaxhimi po shihet se është skandaloz. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe s’ka çfarë të flitet për një president”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.