16:56

Vitia: Pranimi i testeve nga Serbia në aspektin politik ka qenë vendim i duhur

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka raportuar në Komisionin hetimor për menaxhimin e pandemisë.

Ai ka folur për menaxhimin e pandemisë në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato të veriut.

Vitia ka thënë se ka pasur takim me kryetarët e komunave në veri derisa shton se i ka informuar për rrezikun nga mosrespektimi i masave.

Ai ka thënë se në baza ditore ka marrë raport për numrin e vdekjeve dhe të infektuarve në veri.

“Sa i përket procedurave të pranimit të testeve nga Serbia, ne para se të vijnë rastet e para kemi qenë në kontakt me të gjithë ministrat e rajonit. Por më së shumti komunikimet kane qenë me të Shqipërisë. I vetmi që unë s’kam pasur asnjë kontakt ka qenë ministri nga pala e Serbisë. Në fillim të prillit kam marrë një ftesë nga ambasadori italian në Kosovë dhe të cilët më kanë ofruar dhe njoftuar se në kuadër të bashkëpunimit është mirë që të kemi kontakt edhe me ministrin e shëndetësisë nga pala tjetër e cila do të ndërmjetësohet nga KFOR-i nga ambasadori italian, dhe është caktuar data 15 prill një takim i tillë”, ka thënë ai.

Vitia ka treguar se ka ardhur një organizatë që ka ofruar një kontingjent ndihmash, por me kushtin që 10% të shkojnë për serbët por që nuk e ka pranuar.

“Pas gjithë kësaj ne kemi kërkuar si Republikë e Kosovës që njësoj sikur ne që nuk kemi penguar ndihmat që ka sjellë për qytetarët e palës serbe qe të mos kemi pengesa për qytetarët në Luginë. Ne jemi pajtuar që të dërgojmë ndihma në Luginë dhe gjatë kësaj kohe ministri serb ka ofruar testet që të i sjell në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se pranimi i testeve nga aspekti politik ka qenë vendim i duhur.

Pas rreth 3 orëve, ka përfunduar raportimi i Ish-ministrit të shëndetësisë Arben Vitia derisa është duke u diskutuar që të ftohet të raportojë kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, ambasadori Beqë Sufaj, dhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani.

15:47

Vitia: Vdekja e Agonit ishte një tragjedi

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj e ka pyetur ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, nëse është i gatshëm t’i kërkojë falje familjes së të ndjerit Agon Musliu.

“A jeni të gatshëm t’i kërkoni falje familjes së Agonit. Agon Musliu vdiq në Qendrën e Studentëve dhe a ndjeni veten fajtor kur keni dalë në sheshin në Prishtinë”, ka thënë Demaliaj duke aloduar në manifestimin e VV-së në sheshin e Prishtinës

Ai po ashtu ka folur edhe për menaxhimin e pandemisë në kohën e Vitisë.

“Në pandemi kryesorja ka qenë testimi dhe ju keni gabuar në dhe ju keni gabuar në ketë. Në sigurimin e medikamenteve e të gjitha po i thoni që janë përgjegjësi të institucioneve të tjera. Cilat janë meritat tuaja ne ketë proces, kur po thonë kolegët tuaj se është menaxhuar më së miri pandemia gjatë kohës së Vitisë. Në bazë të cilit ligj keni vepruar? Të gjitha masat kanë qenë antikushtetuese”, ka thënë Demaliaj.

Arben Vitia i është përgjigjur duke thënë se meritat i kanë pasur stafi shëndetësorë.

“Mendoj se meritat i kanë pasur stafi shëndetësorë. E imja ka qenë koordinimi i institucioneve e të gjithëve. Unë si ministër jam mjek, por nuk jam epidemiolog. Natyrisht që rekomandimet e IKSHPK-së duhet të zbatohen në vendime. Shumicën e punëve e kanë kryer punëtorët shëndetësorë, policët, inspektorët e të tjerët”, ka shtuar Vitia.

Ai ka thënë se sa për ligj për menaxhimin e pandemisë është bazuar në ligjin për sëmundje ngjitëse dhe ligjin për Shëndetësi.

“Rekomandimet se kush duhet të hyjë e kush të lirohet nga karantina kanë qenë prej IKSHPK-së. Natyrisht që ndihem keq për vdekjen e Agonit. Natyrisht që s’ka qenë e lehtë si ministër vdekja e Agonit”, ka thënë Vitia.

Ai i ka shprehur ngushëllime familjes së Agonit.

“Në këtë rast ka ndodh një tragjedi, në aspektin njerëzor dhe moral etike e kam përjetuar rëndë. I ndjeri nuk ka pasur asnjë dokument shëndetësore me vete në hyrje të pikës kufitare në aeroport dhe natyrisht për këtë në atë kohe ato deklarata që i kam lexuar dhe të gjithë akterët e kanë konfirmuar një gjë të tillë”, ka thënë Vitia. “Sa i përket tubimit të LVV-së këtu jam thirrur të jap përgjegjësi për kohën sa isha ministër”.

14:58

Vitia fton institucionet t'i hetojnë gjitha kontratat

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka ftuar gjitha institucionet që të marrin çdo kontratë dhe t’i hetojnë ato.,

“Çdo ndërhyrje nga ana e ministrit në prokurim është e dënueshme me ligj, por kjo s’ka ndodhur. Akuzat se kam dëmtuar buxhetin me miliona euro nuk janë të vërteta”, ka thënë ai.

14:40

Haxhiu akuzon ish-ministrin Vitia për dëmtim milionësh të buxhetit

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se është ndërhyrje e Ministrisë së Shëndetësisë në Agjencinë për Furnizimin me Barna, kontrata e nënshkruar për furnizimin me morfinë me kompaninë “Agani”, pasi ka pasur kontratë valide me SHSKUK-në.

Haxhiu ka pyetur ish-ministrin edhe për një kontratë tjetër me një kompani tjetër që sipas tij ka pasur lidhje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Haxhiu ka thënë se çmimet me furnizimin me doreza, maska, janë çmime abuzive.

Ai ka thënë tutje se nëse thoni se çmimet në rajon janë rritur, e argumentojë që s’ka qenë ashtu.

Ai ka shtuar se thasët për kufoma kanë qenë nga SHSKUK-ja kanë qenë tetë euro, e është kontraktuar me mbi 20 euro. Ai ka akuzuar ish-ministrin se ka dëmtuar buxhetin me miliona.

Haxhiu ia ka përmendur të gjitha kontratat që janë bërë gjatë kohës sa Arben Vitia ka qenë në ministri të Shëndetësisë, e që sipas tij i janë dhënë militantëve të Vetëvendosjes.

Haxhiu tutje ka thënë se në deklaratën e tuaj pas rastit të Agon Musliut është thënë që s’ka pasur raporte mjekësore, por babai i tij ka thënë se ka pasur.

"Në një konferencë për media ju keni deklaruar se si Arben Vitia do të jepte dorëheqje. Dorëheqja juaj do ishte morale dhe institucionale, sepse s’ka vdekur në oborrin tuaj, por në institucionin që e keni themeluar ju pa bazë ligjore", ka shtuar Haxhiu.

E ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka treguar se ka qenë dikur punëtor në kompaninë “Agani”, por se nuk e ka fshehur kurrë atë. Ai ka shtuar se tani s’ka asnjë raport me atë kompani.

“Sa i përket mungesës se pajisjeve edhe kjo ka qenë evidente. Bile në komunat e para që janë paraqitur si komuna e Vitisë, nuk e kemi ditë sa janë, por natyrisht qe administrata posedon. Unë s’kam thënë sa maska kanë qenë, as s’kam thënë që janë 60 mijë maska. Kjo ka qenë një situatë e papritur dhe natyrisht që ka pasur edhe mungesa të tilla. Sa i përket lidhjeve të mija me kompaninë Agani, unë kam qenë punëtor në atë kompani dhe nuk e kam fshehur kurrë, tani s’kam asnjë raport me atë kompani. Për një mori të pyetjeve që u shtruan, shumicën e këtyre pyetjeve edhe po t’i dija përgjigjet nuk do mund t’i thoja. Atë që mbaj mend se ka qenë një ofertë rreth 100 mijë euro se kanë qenë të alokuara nga qeverisja e Uran Ismajlit. Mbaj mend që sekretari dhe administrata më kanë njoftuar se duhet të anulohet ky aktivitet sepse ka fryrje të mëdha të çmimeve. Përndryshe në ketë situatë duhet ta kemi parasysh, njëri nga vendimet qe kemi marr ka qenë ndalimi i eksportit të pajisjeve medicinale në vende të tjera”, ka shtuar Vitia.

Haxhiu ka thënë se nuk dëshiron përgjigje politike.

 

14:13

Ish-ministri Vitia raporton në Komisionin hetimor për menaxhimin e pandemisë

Në Komisionin hetimor për menaxhimin e pandemisë do të raportojë ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në Komisionin hetimor për menaxhimin e pandemisë ka nisur raportimin ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Vitia ka folur për punën e tij gjatë kohës sa ka qenë ministër i Shëndetësisë, duke thënë se detyrën e kishte marrë në kohën kur Kosova ishte në fillet e pandemisë. Ai po ashtu ka treguar për rastet e para që ishin të dyshimta për COVID-19.

I pyetur se cilin model kishin ndjekur lidhur me menaxhimin e pandemisë, Vitia ka përmendur një “model zori”.

“Është e vështirë të thuhet, sepse s’ka pasur shumë informacione lidhur me pandeminë dhe gjendja ishte e frikshme. Rezervat për materiale mbrojtëse kanë qenë tepër të dobëta”, ka thënë Vitia, duke shtuar se stafi shëndetësor ka qenë i papërgatitur.

Ish-ministri ka thënë se për shkak të sistemit të brishtë të shëndetësisë në Kosovë, maska ka pasur në dispozicion vetëm për klinikat.

“I gjithë modeli ka qenë me të vetmin qellim që të përballemi me këtë”, ka shtuar ai.

Mimoza Kusari ka pyetur se cilat kanë qenë tri dobësitë që ai i kishte hasur.

Vitia ka thënë se e para është një sistem i brishtë me shumë mangësi që janë bërë në 20 vite, e dyta janë mungesa e materialeve bazike, e treta ka qenë jo një trajtim adekuat për situata të tilla dhe e katërta ka qenë situata në Itali dhe në disa vende të tjera që përkundër sistemit të avancuar shëndetësore kanë humbur jetë të shumta.

12:43

Haxhiu Sadikut: Në konferencën ku foli ish-ministri Vitia shikoje me dyshim

Bekim Haxhiu i është drejtuar Izet Sadikut se në një konferencë për media, kur ka folur ish-Ministri i Shëndetësisë Arben Viti, ai e ka shikuar dyshimtë dhe se ato që janë deklaruar nuk kanë qenë të vërteta.

Ai ka treguar se fjala ishte për konferencën, gjatë së cilës ish-ministria Vitia kishte thënë se nuk kishte pasur informata për gjendjen shëndetësore të Agon Musliut.

Haxhiu ka lëshuar konferencën në komision.

Kjo ka nxitur reagimin e Mimoza Kusarit, e cila ka thënë se “nuk jemi këtu për t’i bërë psikoanalizë Sadikut dhe se nuk mund të thoni se a është e vërtetë apo jo çfarë është thënë në konferencë”.

Haxhiu i eshtë drejtuar Kusari-Lilës se ajo nuk është këtu për të komentuar, duke shtuar se “po ndërhyni disa herë ju dhe kjo tjetra”, duke aluduar në Fatmire Kollçakun.

12:15

Pretendimet e Haxhiut për “zhvatje” nxisin reagimin e Kusarit dhe Kollçakut

Bekim Haxhiu e ka pyetur edhe për blerejet që janë bërë gjatë kohës se pandemisë, “se janë bërë blerje me çmime abuzive dhe shumë të larta”.

Sadiku ka thënë se nuk është biseduar asnjëherë për këtë cështje.

Derisa pyetja e Bekim Haxhiut se a ka shkuar ndonjëherë në Zyrën e prokurimit, për zhvatjen, që sipas tij ka bërë qeverisja e kaluar, ka nxitur reagimet e Mimoza Kusarit dhe Fatmire Kollçakut, të cilat kanë filluar të qeshin dhe të thonë se nuk mund të akuzohet askush për zhvatje.

12:09

Sadiku: Lutfi Haziri më njoftoi se Agon Musliu kishte shqetësime

Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku po dëshmon para Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga Qeveria.

Në këtë komision, Sadiku është pyetur edhe rreth rastit të të ndjerit Agon Musliu që i dha fund jetës gjatë qëndrimit në karantinë në Qendrën e Studentëve.

Sadiku tha se informatën zyrtare se i ndjeri Musliu kishte probleme shëndetësore e kishte marrë nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Më datën që ka ndodhur rasti ka qenë nëse nuk gabohem 3 maj ditë e diele ka qenë. Në ora 15:55 më ka thirr në telefon kryetari i Gjilanit më ka thënë: ‘Izet e keni një qytetar i cili ka ardhur dje dhe familjarët më kanë se është vendosur në karantinë nga Gjermania dhe më kanë thënë se ka shqetësime dhe probleme psikologjike në bazë të komunikimit që kanë me të’. I kam thënë ‘në rregull, dërgoni të dhënat e qytetarit dhe të lutem dërgojeni një email zyrtare në Qendrën Operative, por unë do i përcjell’. Dhe në orën 15:57 minuta kryetari mi ka dërguar: ‘Agon Musliu, konvikti numër 7, kati i 4-të, i lindur më 30.12.94 dje është kthyer nga Gjermania’. Unë në 15:59 pas dy minutash e kam thirr menaxherin, doktor Valdetin, e kam njoftuar me të njëjtin mesazh dhe i kam thënë po t’i dërgoj të dhënat që mi ka dërguar kryetari me copy-paste”, deklaroi Sadiku./KSP

11:33

Ish-zv.ministri Sadiku thotë se gjeti parregullsi në Qendrën e karantinës

Gjatë dëshmisë së tij në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë nga ana e Qeverisë së Kosovës, në këtë komision, ish-zëvendësministër i Shëndetësisë, Izet Sadiku, ka thënë se në mars, kur e ka marrë detyrën për të mbikëqyrur karantinën, dhe ka shkuar për ta vizituar atë, ka gjetur parregullsi.

Një prej tyre ka thënë se ka qenë që të karantinuarit kur e kanë marrë, ushqimin kanë pasur kontakt me vete. Ai ka thënë se këtë ka kërkuar që ta ndryshojnë.

Ndërsa, menjëherë pas marrjes së kësaj detyre, ai ka thënë se ka kërkuar nga ish ministri Vitia që të caktojnë një mbikëqyrës pasi sipas tij një i emëruar politik nuk mund të ushtrojë atë detyrë. Kërkesën e tij ka theksuar se e ka pranuar Vitia.

Sadiku ka treguar se asnjëherë më parë nuk kishte dëgjuar për të ndjerin Agon Musliu, përveç që i kishte treguar kryetari i Komunës.
Tutje i pyetur në lidhje me listat se kush është karantinuar e kush është liruar, Sadiku, ka thënë se nuk e di për këtë, pasi që s’kishte parë ndonjë gjë të tillë apo ndonjë listë se kush është liruar.

 

11:23

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë raporton në Komisionin hetimor për menaxhimin e pandemisë

Komisioni Hetimor për Menaxhimin e Pandemisë e ka nisur mbledhjen e së mërkures me raportimin, para tij, të Izet Sadikut, ish-zëvendësministër i Shëndetësisë.

Një ditë më parë, në këtë komision kanë dëshmuar Naim Musliu, i biri i të cilit vdiq tragjikisht në Qendrën Studentore, derisa ajo shërbente si karantinë, si dhe ish-menaxheri i Qendrës së karantinës, Valdet Hashani. Derisa Musliu ka insistuar se djali i tij ka pasur dokumente mjekësore që kanë dëshmuar se ai ka pas probleme shëndetësore, Hashani, ka deklaruar se ata nuk kanë pasur asnjë dokument mjekësor që ka dëshmuar se i ndjeri do të duhej të lirohej nga karantina.