Arbëri

Zgjerimi i koalicionit qeverisës mund të bëhet nëse konfirmohet aktakuza ndaj Thaçit

 

Një ditë pas takimit ndërmjet liderëve të partive në pushtet, kryetari i Lidhjes Demokratike ka paralajmëruar ndryshime në qeveri, të cilat mund të ndodhin në çdo moment. KOHA kupton se rikonfigurimi i qeverisë synohet të bëhet edhe me zgjerim të koalicionit ose ndryshim të partnerëve në rast se konfirmohet aktakuza e Gjykatës Speciale ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli. Partinë e këtij të fundit, që është e treta në Kuvend për nga numri i deputetëve, LDK-ja e dëshiron në koalicion.

Mustafa ka shkruar të martën në “Facebook” se, proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve. Ai ka thënë se LDK-ja do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike.