21:58

Kuvendi vazhdon nesër në ora 10:00

Kuvendi ka ndërprerë punimet për seancën e ditës së sotme, të cilën do ta vazhdojë nesër nga ora 10:00.

Aty pritet të hedhet në votim edhe Rezoluta e propozuar nga Vetëvendosje, e cila pritet të harmonizohet me grupet e tjera parlamentare.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i GP të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

“Nesër do ta lexoj Rezolutën pasi që kam marrë edhe disa propozime për të. Deri nesër po pres për bashkëpunimin tuaj”, ka thënë Selimi.

19:09

Hoti-VV-së: Ju kemi futur edhe në Qeveri, por kah ia keni mësyrë me këtë qasje?

Një tjetër përplasje është dëgjuar në Kuvendin e Kosovës, kësaj radhe ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe deputetit të VV-së, Arbër Rexhaj.

Rexhaj ka thënë se pika për mini-schengenin e nënshkruar me Marrëveshjen për stabilizim ekonomik në Uashington ka qenë e gabueshme.

Sipas tij, është ide dhe projekt i Serbisë për fuqizim ekonomik në rajon dhe se ajo “duhet të shihet e lidhur me projektet e Serbisë”, teksa ka treguar pse mini-schengeni nuk do duhej të nënshkruhej.

“E para, ia pamundëson Kosovës të vendosë kontrolla, tarifa, reciprocitet të plotë për mallra që e çrregullojnë tregun e Kosovës, në radhë të parë ndaj Serbisë dhe Bosnjës. Nën dy, mundëson lëvizje të papenguar për zyrtarë serbë për fushatë politike kundër shtetit të Kosovës pa pasur mundësi të ndalen në kufi për shkak të lëvizjes së lirë, që ia mundëson mini-schengeni. E treta, e defaktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në marrëdhënie rajonale. Nën katër, favorizon ekonomikisht shtetet e ballkanit që kufizohen me shtetet anëtare të BE-së përmes politikave të taksave, ndërsa Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në. Nën pesë, krijon mundësi për inavzion të mallrave nga Rusia për shkak të marrëveshjes me Serbinë. Nën gjashtë, Serbia përmes kësaj ideje tenton ta mbajë sa më gjatë rajonin e Ballkanit jashtë BE-së”, tha ai.

Megjithëse Rexhaj tha se nuk ishin konstatime e mendime të tij, për këto, Hoti është përgjigjur se janë vetëm fyerje e nënçmime për të, e jo argumente.

Ai, duke iu adresuar Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se qasja e tyre e diskutimit në Kuvend nuk është argumentuese dhe se më këtë qasje nuk po mund të bëhet debat substancial.

Hoti ka kërkuar nga VV-ja që të tregojnë argumente se ku e ka dëmtuar Kosovën kjo Marrëveshje.

“Nga fjalimi i fundit nuk evidentova asnjë çështje që mund të përgjigjem. Më vjen keq për këtë lloj diskursi që po ushtroni dhe kjo është arsyeja pse jeni ku jeni. Kemi punu bashkë dy vjet në opozitë dhe patëm fillu me mendu se po afroheni. Ju futëm edhe në qeveri, ju sollëm në institucione, por me këtë qasje ku po doni me shku, kah ia keni mësy, çfarë qasje është kjo ku në secilin fjalim nuk dëgjoj argumente, por deklarata politike, fyerje e nënçmime. Nuk po mundemi me bë një debat substancial se si mund të shkojmë përpara, më jepni një argument ku e ka dëmtu sovranitetin e Kosovës kjo marrëveshje, si e kishit bë ju më mirë dhe pse ju nuk keni shku atëherë në Uashington kur iu kemi lutë të shkojmë bashkë. Po ndërtoni teori të thikave e hartave, prandaj jeni kështu”, ka thënë ai.

17:27

Ujmani përplas Kusari-Lilën me Hotin

Një përplasje e ashpër është zhvilluar ndërmjet deputetes Mimoza Kusari-Lila dhe kryeministrit Avdullah Hoti për çështjen e Ujmanit.

Sipas Kusari-Lilës është e tmerrshme deklarata e Hotit ku e trajton Ujmanin në të njëjtin nivel si liqenin e Ohrit dhe atë të Shkodrës, transmeton KOHA.

“Fatkeqësisht sa më shumë që po diskutoni aq më shumë po ndillni frikë në secilin prej nesh këtu. Me dalë në foltore të Kuvendit dhe me deklaruar se Liqeni i Ohrit, Shkodrës dhe ai i Ujmanit e kanë statusin e njëjtë është më shumë se turp, në fakt është mëkat se kush përfaqëson dhe mbronë asetet e shtetit”, ka thënë Kusari-Lila.

Sipas saj ato janë liqene natyrore dhe përcaktohen me konventa ndërkombëtare.

“Vijat e ndarjes të këtyre pasurive natyrore me kufij. Kosova në Ujman nuk ka kufi me Serbinë për arsye se është objekt i ndërtuar. Hidrocentrali i Ujmanit është në Kosovë dhe për informatën e juaj në vitin 2013 në Bruksel përfaqësuesi i kompanisë elektroenergjetike të Serbisë ka përmend njëjtë Ujmanin, asokohe kryenegociatorja Edita Tahiri e ka lëshuar takimin. Janë kthyer prapa, kanë marrë kërkimfalje nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian dhe nga Ministrja e Energjisë së Serbisë që më nuk do të diskutohet se Ujmani është aset i Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas saj Hoti me nënshkrimin e tij po e jetëson idenë e Millosheviqit kur donte ta merrte Ujmanin.

“Ja në vitin 2020 çfarë po i ndodh Kosovës. Pse duhet studim i fizibilitetit nëse po u dika qartë se një pjesë qenka në Serbi, pse? Hidrocentrali është në Kosovë, pasuria është e Kosovës, rryma dhe uji janë të Kosovës. Dy komuna në anën tjetër të kufirit Novi Pazari dhe Tutini e marrin ujin tjetër kund, për çka i duhet uji Serbisë, nuk i duhet. Përveçse në vitin 1993 kur Millosheviqi ka dashur ta marrë dhe tash ju që po e jetësoni me nënshkrimin tuaj, fatkeqësisht”, ka thënë Kusari-Lila. “Këto janë fakte kokëforta që ju duhet t’i dini e t’i keni parasysh e të flisni këtu fjalë të pavërteta”.

Hoti i është kundërpërgjigjur asaj duke thënë se është një debat dhe ballafaqim argumentues dhe jo fyes.

“Me të dhëna konkrete teknike, politika apo cilado. T’i duhet me e ditë se ku i ka kufijtë Kosova. A jemi të gjithë në dijeni që një pjesë e këtij liqeni është në territorin e Serbisë. Pse duhet të kemi frikë që nesër pas marrëveshjes finale, pas njohjes reciproke të zbatojmë të gjitha konventat ndërkombëtare për shfrytëzimin e ujërave të tilla. Ku është problemi, nëse donë Mimozë me e bë këtë kauzë politike nuk të çon kurrkund. Gjeje një kauzë tjetër”, ka thënë Hoti.

Kusari – Lila më pas ia ka përmendur deklaratat e Hotit rreth Mini-Schengenit, që sipas saj, kryeministri i ka quajtur hipoteza.

“Shumë do të doja që unë të kisha qenë gabim kur ju kam pyetur për Mini-Schengenin më 23 qershor dhe ju e keni mohuar dhe e keni quajtur hipotezë timen dhe më keni thënë se nuk merreni me hipoteza. E as çështjen e Ujmanit, e keni quajtur hipotezë, s’mund të flasë unë për ato keni thënë. Unë do të doja të isha e gabuar. Unë kauzat e mia nuk i dëmtoj në dëm të shtetit, as të shtetësisë, as të aseteve të vendit. Unë jam deputete e opozitës e cila mandatin e saj e ka mbikëqyrjen e punës së Qeverisë dhe atë po e ushtroj. Ajo çfarë po dëgjoj nga ju z. Hoti mua po më tmerron. Të thoni se liqeni i Ujmanit do të trajtohet me ligjin e ujërave ndërkombëtare është më tepër se tmerr”, ka thënë ajo.

Ndryshimet në qëndrime që ka bërë Hoti, sipas Kusari-Lilës janë të frikshme.

“Çfarë do të ndodhë më pas me Trepçën. Se ndryshimet e qëndrimeve tuaja ndjellin frikë. As edhe një milimetër të Ujmanit nuk ka mbetur pa u paguar”, ka thënë Kusari-Lila.

Kurse Hoti më pas i është kundërpërgjigjur se Kusari-Lila po tmerrohet me marrëveshjet e mira që ai po bën.

“Mimozë ke me u vazhdu me u tmerru deri në fund të mandatit me vendime, me marrëveshje të mira, me konsolidim të shtetësisë. Këto të tmerrojnë ty, veç këto të tmerrojnë”, ka thënë Hoti.

16:45

Rezoluta e propozuar nga Vetëvendosje lidhur me dialogun

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar në Kuvend një Rezolutë përmes së cilës nuk i lejon Hotit të bëjë zotime të njëanshme lidhur me marrëdhënien e Kosovës me Serbinë.

Ndër të tjera në të është propozuar që të mos lejohet kthimi i çështjes së Asociacionit.

Në Rezolutën e propozuar nga VV-ja thuhet:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e ka autorizuar dhe nuk i ka dhënë leje Avdullah Hotit që të bëj zotime të tilla të njëanshme lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë. Kuvendi i Kosovës nuk mbështet zotimet e tij të njëanshme që kanë të bëjnë me pikat për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruara më 4 shtator 2020 në Washington DC.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedime a dialogu që rikthejnë çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë si temë. Asnjë zyrtar i Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet që të bisedojë për këtë çështje.

3. Ujmani si liqen artificial, është pronë dhe aset tërësisht i Republikës së Kosovës, i ndërtuar me fonde të Kosovës dhe menaxhohet nga Kosova. Si i tillë Ujmani dhe asnjë aset a pronë tjetër e Republikës së Kosovës kudo që ndodhet ajo, nuk mund të negociohet.

4. Republika e Kosovës nuk merr pjesë në asnjë nismë apo aranzhim apo marrëveshje, përfshirë dhe atë të bërë në Novi Sad në vitin 2019, që synon treg të përbashkët me disa nga vendet e Ballkanit perëndimor, duke qenë se Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe ka si synim zgjerimin e ndikimit në politikën e brendshme të disa prej shteteve të këtij rajoni.

Image
15:58

Sipas AAK-së, pa përfshirjen e SHBA-së në dialog s’ka garanci se mund të arrihet marrëveshja finale me Serbinë

Time Kadrijaj, deputete e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se marrëveshja e Washingtonit ka konfirmuar rolin kyç të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas saj, një marrëveshje finale me Serbinë nuk është e garantuar, pa përfshirjen e SHBA-së.

“Është bërë një dekadë prej nisjes së dialogut. Gjatë këtij procesi u bë aq keq puna sa që Kosova përfundoi me proces jotransparent ku diskutoheshin edhe territoret e cenohej edhe sovraniteti i saj. I gjithë ky proces i udhëhequr nga BE-ja degradoi deri në atë pikë ku Kosova mbeti spektatore në tavolinë. Kosova hodhi hap të madh përpara me marrëveshjen në Washington. SHBA-ja rikonfirmoi rolin e madh. Presim që edhe BE-ja të tregojë seriozitetin e njëjtë me njohjen nga shtetet që s’e kanë njohur Kosovën si dhe përmbushjen për premtimin për liberalizim të vizave, që ne t’i marrim seriozisht përpjekjet e tyre”, ka thënë ajo. “Pa SHBA-në s’ka garanci që një marrëveshje finale mund të arrihet e që mund të implementohet edhe nëse arrihet”.

Kadrijaj tutje ka kërkuar bashkim të spektrit politik, pushtet e opozitë, për fazën e ardhshme të dialogut.

15:55

Hoxhaj: Temat që po negociohen me Serbinë janë hapje e Pakos së Ahtisaarit

Enver Hoxhaj në emër të Grupit të Parlamentar të PDK-së ka thënë se rikthimi i fuqishëm i SHBA-së në përmbylljen e dialogut Kosovë Serbi është zhvillim pozitiv.

Ai ka thënë se me marrëveshjen në Washington, SHBA-ja dëshmoi vullnetin karshi Kosovës, të cilën sipas tij e ka pasur qysh moti.

Hoxhaj ka thënë se Hoti nuk ka negociuar me Serbinë në Washington.

“Nëse ju mendoni që Hoti ka negociuar diçka në Washingon, është gabim. Unë e kisha pyetur se cilët janë draftet e marrëveshjes që janë negociu. Hoti përfaqëson vendin, por ai në fjalën e tij përshkruante situata që nuk kanë ndodhur, nuk ekzistojnë”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se nëse kryeministri do ta lexonte Kushtetutën, nuk do ta vendoste në paragraf pasuritë e Kosovës.

Ai ka thënë se ajo çfarë po ndodh këto ditë është hapja e Pakos së Martti Ahtisaarit.

“Paragrafi i marrëveshjes së Washington kur fol për kishat është hapje e kësaj pakoje, sot kur po flitet për aranzhimet e komunitetit joshumicë janë hapje e kësaj pakoje, poashtu edhe hapja e diskutimit për prona është hapje e pakos së Ahtisarit”, ka thënë ai.

15:51

Gashi: Në Washington u dëshmua se nuk kishte plan për ndarje dhe u konfirmua legjitimiteti i Hotit

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se me marrëveshjen në Washington më 4 shtator, janë qartësuar dy gjëra – e para se nuk kishte plane për ndarje të Kosovës në SHBA dhe se e dyta kryeministri Avdullah Hoti është njeri legjitim dhe legjitimitet të plotë për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare.

Gashi po ashtu ka thënë se qytetarët janë lodhur me fjalime, fjalë e statuse në Facebook. Ai ka thënë se qytetarët duan zgjidhje, punë e siguri.

“Debati politikë në Kosovë dy vitet e fundit është demonizuar nga hipoteza ogurzezë se në Washington po përgatitet ndarja e Kosovës. Sepse ky është interes personal i presndeitet të Kosovës, që ka pranuar një zgjidhe të tillë për me shpëtu nga akuzat e Hagës. Prej se është zgjedhur Hoti kryeministër, është kritikuar se nuk ka fuqinë burimore politike ta përfaqësojë Kosovën dhe se roli i tij në marrëveshje, thuhej me pçërmim se do të jetë asistem i Thapçit. Marrëveshja në washiongton ka qartësuar dy gjëra, nuk ka ndarje të Kosovës dhe Hoti është përfaqësuesi më legjitim dhe legjitimetet të plotë vendor ndërkombëtar për të nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare, në këtë rast me Serbinë apo me ndërmjetësimin e presidentit Trump. Këto jhanë fakte. Deklarimet tjera janë vetëm politike për konsum vendor. Qytetarët janë lodhur me fjalime e fjalë e statuse në facebopok e pozita e pozta patriotike. Duan zgjidhej, punë e siguri. Marrëveshje e Washjingtonit është mes dy palëve ndërmjetësuar nga e treta. Nuk është akt kapitullim siç ka qenë marrëveshja e Kumanovcës, ku Serbia ndonëse e mposhtur në luftë ishte ulur për të nënshkruar kapitullimin”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka nshtuar se Serbia nuk ka paguar çmimin për gjenocidin e kryer në Kosovë dhe se kurrë nuk duhet hequr dorë nga kërkesa për marrëveshje të drejtë me Serbinë.,

“Kjo marrëveshje mund të marrë kohë, por relacionet fqinjësore nuk duhet të jenë të tilla që shkojnë drejt një konflikti të ri. Po shkojmë drejt pajtimit, por duhet të jetë i qartë dhe i sigurt në interes të popullit të Kosovës. Si përfaqësues të popullit kemi për të detyrë që të punojmë që çdo ditë Kosova të forcohet si shtet si në plan ndërkombnëtar ashtu edhe vendor. Marrëveshja e Washingtonit e ka kthyer Kosovën në plan ndërkombëtar si palë të vlerësuar”, ka shtuar Gashi, që e ka vlerësuar të rëndësisë së madhe njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Ai ka shtuar se nga marrëveshja e Washingtonit duhet debatuar dy pika, ajo e Ujkanit dhe Mini-Shengeni.

“Janë dy pika që meritojnë debat të vërtetë parlamentar por edhe në nivel ekspertësh, që Kosova të nxjerrë më të mirën nga marrëveshja, e Ujmanit dhe i ashtuquajturi Mini-Shengen. Ujmani gjendet territorialisht në Kosovë e pak në Serbi. Është pasuri e ndërtuar nga Kosova. Duhet insistuar se kur të bëhet studimi i fizibilitetit nga ekspertët amerikanë të përfshihet kjo. Ujmani është pasuri e Kosovës. Përdorimi i përbashkët i tij nuk nënkupton pronësi e përbashkët. Mini-Shengeni, që është kritikuar nga shumë, ne do të insistojmë që këtë marrëveshje të tregëtësië së lirë, të jetë marrëveshje mes shteteve, Kosova të hyjë në të si shtet, si palë e barabartë. Pra kjo do të jetë pika e parë. E dyta duhet të shohim se cilat janë mundësitë tona të zhvillimit ekonomik në kuadër të kësaj marrëveshje tregfitës. Avantazhet tona konkurrence, e të eliminohen dobësitë. Temë për ekonomistët. Kryeministri Hoti është aktualisht personi kompetent në vend të duhur për t’u marrë me këtë punë”, ka thënë Gashi, duke shtuar se është dëshmuar se nuk ka pasur thika në harta, dhe se nëse ka pasur atëherë Hoti duhet lavdëruar që i ka eliminuar ato.

15:30

Selimi: Kosova nuk doli me fitore nga nënshkrimi i Hotit në Washington

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë se fjalimi i Hotit është retorikë për ta mbushur retorikën e zbrazët.

Selimi ka thënë se do të shihet më vonë se çfarë ka fituar Kosova nga letra e zotimeve që u nënshkrua në Uashington.

“Ju folët për normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje po ashtu edhe me Serbinë. Letra që e keni nënshkruar ju ishte një qasje që përkon me problematikat e shteteve të Lindjes së Mesme”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se Hoti nuk e ka njoftuar Kuvendin për nënshkrimin e zotimeve në Uashington.

Sipas tij, as vetë ai nuk e ka ditur se do të nënshkruajë.

“Nëse paska fituar Kosova, çfarë fiton Kosova me Mini-Schengenin. Çfarë fiton Kosova, çfarë përfiton me daljen e Serbisë në Adriatik, çfarë fiton Kosova nëse Serbia bëhet hisedarë në Ujmanin e Kosovës”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se Kosova nuk doli me fitore nga nënshkrimi i Hotit në Washington.

Ai ka thënë se për dialogun Kosovë-Serbi janë miratuar 6 rezoluta, ndërkaq lidhur me këtë temë është shtuar edhe një draft-rezolutë sot nga Lëvizja Vetëvendosje.

15:22

Hoti: Marrëveshja në SHBA nuk është e përsosur, por nuk është as e rrezikshme

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se nuk mund të jetë e dëmshme një marrëveshje e cila është nënshkruar në SHBA.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje nuk është perfektë, porse nuk është as e dëmshme e as e rrezikshme për vendin.

Sipas tij, në dialogun në Bruksel, Qeveria nuk do të lëvizë nga parimet e dialogut, duke shtuar se nuk është duke iu kërkuar që të lëvizin nga këto parime.

“Partnerët tanë e kanë eliminuar shkëmbimin e territoreve dhe tema tjera që e bosnjëzojnë Kosovën. Unë nuk do të ik nga tavolina e dialogut. Unë do të jem transparent sepse rrugë tjetër nuk ka”, ka thënë ai.

15:21

Hoti: Qeveria në dialog udhëhiqet nga parimet dhe objektivat

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në raportimin e tij në Kuvend për procesin e dialogut, se Qeveria që ai udhëheq në dialogun me Serbinë udhëhiqet nga disa parime dhe objektiva.

Sipas tij, qeveria udhërrëfyes për këtë dialog e ka platformën “që bazohet në Kushtetutën e Kosovës”.

Ka thënë se kjo platformë e cilëson të panegociueshëm integritetin territorial dhe organizimin kushtetues, se sistemi monetar i Kosovës s’mund të preket e se marrëveshja duhet të jetë vetëm në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Sipas tij, objektiv në këtë dialog është njohja e plotë reciproke.

Ai ka shtuar se marrëveshja finale duhet të përmbajë detyrimin e Bashkimit Evropian për të përmbyllur procesin e njohjes së Kosovës nga pesë vendet që nuk e njohin si dhe duhet të ketë shfuqizim të Rezolutës 1244 e anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Hoti ka thënë se në këtë proces duhet të adresohen të gjitha çështjet e hapura.

Ai ka thënë se në rrethanat e reja “jemi protagonistë për të arritur marrëveshje për njohje reciproke”.

Teksa ka refuzuar ta quajë dialog teknik, Hoti ka thënë se në procesin që po zhvillohet po kërkohet normalizim i plotë i raporteve mes Kosovës e Serbisë.

I pari i Qeverisë ka shtuar se ndërkombëtarët i kanë konfirmuar se procesi i dialogut është i kufizuar në kohë, ndërsa e ka vlerësuar momentum të ri ndërkombëtar bashkërendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Bashkimin Evropian për procesin e dialogut.

Sipas tij, kjo ka qenë vështirë e arritshme “pas lëndimit të raporteve viteve të fundit”.

Ai e ka quajtur fitore të madhe për Kosovën, marrëveshjen e Washingtonit. Sipas tij, kjo i hap rrugë investimeve në Kosovë për ta kthyer në qendër të rajonit.

Për procesin e Brukselit, Hoti ka thënë se në takimin e fundit ka shtruar çështjet që lidhen me obligimet financiare, ndërsa “për Asociacionin kemi thënë se ka marrëveshje parime dhe aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese”.