21:17

Rasti i Shyhrete Berishës, Qelaj: Zvarritja në Gjykatën e Apelit, shqetësuese

Ish-koordinator nacional kundër dhunës në familje ka folur edhe për rastin e Shyhrete Berisha, gruaja e cila kërkoi të drejtën e trashëgimit të pronës së burrit të saj, të vrarë gjatë luftës në Kosovë bashkë me katër fëmijët.

Naim Qelaj në Raport tha se ky rast ka qenë sfidë për të, por se u ka mësuar të gjithëve se gruaja është e barabartë me burrin dhe se i ka të drejtat e garantuara.

“Ai rast ka qenë sfidë për mua, i jashtëzakonshëm. Një ndihmesë të madhe në bërjen publike të asaj që ka ndodhë e keni pasë ju mediat, por në fund një drejtësi e vonuar arriti me vendosë drejtësi sa i përket shkallës së parë por tash zvarritja që po i bëhet në Gjykatën e Apelit prapë është shqetësuese”, tha ai.

“Besoj se ky rast do jetë mësim për ne si shoqëri dhe sistemin e drejtësisë se gruaja është qënie e barabartë me burrin dhe i ka të drejtat e garantuara dhe të mos krijojmë situatë të tillë ku drejtësia matet prej gjinisë që e kemi”, përfundon Qelaj.

21:07

Qelaj: Duhet të krijohet një departament i veçantë për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Naim Qelaj, ish-koordinator nacional kundër dhunës në familje, ka thënë se Ministria e Drejtësisë dhe institucionet tjera duhet të krijojnë një departament i cili do të merrej ekskluzivisht me rastet e dhunës në familje.

Kjo sipas tij, duhet të bëhet për shkak se gjyqtarët dhe prokurorët janë të pa trajnuar lidhur me këtë çështje.

“Kur fton gjyqtarë dhe prokurorë për temën për dhunën në familje ka mungu interesi për pjesëmarrje por edhe ata që kanë ardhë janë ata që vërtetë e ndjejnë për obligim profesional e moral për të trajtuar këtë temë. Këtu kemi një problem, nëse na vjen në një takim për të diskutuar temën për dhunën në familje dhe vjen prokuror apo gjyqtar që nuk merren me këto raste, ne na ka shkuar kot puna dhe angazhimi që e kemi bërë", ka thënë ai në Raport të KTV-së.

“Në këtë drejtim MD me institucione tjera duhet të bëjnë shumë më tepër, duhet ta krijojnë një departament të veçantë, një divizion të veçantë sepse kishte fillu një punë e mirë që çdo gjykatë e prokurori me i pasë koordinatorët e vet që i trajtojnë ekskluzivisht rastet e dhunës në familje. Me vazhdu me i trajtu gjyqtarët dhe i aftësu më tepër profesionalisht”, tha ai.

20:57

Dinarama: Nga marsi janë pranuar 63 viktima të reja të dhunës në familje në strehimore

Erblina Dinarama, drejtoreshë e strehimores “Shtëpia e Sigurt, në Raport të KTV-së ka thënë se që nga marsi kanë pranuar rreth 63 raste të reja të dhunës në familje, ndërsa shton se Policia e Kosovës ka nevojë për kapacitete shtesë.

“Prej marsit deri tash, kemi strehuar rreth 63 viktima, raste të reja nëna me fëmijë të tyre. Policia e Kosovës ka nevojë për kapacitete shtesë sepse kanë pasë problem me virusin dhe shumica kanë qenë të izoluar, por ajo e Gjakovës i ka marrë të gjitha masat dhe ata që kanë pasë nevojë i kanë sjellë në strehimore”, tha ajo.

Dinarama tha se vazhdimisht punojnë për rehabilitimin dhe riintegrimin e grave, çka do të thotë se atyre u ofrohet edhe punë në komunë.

“Shumica e rasteve që vijnë në strehimoren tonë, 3-6 muaj nuk i përfillim sepse qëndrojnë më gjatë tek ne. Riintegrimi dhe rehabilitmi, punojmë me traumën dhe stresin që kanë përjetuar për vite me radhë. Riintegrimi nënkupton ngritjen e personit, ato që tregojnë afinitet i punësojmë në komunën e Gjakovës dhe po ashtu në fushën e riintegrimit gratë i punësojmë si pastruese apo mbikëqyrëse të të moshuarve apo fëmijëve. Këto i bëjnë ato më të vetëdijshme”, tha ajo.

Ajo thotë se sfida kryesore e strehimores është financimi jo i qëndrueshëm për çka ka bërë thirrje tek institucionet që viti 2021 të mos i gjejë më me këto problematike por të gjejnë një zgjidhje

“Sfidat më të mëdha përveç financimit jo të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm, problem kryesor e kemi këtë, ne që nga viti 2006 mbështetemi nga MPMS-ja, por kjo mbështetje është mbështetje në periudha. Vit për vit, e kemi problemin në fillim të vitit të financimit sepse ministria arsyetohet se nuk është aprovuar buxheti për vitin pasues”, tha ajo.

Dinarama problematikë e sheh edhe Konventën e Stambollit dhe ligjet e Kosovës, përmes së cilave ndalohet ndërmjetësimi në rastet e dhunës së familjeve.

“Më problematike është se me Konventë të Stambollit dhe ligje të Kosovës është e ndaluar ndërmjetësimi i rasteve të dhunës në familje. Problematika është se secili nga institucionet në njëfarë forme bëjnë ndërmjetësim në rastet e dhunës në familje dhe kjo sjell pasoja, vjen deri te vrasjet ndoshta”, ka thënë ajo.

20:37

Qelaj: Mosofrimi i mbrojtjes për viktimat që deklarohen për dhunën në familje, përgjegjësi e shtetit

Naim Qelaj, ish-koordinator nacional kundër dhunës në familje, në Raport të KTV-së, ka folur rreth dhunës në familje dhe viktimat të cilat paraqesin rastet e tyre në Polici.

Ai tha se nuk janë pak rastet në të cilat ka lëshime nga zyrtarët në detyrat e tyre për ofrimin e mbrojtjes ndaj viktimave dhe se këto lëshime janë përgjegjësi e shtetit.

“Padyshim që është shkelje, kur nuk mbrohet pas deklarimit të rastit, në këto raste e kemi gjykimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë se shteti është përgjegjës për rastet kur nuk ofron siguri. Dua të besoj se institucionet tona janë të përgatitura për të zbatuar ligjet, por jo pak raste mund të ketë lëshime ose keqpërdorime të detyrave zyrtare nga vetë zyrtarët”.

“A janë përgjegjës shteti kur kemi lëshime të zyrtarëve, pa dyshim që po. Këtë e thotë edhe Gjykata Kushtetuese, në rastin e Dianës ka thënë se mos ofrimi i mbrojtjes dhe sigurisë për viktimën kur paraqet rastin, shteti ka përgjegjësi para asaj që ka ndodhë”, tha ai.

Qelaj tha se duhet të shihen të gjitha aspektet për trajtimin e viktimave të dhunës në familje, përfshirë ligjet.

“Dukuria e dhunës në familje nuk lidhet vetëm me rritjen e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve. Është fenomen kompleks që ndërthur shumë aspekte. Së pari duhet me pa a e kemi ligjin e mirë sepse thirremi në atë që i kemi ligjet e mira por si janë në zbatim. Ligjet duhet të avancohen, sa avancohet shoqëria. Pastaj sa politika i jep peshën e vet specifika që ka kjo temë. Ndryshimet e shpeshta politike, jo çdo herë ruhet kontinuiteti i punëve. Ne kemi pasë probleme me atë që quhet memorie institucionale”, përfundoi ai.