23:37

Gucati: Po të mundnim, Specialen do ta shpërbënim për pesë minuta

Kreu i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, e ka vlerësuar Gjykatën Speciale si gjykatën më të njëanshme në botë dhe po të mundnin “do ta shpërbënin atë për pesë minuta”.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë se nuk beson që do të kthehet në bumerang për ta apo ushtarët e UÇK-së publikimi i dosjeve, ndonëse thotë se ata nuk kanë publikuar asnjë emër të dëshmitarëve.

“Ne i kemi ftuar Prokurorinë, hetuesinë dhe ndërkombëtarët, të hetojë këto raste. Kush i ka nxjerrë dosjet, a i ka sjellë Serbia apo dikush nga Prokuroria, kushdo qoftë apo nëse janë false, është mirë që ata ta çojnë punën deri në fund, ta hetojnë rastin. Ne s’kemi përgjegjësi, nuk kemi publikuar asnjë emër të dëshmitarëve, asnjë deklaratë çfarë ka shkruar, as që kemi pasur kohë të lexojmë çfarë po shkruan. Ishte koha e shkurtër. Nuk besoj se kjo mund të jetë bumerang për neve apo për luftëtarët e UÇK-së. Ne me mundur, e shtrijmë përtokë imazhin e kësaj Gjykate. Çdo gjë që më vjen mua nga Gjykata Speciale e që lihet para derës time, do t’i publikoj për hir të opinionit, shokëve tonë, t’u tregojmë një realitet që ka ndodh dhe po ndodh ende. Ne me mundur, e heqim për 5 minuta këtë Gjykatë Speciale, e shpërbëjmë krejt. Askund në botë nuk ka gjykatë të njëanshme. Gjitha shtetet e botës kanë pasur luftë, por nuk ka pasur gjykata të njëanshme. Pse nuk po e heton Specialja rastin ‘Panda’ në Pejë, që janë vrarë fëmijë serbë. Edhe ata janë qytetarë të Kosovës. Pse Gjykata Speciale nuk po e heton atë rast. Edhe ata janë qytetarë të Kosovës, pse Specialja nuk po e heton rastin? Nuk merret fare me to, merret me neve, me një propagandë që ka bërë Serbia dhe disa shqipfolës që kanë qenë argat të saj”, ka thënë Gucati për Interaktiv në KTV.

“Kjo gjykatë është e njëanshme, e papranueshme për ne. Ai që i ka sjellë dosjet sot, ka thënë se do të sjellë CD me materiale. U kam thënë kapeni për veshi mos e leni me u ngjit shkallëve, se unë i publikoj. Nuk po fshehim asgjë ne, nuk e di pse Gjykata Speciale mund të na akuzojë, kur nuk kemi publikuar asnjë emër të dëshmitarit. Edhe pesë vjet burg me mi jep jam i gatshëm t’iu përgjigjem Gjykatës për publikimin e dosjeve”.

Edhe Gucati thotë se për ta ka qenë befasi që erdhën këto dosje në kohën kur është bërë një aktakuzë nga Specialja ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“Na ka befasuar se po vijnë në kohën kur është ngritur akuza ndaj Hashim Thaçi e Kadri Veselit. Na ka zënë befasi kur së pari erdhën dosjet. I ka lënë në tavolinë të sekretarisë e ka ikur. Kemi dyshuar mos e dëmton procesin, pasi u fol për presidentin Thaçi e kryetarin Kadri Veseli. Mund të ndodhë edhe ajo që dikush vjen për qëllime të caktuara, por duke e analizuar se ka rrjedhë nga arkiva e Speciales, pasi është me logo të saj, ne nuk i mbrojmë dokumentet e saj. Ata duhet të jenë mbrojtës të dokumenteve të tyre, t’i ruajnë nëpër arkiva. Kjo gjykatë ka humbur kredibilitetin, kur del dokumentacioni nga ajo. E vërtetë është se ka dokumentacion nga prokuroria serbe. Nuk besoj se ka dal nga Serbia. Por nëse ka dale, atëherë Gjykata e ka obligative ta hetojë shtetin serb, mos e ka qitë me dëmtuar kredibilitetin e saj. Ka mundësi që edhe prej tyre të dalin. Mirë është që Gjykata ta hetojë edhe shtetin serb mos ka gisht në to. Hajt në dokumente të Serbisë ndoshta ka, por në dosjet e Speciales në gjuhën angleze me nënshkrime prokurorëve, emblemë, çdo send, me nënshkrime ish-prokurorëve që kanë dhënë dorëheqje”, ka thënë Gucati.

23:33

Gucati: Specialja e ka pranuar se dosjet janë të saj, do t’i publikoj të gjitha

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Specialja e ka pranuar se dosjet janë të saj.

Ai ka theksuar se do t’i publikojë të gjitha ato.

Gucati ka bërë të ditur se nuk kanë dashur t’ia dorëzojnë këto dosje Speciales pa policinë vendore, megjithatë këtë e kanë bërë pas konsultimit me avokatin.

“Po është e vërtetë se z. Nasim Haradinaj dhe z. Hysni Klinaku në dy emisione të tjera televizive kanë thënë se pa policinë vendore ne nuk do t’iu japim dokumentacionin hetuesve ndërkombëtarë. Unë kam qenë jashtë Kosovës dhe kam ardhur urgjent. Në momentin e caktuar kam kontaktuar me strukturat tona dhe kam diskutuar me avokatin që e kemi dhe i kam pyetur. Hetuesit na thonë se këto dokumente janë tonat, nuk janë të Kosovës, këto duhet me i marrë ne, nëse kemi nevojë për asistencë ne do ta thërrasim Policinë e Kosovës por nuk kemi nevojë për asistencë sepse ju na keni pranuar zyre si miq dhe u binda se këta kanë të drejtë me ardhë dhe kanë të drejtë të kërkojnë asistencë prej neve. U binda dhe ia dhashë gjithë dokumentacionin në prezencën e avokatit. Ku është bërë pranim-dorëzimi me nënshkrim të dy palëve”, shprehet Gucati.

Ai thekson se tani kanë dokumentacion ku Specialja e pranon se dosjet janë të saj.

“Gjykata Speciale e ka pranuar se dokumentacioni është i tyre dhe ka dalë nga zyrat e tyre. Sot edhe zyrtarisht e kemi marrë dokumentacionin dhe thotë se këto dokumente janë tonat dhe duhet me i marrë. Sikur të mos ishin tonat, thonë se nuk do t’i kishin marrë. Të kishin qenë të Eulex-it as që kishim ardhë të bisedojmë me ju, ose të kishin qenë vendore, por këto janë tonat dhe duhet me na i dorëzuar. Sot më kanë dhënë dokumentacionin zyrtar që ai është i tyre. Pavarësisht sakrificës që vjen unë do t’i publikoj të gjitha dosjet. Nëse ata nuk i ruajnë dosjet e veta, unë nuk do iu ruaj farë hiq”, ka thënë Gucati.

Ai thotë se janë kundër kësaj Gjykata, pasi, sipas tij ajo është raciste, e njëanshme dhe nuk vlen farë për ta edhe pse i ka dalë mandati më 2 gusht.

Megjithatë, Gucati thotë se janë të gatshëm për bashkëpunim.

“Unë ju kam thënë se jemi të gatshëm të bashkëpunojmë e të hulumtojmë rastin se kush është personi që po i bie deri te organizata. Ne sot u kemi thënë se do të bashkëpunojmë vetëm për ta zbuluar personin që po i sjell këtu. Asnjë ide nuk e kemi se kush mund të jetë”, ka thënë ai.

Sipas Gucatit Gjykata Speciale ka bashkëpunim shumë të ngushtë me Serbinë.

“E kam një dosje numër gjashtë ku Dick Marty kërkon ndihmë nga MUP-i serb, t’ia sigurojë dosjet, t’ia sigurojë dëshmitarët e të gjitha për shtëpinë e verdhë. Sot e kemi bërë publike”, ka thënë Gucati.

23:30

Gucati: VV-ja na premtoi ndihmë rreth zhbërjes së Speciales me ligj, kjo s’ndodhi

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja që ende nuk ka kthyer përgjigje rreth amendamenteve për Specialen.

“Të paktën tash që iu kemi drejtuar parlamentit të Kosovës, me një draft që kemi kërkuar të bëhet plotësim-ndryshim i ligjit, në mënyrë që të ndiqen edhe serbët për krimet në Kosovë. Ne kemi pasur kontakt me deputetët, me grupe parlamentare të ndryshme. Na kanë premtuar shumë dhe shpresoj se do ta fusin në rend dite”, ka thënë ai.

Gucati e ka theksuar sidomos bashkëpunimin e OVL të UÇK-së me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

“Me të gjithë deputetët e AAK-së”, ka thënë ai.

E ka përmendur edhe Nismën, ashtu si edhe “disa, jo të gjithë” deputetët e PDK-së.

“Me LDK-në kam tentuar të bisedoj dhe jam thuajse në bisedime”, ka thënë ai.

Ndërkohë, si ka thënë ai, me Vetëvendosjen nuk është biseduar fare “pasi që ata nuk kanë dashur”.

Gucati ka thënë se për këtë gjë duhet pyetur vetë VV-në.

“Arsye s’na kanë dhënë… VV-ja e ka treguar veten. Kam pasur takim me Kurtin para fushatës dhe me Rexhep Selimin, si dhe një prej tyre që s’më kujtohet emri. Kam marrë premtime prej tyre se së paku në seancën e tretë do të futet në rend dite, por nuk gjë e tillë nuk ka ndodhur”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se për këtë gjë “ka fakte”.

“Kam fakte që në zyren time kanë qenë Kurti dhe Selimi. Me kanë premtuar se do të shikohen të gjitha format për të ardhur tek shfuqizimi apo ndonjë plotësim-ndryshim ligji, gjë që nuk kanë ndodhur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nga Vetëvendosja ka pritur “që të paktën të thuhet jo”.

23:26

Gucati: Thaçi dhe Mustafa, përgjegjësit kryesorë rreth Ligjit për Specialen

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë në Interaktiv të KTV-së se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa janë përgjegjësit kryesorë, të cilët pos që sponzorizuan, edhe u bënë trysni deputetëve të miratojnë Ligjin rreth Speciales.

Ai ka thënë se OVL e UÇK-së ka reaguar vazhdimisht rreth kësaj, teksa është pyetur nëse veprimet e organizatës së kryesuar prej tij janë të vonuara, marrë parasysh miratimin e ligjit.

“E dini reagimin tonë edhe në parlament, edhe në rrugë, e dini më shkresat tona. Do të thotë se gjithnjë kemi reaguar. Kemi reaguar edhe ndaj presidentit Thaçi edhe më herët e edhe tani, se e dimë që Thaçi është koordinator apo bashkë me Mustafën kanë qenë ata në koalicion që e kanë sponzorizuar Specialen”, ka thënë ai, duke thënë se dihet se ata janë sponzorizuesit e Speciales, duke bërë trysni ndaj deputetëve për ta votuar këtë Ligj rreth Speciales.

“Mendoj se pjesa dërmuese e deputetëve as që e kanë hapë dokumentin se çfarë shkruan. Tash e kanë parë gabimin e vet”, ka thënë ai, teksa ka insistuar që për miratimin e këtij ligji, deputetët të kërkojnë falje. “Unë e di që shumica e deputetëve tash i kanë rënë pishman”, ka vazhduar ai.

Ai ka thënë se është “e padrejtë” që OVL e UÇK-së të akuzohet për minim të drejtësisë, gjë të cilën sot e ka bërë Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një njoftimi për medie.

“Të gjitha ato që kanë rrjedhë kanë rrjedhë nga Zyra e tyre, sepse ata vetë e pranojnë. Hetuesit që kanë qenë te ne tash e tri ditë rresht e pranojnë se dokumentacioni ka qenë i tyre”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se i vjen mirë që mediat janë përgëzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Edhe unë jam të lavdërohen mediat, sepse mediat e kanë ruajtur çdo gjë që e kanë marrë prej neve. Por, edhe ne e kemi ruajtur çdo emër dhe çdo dokument që ka qenë”, ka thënë ai.

I pyetur rreth paralajmërimeve se OVL e UÇK-së do të mund që në njëfarë forme të ndiqej penalisht, ashtu si secili që publikon dosje të tilla, Gucati ka thënë se “është i hapur” në rast të çfarëdo ftese nga Specialja.

“Kur të më thirrë Gjykata Speciale, jam i gatshëm të përgjigjem për këto vepra, nëse kam shkelur ligjin apo kam bërë vepra penale. Ne e dijmë se s’kemi bërë ndonjë vepra, sepse nuk kemi treguar emër apo mbiemër. Kemi treguar dokumentacionin që dëshmon se Gjykata Speciale është në bashkëpunim me gjykatën dhe prokurorinë speciale serbe”, ka thënë ai.