11:21

Sërish dështon votimi i projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike

Sërish është bartur në seancë të re projektligji për rimëkëmbje ekonomike, pasi të enjten vetëm 41 deputetë morën pjesë në votimin në parim për projektligjit për rimëkëmbjen ekonomike.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike kishte dështuar të votohej edhe në seancën e fundit të sesionit pranveror.

Ndër pikat kryesore të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike ishte edhe mundësia e tërheqjes së 10 për qind të vlerës së Trustit pensional.

Të enjten, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk votuan as për projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke bërë që edhe ky shqyrtim të bartet në seancën e ardhshme.

Me këto dy pika ka përfunduar lista e pikave të seancave të mbajtura më herët. Tashmë ka nisur seanca e re plenare.

11:13

Nuk kalon rezoluta e VV-së për menaxhimin e COVID-19, PDK-ja tërheq propozimin e saj

Me 42 vota kundër e 27 pro, nuk ka kaluar rezoluta e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për menaxhimin e pandemisë COVID-19, në pikën e parë të rendit të ditës në seancën e sotme në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, propozimi i Partisë Demokratike të Kosovës është tërhequr me arsyetimin se shumica e pikave tashmë janë përfshirë në ligjin anti-COVID.

11:06

Kuvendi nis punimet me një minutë heshtje për Mikullovcin

Me një minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Adem Mikullovci që vdiq të martën, Kuvendi i Kosovës ka nisur sesionin vjeshtor.

Seanca ishte paraparë të fillonte në orën 10:00, porse ka nisur 50 minuta me vonesë.

Sot Kuvendi pritet të hedhë sërish në votim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, që midis tjerash, parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti.

Deputetët do të votojnë edhe rreth dy propozim-rezolutave rreth menaxhimit të pandemisë, asaj të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

08:28

Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike hidhet sërish sot në votim

Kuvendi i Kosovës sot do të hedhë sërish në votim Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, që midis tjerash, parasheh ndryshimet ligjore që mundësojnë tërheqjen e 10-përqindëshit nga Trusti.

Deputetët do të votojnë edhe rreth dy propozim-rezolutave rreth menaxhimit të pandemisë, asaj të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për situatën financiare të Telekomit, pas lejimit të përmbarimit të vendimit përfundimtar OEN të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, të propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes është pika e dytë.

Legjislativi do të votojë në parim edhe rreth Projektligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së.

Projektligji për rimëkëmbjen ekonomike nuk është votuar në lexim të parë gjatë gushtit, pasi që Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kishin refuzuar ta votojnë, ndonëse ministrja e Financave Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.