Arbëri

Marrëveshjet Kosovë - Shqipëri për hekurudhën dhe hidrocentralin pritet të nënshkruhen në shtator

Foto: Alban Bujari / Koha
Foto: Alban Bujari / Koha
 

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës pritet të mbahet pas mesit të shtatorit në Shkodër, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje të reja mes dy qeverive. Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, e cila bashkë me homologun Erion Braçe është e ngarkuar për përgatitjen e mbledhjes së dy qeverive. Balaj-Halimaj ka thënë se në këtë mbledhje do të nënshkruhen tri marrëveshje të “mëdha”.

“Ne kemi filluar me takime të cilat do ta organizojnë mbledhjen e përbashkët ndërmjet dy qeverive, e cila pritet të mbahet në pjesën e dytë të shtatorit. Javën e kaluar kam pasur takim me Këshillin Organizativ dhe jemi në punë e sipër për t’u koordinuar mes dy qeverive për marrëveshjet e radhës. Janë tri marrëveshje, më të mëdha do t’i quaja, e para është dogana në Durrës, linja hekurudhore dhe hidrocentrali që do të ndërtohet në Republikën e Shqipërisë për Kosovën”, ka thënë zv.kryeministrja e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, shkruan KOHA.