1 perditesime
19:19

Thaçi: Asociacioni duhet të jetë në përputhshmëri me marrëveshjen e vitit 2013

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të jetë në përputhshmëri me marrëveshjen e vitit 2013.

Ai ka shtuar se çdo agjendë tjetër pos njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është kthim prapa. Ai ka thënë se njohja reciproke është e mundur të arrihet vetëm në Shtëpinë e Bardhë, siç është arritur marrëveshja për normalizimin ekonomik mes dy vendeve.

“Besoj se nëse është arritur normaliteti ekonomik në Washington, atëherë edhe njohja reciproke mund të arrihet vetëm në Shtëpinë e Bardhë. Çdo agjendë qoftë për asociacion, qoftë për prona apo çështje tjera, janë çështje që janë diskutuar nga dy tri herë, dhe për mua është një kthim prapa për Kosovën, është agjendë e Serbisë. Asociacioni duhet të jetë në përputhshmëri me marrëveshjen e vitit 2013 dhe të gjithë mandatin dhe të drejtën që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Hapja e Asociacionit është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës. Parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Gjithçka ka përfunduar më vitin 2013, me opinionin e Gjykatës Kushtetuese. E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe BE. Hapat që i ndërmerr Serbia janë në përputhshmëri me orientimet e tyre. Nëse ndodh ndonjë veprim devijues nga marrëveshja në Washington mendoj që nuk është i shëndetshëm për paqen në rajon”, ka thënë Thaçi pas manifestimit të mbajtur për vitin e ri hebraik. 

Thaçi, ka thënë se njohja e Kosovës nga Izraeli është e një rëndësie strategjike për paqen në botë. Ai ka thënë se Kosova ka shumëçka për të mësuar nga përvoja e Izraelit.

Ai ka shtuar që do të punohet që marrëveshja që u formalizua në Washington të finalizohet në tërësi.

“Njohja nga Izraeli është e një rëndësie strategjike për paqen në botë. Të dy vendet kemi pothuajse të kaluar të njëjtë, jemi përballur me një histori shumë të hidhur qe e njeh dhe respektojnë gjithë bota. Kosova ka shumëçka për të mësuar nga përvoja e izraelit. Si shtet Izraeli ka përfituar një partner strategjik me një shtet më të ri. Do të punojmë që marrëveshja që u formalizua në Washington ditë më parë të finalizohet në tërësi”, ka thënë Thaçi.

18:28

Thaçi thotë se veç Washingtoni mund të sjellë njohjen reciproke Kosovë – Serbi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të sjellin marrëveshjen për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha përpjekjet tjera, ai i ka quajtur të kota.

Në shënimin e vitit të ri hebraik, Thaçi ka thënë se me marrëveshjen për normalizim ekonomik, të arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan “arriti të pamundurën”.

“Ajo që na bën neve shumë të lumtur e krenarë, pas përpjekjeve të shumta kjo njohje reciproke ndodhi në Shtëpi të Bardhë, pra erdhi përmes Washingtonit. Do të kemi më tepër paqe. Në kohën kur (emisari i SHBA-së për dialogun) Richard Grenell e filloi, ishim shumë skeptik. Kur ai përpiqej të ndodhte kjo që ndodhi tani, ne kishim shpresën dhe optimizmin se ishte adresa e duhur dhe mund të finalizohej në Shtëpi të Bardhë. Presidenti Trump bëri të pamundurën që të ndodhë e mundura. Bëri atë që tjerët për 20 vjet nuk e bënë. Derisa shihet se po mund të ndodhë normalizimi ekonomik në Washington, kam besim se mund të ndodhë edhe normalizimi politik dhe njohja reciproke mund të ndodhë vetëm në Washington. Përpjekjet tjera janë të kota. Janë humbje kohe”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se pret që me njohjen Kosovë – Izrael të përfitojnë dy shtetet dhe rajoni. Ka thënë se Kosova do të jetë përkrah Izraelit në luftën ndaj terrorizmit e ekstremizmit.