1 perditesime
12:36

Likaj: Viti i ri shkollor nis në dy faza

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se fillimi i vitit të ri shkollor do të nisë në dy faza.

“U dakodruam për fillimin e vitit të ri shkollor në dy faza”, ka thënë ai pas takimit të sotëm me institucionet e tjera arsimore.

“Faza e parë fillon më 14 shtator 2020. Me këtë datë mësimin e fillojnë të gjithë fëmijët e klasës parafillore dhe nxënësit e klasave 1,2,3,6,10 në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës. Klasat 4 dhe 5 vijojnë mësimin në shkollë (Sipas skenarit A) ose si mësim i kombinuar (Skenari B mësim në distancë dhe mësim online), varësisht nga kapaciteti i shkollës në përputhje me vlerësimin e task forcës së DKA-së dhe të institucioneve arsimore”, thuhet në vendim.

Kurse faza e dytë nisë më 21 shtator.

“Me këtë datë mësimit i kthehet klasat 7,8,9 të arsimit të mesëm të ulët dhe të klasave 11,12 të arsimit të mesëm të lartë. Forma e mësimit për këto klasa është e kombinuar: nxënësit e vijojnë mësimin dy ditë në javë në objekte shkollore dhe tri ditë në formë të mësimit online dhe në distancë ose një organizim tjetër sipas vlerësimit të menaxherit të shkollës”, thuhet në këtë vendim.

Image

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH), Ramë Likaj gjithashtu është takuar sot me ministrin e Shëndetësisë (MSH), Armend Zemaj.

Në këtë takim është diskutuar për përgatitjen për fillimin e vitit të ri shkollor ku thuhet se të gjitha vendimet do të merren në konsultim mes MASH, MSH dhe IKSHPK si dhe institucioneve tjera relevante.

“Prita në takim Ministrin e Arsimit, prof. Dr. Ramë Likaj, që ishte i shoqëruar edhe nga Zëvendësministri, dr. Xhavit Rexhaj, me të cilët diskutuam për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Fillimi i mësimit të organizohen në mënyrën e duhur në këto rrethana të krijuara nga pandemia COVID-19, të gjitha vendimet e nevojshme do të merren në konsultim me Ministrinë e Shëndetësisë, IKShPK-në, Ministrinë e Arsimit dhe institucionet tjera relevante”, shkruan Zemaj.

Zemaj nëpërmjet një postim në profliln e tij ‘facebook’ shkruan se do t’i marrin të gjitha masat dhe se po bëjnë përgatitjet që procesi mësimor të nis sipas planit të paraparë.

“Do të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta dhe koordinimin ndërinstitucional. Ne po ndërmarrim të gjitha masat dhe po bëjmë përgatitjet e duhura që procesi mësimor të nis sipas planit të paraparë, duke respektuar masat mbrojtëse kundër virusit dhe të gjitha protokollet e sigurisë së shëndetit”, ka shkruar Zemaj.

Ndërkohë, përmes një njoftimi për media Instituti “EdGuard” ka thënë se rikthimi në shkolla do të ketë sukses vetëm nëse institucionet komunikojnë dhe argumentojnë për siguri.

Sipas këtij instituti, zgjatja e vendimit për rikthim në shkolla është kthyer në frikë dhe paqartësi te qytetarët.

“Mundësia që rikthimi të mos prek askënd është vështirë e besueshme mirëpo mundësia e dëmeve tek fëmijëve nga të qenit jashtë shkollës është shumë e qartë, bilanci i rrezikut mes këtyre duhet të jetë argument në favor të kthimit. Është jetike të kuptojmë që asnjë fëmijë nuk mund të humbë më asnjë kohë jashtë shkollës. Dëshmitë që mos prezantimi në shkollë dëmton fëmijët në periudhë afatgjatë janë të mëdha, përtej ngecjeve në mësim nxënie, periudha jashtë shkollës rrit pabarazinë, rrit mundësitë për probleme fizike dhe mentale tek fëmijët. Sistemi jonë arsimor mungon shumë në cilësi dhe barazi, dhe e njëjta tashmë veç është cunguar tutje gjatë kësaj periudhe. Mësimi nga distanca dhe online nuk zëvendësojnë në asnjë moment mësim nxënien në klasë”, thuhet në reagimin e Institutit “EdGuard”.

12:11

Institucionet diskutojnë për fillimin e vitit të ri shkollor

Ka filluar takimi në mes të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, përfaqësuesve të Komunave dhe përfaqësuesve të SBAShKU-t, ku po diskutohet për fillimin e vitit të ri shkollor, transmeton KOHA.

Pas takimit në një konferencë për media do të bëhen të ditura detajet se si do të zhvillohet mësimi.