1 perditesime
14:21

Agim Ademi: U vërtetua pafajësia ime

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se me vendimin e Supremes, u vërtetua pafajësia e tij.

Supremja vendosi që të anulojë vendimin e Gjykatës Themelore dhe të Apelit, ku i ishin vërtetuar nëntë muaj burgim për veprën penale të detyrimit në tentativë dhe të kthejë lëndën në rigjykim.

“Me aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, sot u konfirmua pafajësia ime në lidhje me pretendimet e pabazuara të Prokurorisë së Republikës së Kosovës. Me këtë aktgjykim, u konfirmuan shkeljet e shumta në të cilat ishin përfshirë Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit të Kosovës, të cilat padrejtësisht më shpallen fajtor në lidhje me veprën penale që pretendohej nga prokuroria. Që nga fillimi i këtij procesi penal, kam qenë i bindur në pafajësinë time dhe besimin në drejtësi, të cilën e vërtetoi edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, me kthimin e çështjes në rivendosje”, ka thënë Ademi ndër të tjera në një mesazh.

11:45

Supremja kthen në rigjykim çështjen e kreut të FFK-së, Agim Ademi

Gjykata Supreme ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore dhe të Apelit për dënimin e kreut të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.

Ademi është dënuar vitin e shkuar me nëntë muaj burgim efektiv, për veprën penale të detyrimit në tentativë. Bashkë me të ishte dënuar edhe Muharrem Rama me një vit burgim. Edhe lënda e tij është kthyer në rigjykim me vendim të Supremes.

“Aprovohen si të bazuara kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit të të dënuarit M. R. dhe ajo e të dënuarit A.A., kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë - Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 datë 5 korrik 2019 dhe ai i Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 datë 12 shkurt 2020 anulohen, kurse çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”, thuhet në aktgjykimin e Supremes, të bërë të ditur të martën.

E në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet: “Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti i Krimeve të Rënda PKR.nr.51/2014 datë 5 korrik 2019, të pandehurit A.A. e M.R., janë shpall fajtorë për shkak se si bashkekzekutorë, kanë kryer veprën penale detyrimi në tentativë, parashikuar me nenin 267 par.2 lidhur me par.1 dhe nenin 20 e 23 të KPK-së, për të cilën janë gjykuar A.A., me nëntë (9) muaj burgim, kurse M.R., me një (1) vit burgim, në të cilat dënime u është llogaritur dhe koha e kaluar në paraburgim prej 12.09.2012 deri me 2.11.2012”.

Vendimin e Themelores në shkurt të këtij viti e kishte vërtetuar edhe Apeli, por tash Supremja ka kthyer gjithçka në fillim.

“Që nga fillimi është pritur një vendim i tillë për shkak se Gjykata e Apelit për një arsye ose tjetër i ka mbyllur sytë për shkeljet që i ka bërë Shkalla e Parë dhe kjo u korrigjua nga Supremja, e që besoj se është vendim i drejtë, por i vonuar. Çështja është kthyer në pikën zero dhe janë anuluar të dyja gjykimet që nënkupton që duhet nga e para”, ka thënë avokati mbrojtës i Ademit, Besnik Berisha.

I kontaktuar nga KOHA, Ademi e ka mbyllur telefonin.