Arbëri

Tani Thaçi ngrihet kundër Asociacionit, kërkon ta bllokojë dialogun në Bruksel

Tani Thaçi ngrihet kundër Asociacionit, kërkon ta bllokojë dialogun në Bruksel

Shtatë vjet e pesë muaj pasi vetë e ka nënshkruar marrëveshjen që parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tani paralajmëron rrezik të madh prej tij. Të mërkurën Zyra e Presidentit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë për media në të cilën paralajmëron se Qeveria e Kosovës ka hyrë në bisedime për “tema të mbyllura”, dhe se në tavolinën e dialogut në Bruksel tani gjenden çështje që rrezikojnë shtetësinë e Kosovës. Veç kësaj, Thaçi tani ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të miratojë një rezolutë me të cilën kryeministrit do t’i “ndalohej” negociimi i çështjeve të brendshme të shtetit.

Në komunikatën me shkrim, lëshuar nga Zyra e Presidentit, thuhet se “askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudo qoftë”.