16:07

Trendafilova do t’ua dorëzojë gjyqtarëve kërkesën e Osmanit

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se presidentja e këtij institucioni, Ekaterina Trendafilova, do t’ua dorëzojë gjyqtarëve të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, kërkesën e nisur nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani rreth ndryshimeve kushtetuese që lidhen me mandatin e kësaj Gjykate.

Osmani i ka nisur të premten letër Trendafilovas, rreth kërkesës së bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e këtyre Dhomave që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale.

15:35

QUINT-i kërkon nga Kosova të mos lejojë zhvlerësim të misionit të Speciales

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Gjykatës Speciale.

Ambasadorët e QUINT-it kanë përshëndetur letrën e kryeparlamentares Vjosa Osmani që e ka përcjellë amendamentin e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e Speciales. Ata po ashtu kanë përgëzuar edhe Zyrën e Prokurorit Special të Kosovës që ka respektuar autoritetin e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara për të hetuar çështjen e dokumenteve që dyshohet se i përkasin Speciales, e që përfunduan në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të kundërshtojnë çdo përpjekje për të prishur ose zhvlerësuar misionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) dhe të Zyrës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara (ZPDhS), si dhe që të sigurojnë që ato të kryejnë misionin e tyre në përputhje me Kushtetutën. Në këtë vazhdë, e përgëzojmë Kryetaren e Kuvendit të Kosovës që e ka përcjellë propozimin e Presidentit për ndryshim te Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, si dhe Zyrën e Prokurorit Special të Republikës së Kosovës për respektimin e autoritetit të ZPDhS-së për të hetuar zbulimin e mundshëm të paligjshëm të dokumenteve dhe informatave të besueshme, njëkohësisht duke ofruar ndihmën e saj sipas nevojës”, thuhet në njoftim.

13:41

Osmani procedon Amendamentin e Thaçit për mandatin e Speciales te Trendafilova

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, që të vlerësojnë amandamentin e propozuar nga presidenti Hashim Thaçi për bërjen e ndryshimeve kushtetuese lidhur me mandatin e Speciales.

“Do t’u isha mirënjohëse nëse ky propozim-amendament referohet pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorëve të Specializuar, për vlerësim paraprak se ndryshimi i propozuar nuk zbeh ndonjërën nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës”, shkruan në letër.

Dërgimin e kërkesës e ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i kryeparlamentares.

“Kryetarja Osmani duke iu referuar nenit 162, paragrafit 3 të Kushtetutës, ka proceduar Amendamentin e propozuar nga presidenti te Dhoma e Specializuara e Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim”, ka thënë Kupina.

Në gusht, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’ua zgjasin mandatin Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Këtë kërkesë e ka bërë në një adresim qytetarëve të Kosovës, duke thënë se beson që deputetët do ta përkrahin këtë iniciativë të tij. Në propozimin e tij, Thaçi ka kërkuar të ndryshohet amandamenti ku thuhej se mandati i institucionit do të zgjasë për pesë vjet, e ka kërkuar që të bëhet se mandati “zgjat deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.

Image