01:20

Rrënohen objektet e kazinove në Karaçevë

Në Karaçevë janë duke u rrënuar objektet e kazinove që vepronin ilegalisht.

Ekipi i KOHËS po vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes.

Deri tash janë arrestuar 33 persona lidhur me veprimtari kriminale.

Rreth 11 objekte janë të paligjishme që janë duke u rrënuar.

00:24

33 të arrestuar në Karaçevë për bixhoz ilegal, kontrabandim me njerëz, armë e narkotikë

Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës, njofton se në mbrëmjen e 18 shtatorit 2020, zyrtarët e zbatimit të ligjit nga Policia e Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës dhe agjencitë tjera bashkëpunuese kanë ekzekutuar urdhërkontrolle në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, në rajonin e Prishtinës, si dhe lokacione të tjera të vendit.

Operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.

"Deri në lëshimin e kësaj komunikate, në lidhje me rastin janë arrestuar gjithsej 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë, të cilët brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale", thuhet në njoftim.

Ky operacion, i cili është operacioni më i madh i llojit të tij në Republikën e Kosovës, thuhet tutje, është një shembull i bashkëpunimit ndërmjet prokurorisë, policisë dhe inspektoratit policor.

"Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin, ku për detaje dhe informacione shtesë do të vazhdojmë të ju mbajmë të informuar pas operacionit të përbashkët", thuhet në komunikatë.

23:23

Deri tash janë arrestuar 12 civilë e 10 policë në Karaçevë

KOHA nga burime brenda Policisë së Kosovës ka mësuar se gjatë aksionit policorë kundër krimit e korrupsionit në Karaçevë, ku zhvillohen ilegalisht edhe lojëra fati në kazino, janë arrestuar 12 civilë dhe 10 policë.

Asnjëri prej policëve nuk është në pozita të larta.

Ligji që ua ndalonte funksionin kazinove, i miratuar në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2019, nuk u përfill në Karaçevë.

Shumë kazino ushtronin funksionin e tyre ilegalisht në këtë zonë të Karaçevës, që monitorohet nga KFOR-i.

23:11

Detaje nga Karaçeva, bastisen kazinotë

Në zonën kufitare të Karaçevës në Kamenicë, janë bastisur shumë kazino.

Nga vendi i ngjarjes ekipi i KOHËS, ka njoftuar se në hyrje të fshatit të Karaçevës është kontrolluar secila veturë.

Në pjesën ku ka shumë kazino, që veprojnë ilegalisht, janë bastisur dhe ka nisur rrënimi i tyre. Në mesin e personave që janë arrestuar ka edhe policë të cilët nuk kanë pozita të larta. 

Përveç policisë, në bashkëveprim është edhe Inspektorati Policor derisa aksioni u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

KOHA ka mësuar se në vendin e ngjarjes është edhe drejtori i Policisë Rashit Qalaj dhe kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati.

22:23

Tetë policë të arrestuar nga aksioni në Karaçevë

Tetë policë janë arrestuar gjatë mbrëmjes së sotme në aksionin kundër krimit dhe korrupsionit që po zhvillohet në Karaçevë, mëson KOHA nga burimet brenda Policisë së Kosovës.

KOHA ka mësuar se janë arrestuar policë serbë e shqiptarë.

Një ekip i KOHËS po qëndron në vendin e ngjarjes dhe për detaje tjera do t'ju informojmë. 

21:54

Pamje nga aksioni policor në Karaçevë

KOHA ka siguruar pamje nga aksioni policor që është duke u zhvilluar në Karaçevë.

Një banor i Karaçevës i ka dërguar pamjet në redaksinë e KOHËS derisa mësohet se ka edhe të arrestuar.

Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë informacione për rastin.

21:31

Operacion kundër krimit - Njësia Speciale e Kosovës futet në zonën kufitare në Karaçevë

Një operacion policor kundër krimit dhe korrupsionit është duke u zhvilluar në zonën kufitare të Karaçevës.

Një banor i Karaçevës e ka konfirmuar për KOHËN aksionin policor, derisa ka thënë se Policia e Kosovës gjendet në hyrje të fshatit.

Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur thirrjeve të KOHËS pas interesimit për të dhënë detaje rreth aksionit.

Sot gjatë ditës, në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, e vlerësoi situatën në Karaçevë, të qetë.

KOHA do t’ju mbajë të informuar rreth rastit...