Arbëri

Kompania e dyshuar për vdekjet nga oksiduli fiton tender për boca oksigjeni nga Spitali i Ferizajt

Kompania e dyshuar për vdekjet nga oksiduli fiton tender për boca oksigjeni nga Spitali i Ferizajt

Gati 10 mijë euro është vlera e tenderit me të cilin Spitali i Ferizajt ka shpërblyer kompaninë “Bubeari Komerc” për furnizim me boca të oksigjenit për rastet me koronavirus. Është e njëjta kompani që para dy vjetësh dyshohej se kishte prodhuar jashtëligjshëm gaz mjekësor, që dyshohet se ishte shkaktar i vdekjes për pacientë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Dyshimet e hetuesisë ishin që gazi mjekësor, me të cilin kompania e pati furnizuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ishte shkaktar i vdekje së katër pacientëve në shtator të 2017-s, në QKUK. Pronari i kompanisë, Naser Guri, ishte arrestuar. Inspektorati Shëndetësor me asistencën e Policisë së Kosovës e pati inspektuar këtë kompani. Raporti i tyre pati konstatuar se kjo kompani ilegalisht ka prodhuar gazin mjekësor, gaz i cili është përdorur në spitalet e Kosovës. Atëkohë QKUK-ja pati marrë vendim që t’ia shkëpuste kontratën kësaj kompanie.