3 perditesime
21:39

Shatri: Hashim Thaçi akuzohet se i shkruante komunikatat e dyshimta të UÇK-së

Publicisti Xhafer Shatri ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzohet nga njerëz që kanë qenë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, se shkruante komunikata të dyshimta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në DESKU të KTV-së, ai ka thënë se një nga ato komunikata ka pasur të bëjë me Gani Gecin. “Është gjëja më qesharake më e turpshme që mund ta bëjë dikush dhe ajo nuk do të mund të bëhej dhe nuk do të mund të merrte këto përmasa pa implikimin e drejtpërdrejtë të njerëzve që kanë punuar në organe të shtetit, për fatin tonë të keq. Kësaj do t’i dalë i thjeshtë dhe një prokuror i thjeshtë që është gjysmë penalist, tri ditë me punu dhe shumë njerëz do të përfundojnë në pranga”, ka thënë Shatri.

Ai ka treguar se për cilën komunikatë e ka fjalën.

“Po flas për komunikatën numër 59 përmes së cilës demonizohet Gani Geci, njeri që ka luftuar bashkë me Adem Jasharin dhe me gjithë të tjerët që kanë qenë në Drenicë, me Sylejman Selimin e të tjerët ka luftuar bashkë. Do të thotë demonizohet për shkaqe personale për inate personale si njeri i Serbnisë që ka marrë pjesë në luftë të armatosur kundër UÇK-së. Ka edhe komunikata që janë po aq të rrezikshme, dyshuese dhe të këqija dhe të cilat Hashim Thaçi madje edhe në gjykatë, në gjykimin e Murat Jasharit me të tjerët aty, përpiqet t’ia atribuojë z. Ramabajës. Thotë ato komunikata janë shkruar në ‘Bahnhofe’, por atë e mohon Jakup Krasniqi, Fatmir Limaj, e Rexhep Selimi. Këta njerëz që kanë qenë në Shtabin e Përgjithshëm, qysh o quajt ajo strukturë, e akuzojnë Hashim Thaçin. Lidhet me Gjykatën e Hagës. Për shkak të komunikatës numër 59 janë vrarë 7-8 njerëz. Është vrarë një njeri në Skenderaj para 3-4 vitesh. Nuk është ndalë kjo punë”, ka thënë ai.

20:59

Shatri jep detaje për vrasjen e Ahmet Krasniqit: Kishte sinjale se kjo mund të ndodhë

Publicisti Xhafer Shatri, aktivist shumëvjeçar në diasporë, i njohur edhe si ministër i Informacionit në Qeverinë e Kosovës në ekzil në vitet nëntëdhjetë, ka thënë në DESKU të KTV-së ka thënë rreth vrasjes së Ahmet Krasniqit se ka pasur sinjale se gjëra të tilla mund të ndodhin.

"Por, kurrë nuk do ta besoja se shqiptarët në ato rrethana, në orën më të ligë të Kosovës do ta vrasin njëri-tjetrin. Aq më tepër një kuadër si Ahmet Krasniqi, i cili me mish e shpirt donte t'i bashkonte shqiptarët, për ta formuar një ushtri të mirëfilltë", ka thënë ai.

Shatri ka shtuar se Adem Demaçi pas kësaj vrasjeje është larguar.

"Ka thënë për shkaqe shëndetësore, por realisht është ndier i tradhtuar. Ahmet Krasniqi është vrarë gjithashtu për ta penalizuar Adem Demaçin, që vërtetë nuk e shihte luftën si çështje sektare, të vetëm një grupi individësh që duan ta marrin historinë dhe fatin e Kosovës në duart e veta. Ai e ka parë Kosovën shumë më gjerë", ka vazhduar Shatri.

Shatri po ashtu ka bërë të ditur se pas vrasjes së Krasniqit, në qeverinë e atëhershme është folur nëse duhet lëshuar komunikatë apo jo.

"Iu kam thënë: 'Si guxoni të mos lëshojmë komunikata që është vrarë ministri i Mbrojtjes?'", ka treguar ai, duke shtuar se "në asnjë rrethanë nuk do ta kishte lejuar mosreagimin e qeverisë së atëhershme".

Ai ka zbardhur se kishte dëgjuar që ka pasur të tillë brenda qeverisë që kanë thënë që "kjo punë të lihet kështu".

"Këtë e ka thënë njëri prej njerëzve kryesorë të qeverisë, por unë nuk e kam lejuar një gjë të tillë dhe e kam telefonuar z. Asllan Bajramin që asokohe ka qenë redaktor i redaksisë sonë në televizionin satelitor dhe ai e ka dhënë informatën", ka thënë ai.


 


 

20:56

Shatri: Nga Fondi i 3-përqindëshit për UÇK-në janë ndarë mbi 40 milionë euro

Ish-ministri i Informacionit në Qeverinë në ekzil në vitet ’90, Xhafer Shatri, ka thënë se Fondi i 3-përqindëshit ka qenë financuesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas tij, vetëm nga ky fond për UÇK-në janë ndarë më shumë se 40 milionë marka gjermane.

Duke folur për periudhën sa ai ishte pjesë e Qeverisë Bukoshi, Shatri në Deskun e KOHËS ka komentuar ato që i ka cilësuar përplasje te shqiptarët, si mes qeverisë dhe forcave të UÇK-së, por edhe brenda vetë UÇK-së.

“Qeveria Bukoshi nuk organizoi qëndresën e armatosur kur u pa që ajo pasive u harxhua. Ka pas diskutime. Më kujtohet më 1993 i jam drejtuar kryetarit të Republikës dhe atij të qeverisë me projekt për formim të Ushtrisë, por jo këtu ku të përcjell Serbia e mundet të të arrestojë çdo moment, por përgatitjen e disa formacioneve ushtarake që do të ishin të gatshme në rast nevoje të dilnin të mbronin popullin e vet. E kishim detyrë. Në emër të asaj mblidhnim të holla, organizonim protesta, u thoshim mos pranoni asgjë të Serbisë. Kemi edhe detyrim kushtetues që atyre t’u jepnim shpresë. Ditë më tepër shihej se Serbia e ka në plan të kthente shumicën shqiptare në pakicë e ajo mund të bëhej përmes eksodit. Institucionet e Kosovës s’luajtën rolin që populli e priste prej saj”, ka thënë ai duke e quajtur të vonuar përpjekjen për formimin e “FARK-ut”.

Sipas tij, përçarjet në UÇK janë vënë re nga mosreagimi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së pas vdekjes së komandantit Adem Jashari. Kjo ka thënë se është tema ndër më të rëndësishmet për të cilën duhet të flasin ish-krerë të UÇK-së, duke përmendur Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Fatmir Limajn.

“Përçarjet ishin të mëdha. Njerëzit mendojnë se ishin mes institucioneve dhe grupeve të armatosura të UÇK-së. Ishin mes tyre, por kishte përçarje edhe brenda UÇK-së. Ju kujtoj juve se kur u vra Adem Jashari as Lëvizja Popullore e Kosovës e as shtabi i ashtuquajtur i përgjithshëm i UÇK-së nuk lëshuan një komunikatë të vetme. Kjo flet shumë. Kjo flet se ata njerëz s’e kanë pranuar Adem Jasharin si pjesë të veten, si pjesë të qëndresës së Kosovës, ndërsa e kanë shfrytëzuar sakrificën e tij për të vjelë fonde e për të mobilizuar njerëz për të luftuar. Është e pafalshme. Kemi boshllëqe të mëdha në histori. Mua s’më takon, por kjo është ndër pyetjet më të rëndësishme që duhet t’ia shtrojë Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Fatmir Limajt, atyre që po thirren në emër të UÇK-së. S’ishte vrarë një njeri. Ishin vrarë rreth 60 njerëz. Janë vra fëmijët e tij para syve të tij. U vra për Kosovën. Është e pafalshme”, ka thënë tutje ai.

Në Deskun e KOHËS, Shatri tutje ka thënë se ka kuptuar më vonë se “ka pasur abuzime enorme” në fondet për Kosovën.

“Një pjesë e Qeverisë kemi pas vullnet të jashtëzakonshëm të bashkohen forcat e shqiptarëve përballë Serbisë. Ahmet Krasniqi ka qenë ndër burrat më të mirë të Kosovës. Atdhetar 100 karat. Pavarësisht që e kanë sha, pas marrëveshjes së Oslos, është takuar me Adem Demaçin. I ka besuar deri në fund. Pjesën dërmuese të të hollave ua ka dhënë njerëzve të thirrur në UÇK. Flas për Fondin e 3-përqindëshit. Financuesi kryesor i UÇK-së del ky fond. Mbi 40 milionë marka gjermane u janë dhënë pjesëtarëve të thirrur në emër të shtabit të përgjithshëm të UCK-së nga ministria e Mbrojtjes”, ka shtuar ai.

20:20

Shatri për Marrëveshjen në Washington: Më shumë klimë euforike sesa diçka historike

Xhafer Shatri, aktivist shumëvjeçar në diasporë, i njohur edhe si ministër i Informacionit në Qeverinë e Kosovës në ekzil, në vitet ’90, në emisionin “Desku” në Kohavision foli për situatën aktuale në vend, përfshirë pandeminë e politikën.

Ai tha se “është një kohë pa kohë dhe e çuditshme”, situata me pandeminë COVID-19.

Për Marrëveshjen në Washington, Shatri thotë se më shumë është klimë euforike sesa Marrëveshje historike.

“Më tepër është klimë euforike se diçka historike. Jemi popull i vogël dhe është krejt e natyrshme, se kur Amerika të kërkon të shkosh në një takim ti shkon, por megjithatë, kushdo që na fton duhet të jemi me këmbë në tokë por ta heqim euforinë. Duhet ta dimë se po bisedojmë me Serbinë e të bisedosh me Serbinë nuk është lehtë”, tha ai.

Shatri tha se të bisedosh me Serbinë, është tepër rrënjësore.

“Prej fillimit deri tash shqiptarët e Kosovës nuk kanë ditur të bisedojnë me Serbinë, në çdo negociatë kanë humbur diçka”, tha ai.

Sipas Shatrit, negociatat kanë nisur në një kohë të keqe kur Specialja ka nisur aktakuzat.

“Njeriu nuk duhet ta lidh fatin e vendit me fatin e tij. Po të isha unë në vend të Hashim Thaçit, në atë moment kur përmendet një raport i tillë, të themelohet një gjykatë për këtë çështje, do të largohesha. Është gabimi më fatal që e ka bërë ai, krejt Kosovën e ka bërë peng”, tha ai.

Shatri foli edhe për aktakuzat nga Specialja.

“Ato janë individuale, duhet të përballen me aktakuza. Fati i tyre dhe fati i Kosovës janë dy gjëra të ndryshme, nuk duhet të përzihen”, tha Shatri, duke shtuar se “Thaçi është dashur të japë dorëheqje posa është folur për raportin e Dick Martyt.