21:46

Bajrami: Kushdo që ka menduar se do të ketë njohje reciproke në Washington, ka qenë gabim

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka folur për takimin mes Kosovës dhe Serbisë në Washington.

Ajo ka thënë se futja në Mini-Schengen nuk do ta dëmtojë Kosovën.

Bajrami ka thënë se Mini-Schengeni është vetëm iniciativë dhe Kosova nuk ka hequr dorë në Washingon nga tarifat doganore.

“Kryeministri Hoti nuk ka heshtur në asnjë deklaratë për njohje reciproke. Kushdo që ka menduar që në Shtëpinë e Bardhë do të bëhet njohja reciproke, ka qenë gabim. Hoti e ka kthyer Kosovën në Shtëpinë e Bardhë pas një kohe shumë të gjatë”, ka thënë ajo.

21:44

Bajrami flet për investimet nga Marrëveshja e Washingtonit

E pyetur nëse do të gjejnë zbatim pikat e nënshkruara në Washington, Bajrami ka shprehur bindjen e saj se të gjitha do të jetësohen.

“Tanimë kjo nuk duhet as të diskutohet që ato do të jetësohen, natyrisht se do të jetësohen, që institucionet në kuadër të Qeverisë janë në kuadër të konkretizimit dhe definimit, modaliteteve të financimit. E gjithashtu për disa projekte duhet të ketë studime të fizibilitetit për të parë se sa do të kushtojnë, sa kohë do të marrin për t’u implementuar”, ka thënë Bajrami.

Sipas saj zotimet që janë bërë nga kryeministri Hoti dhe presidenti i Serbisë në Washington janë zotime të dy shteteve me garancë të SHBA-së.

“Çdo herë që kemi pasur një garancë nga SHBA-ja asnjëherë nuk ka dështuar. Modalitetet e financimit janë për t’u definuar. Një është: Agjencioni për Zhvillim Ndërkombëtar i Amerikës – DFC. Gjithashtu është edhe Banka për Eksport dhe Import, të cilët i takova sa isha në Washington, sepse ata kishin planifikuar që ta vizitonin ambasadoren tonë, Çitaku. Me kërkesën e tyre edhe u takuam”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka shtuar se ende janë në proces të definimit se kush çka do të financojë.

“Ende nuk ka ardhur niveli i bisedave te Ministria e Financave. Nëse janë marrëveshjet e financimit nga institucione financiare ndërkombëtare, nëse është borxh të cilin e merr shteti i Kosovës me kredi të favorshme natyrisht që marrëveshjet e tilla kemi me i dërguar në Kuvend dhe ai ka me i ratifikuar”, ka thënë Bajrami. “Varet krejt prej mënyrës së financimit. Është duke u diskutuar në nivele teknike. Tani do të caktohen modalitetet, një pjesë e fondeve natyrisht do të jenë donacione. Parcialisht janë grante, si rasti i MCC-së”.

Bajrami ka theksuar se si Qeveri nuk do të anashkalojnë asnjë marrëveshje që kërkon ratifikim në Kuvend.

21:27

Bajrami: Jemi të gatshëm t’i inkorporojmë masat e opozitës në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është i nevojshëm për t’u mundësuar shfrytëzimi i mjeteve nga Agjencioni i Privatizimit dhe për ta mbështetur sektorin privat. Ajo ka potencuar se duhet gjithashtu për politikat fiskale dhe lirimin e 10 përqindëshit të trustit.

Bajrami ka thënë se do të japin të gjitha shpjegimet e nevojshme dhe janë të gatshëm të inkorporojnë masat e partive opozitare.

“Kur je në opozitë mund të premtosh edhe gjëra të cilat nuk bëhen, por kur je ne qeveri dhe e din sa mjete ke në llogari s’mund të japësh të tilla premtime. Në opozitë e ke një llukës të tillë. Përkrahja e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike nuk është përkrahje ndaj Qeverisë Hoti por ndaj bizneseve dhe qytetarëve”, ka thënë ajo.

Sipas saj është momenti kur sektori privat i cili ka kontribuar në ekonomi, i duhet ndihma e shtetit dhe shteti duhet t’iu ndihmojë.

21:20

Bajrami: Nëse do të ketë krizë të thellë, të gjitha shpenzimet do të rishikohen

Edhe pse ka thënë se zëvendësministri Agim Krasniqi po keqkuptohet kur thotë se ekziston mundësia që pagat në sektorin publik të ulen si pasojë e pandemisë, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse do të ketë krizë të thellë në vend.

Sipas saj, nëse krizë e tillë godet Kosovën, secili shpenzim do të rishikohet.

“Për ironi ai edhe po keqkuptohet. Pyetjet që i bëhen është se ‘nëse do të kemi krizë të thellë e pandemia do të vazhdojë a ka mundësi që të rishikohen edhe pagat në sektorin publik’ dhe normalisht që një gjë e tillë nuk përjashtohet asnjëherë. Si Qeveri e Kosovës nëse s’ka të hyra në buxhet natyrisht që të gjitha shpenzimet do të detyrohemi t’i rishikojmë. Por më lejoni të them, që për herë të parë, Qeveria Hoti, nga qeveria drejtpërdrejtë po u zgjatet dora ndërmarrjeve private nga fondi prej 365 milionë eurosh. 122 milionë kanë shkuar te qytetarët. Deri tash kemi 300 milionë euro më pak të hyra. Por përkundër kësaj, për t’iu gjendur sektorit privat, shteti po shfrytëzon kreditë që t’u ndihmojë qytetarëve dhe sektorit privat”, ka thënë ajo në Deskun e KOHËS.

Bajrami ka thënë se aktualisht çështja e pagave në sektorin publik aktualisht s’po diskutohet, por ka theksuar se “s’ka asnjë shpenzim të paprekshëm”.

21:14

Kosova do të blejë vaksinën anti-COVID me kredi nga Banka Botërore

Kosova planifikon që të blejë vaksinën anti-COVID përmes kredisë nga Banka Botërore. Ministrja Hykmete Bajrami ka thënë se janë në diskutim me BB-në për projektin e rëndësishëm për të cilin ka thënë se Kosova do të ishte ndër vendet e para që do të pajisej me një vaksinë të tillë.

“Kemi diskutuar me Bankën Botërore, për një projekt tejet të rëndësishëm sepse jemi në kohë pandemie. Ajo ka një program për blerjen e vaksinës anti-COVID. Në momentin kur ajo të konfirmohet ne do të jemi pjesë e programit që këtë vaksinë ta blejmë me mjetet e BB-së me kredi, por të jemi ndër vendet e para që e blejmë. Edhe po të kishim mjetet në buxhet, është e vështirë t’i blejmë”, ka thënë ajo në Deskun e KOHËS.

Bajrami ka thënë tutje se kërkesa do të bëhet varësisht siç kërkojnë ekspertët. Sipas saj, po të ketë nevojë kredia do të jetë e mundshme për të blerë vaksina për të gjithë qytetarët e vendit.

“Kërkesën do të kemi për mbështetjen e të gjithë banorëve. Do të kemi mjetet e sigurta, do të blejmë me procedura të prokurimit të Bankës Botërore. Ajo nuk i blen vetëm për Kosovën, por për shumë banorë në botë”, ka shtuar ajo.

20:58

Bajrami: Tërheqja nga Trusti për të ndihmuar ekonominë, jo ndihmë sociale për njerëzit

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se mundësia e tërheqjes prej 10 për qind të fondit pensional, nuk është konsideruar si ndihmë sociale për qytetarët e Kosovës, por si “infuzion për ekonominë”.

Në Deskun e KOHËS, Bajrami ka thënë se me këtë pikë, të përfshirë në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria Hoti ka synuar të ketë rritje të kërkesës agregate.

“Si qeveri s’e kemi shitur si masë për ndihmë qytetarëve. Rritet kërkesa agregate. Ndoshta qytetari që i ka nëntë euro, ai nuk shkon. Kjo është në mënyrë dëshirore. Ai ka nevojë më shumë, por kjo masë u bë ekskluzivisht të rritet kërkesa agregate. Keni pa që s’ka kërkesë agregate. Është bërë për ta ndihmuar ekonominë, jo në aspektin social njerëzit. Kemi masa të tjera për ta. Kemi vendos sot që familjet që janë në asistencë sociale deri në fund të vitit t’u ndahen 7.5 milionë euro. Edhe ato janë nga fondi për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ajo duke shtuar se kanë presion të madh qytetar për masën e tërheqjes së 10 për qind të fondeve në Trust.

“S’ka qytetar që i tërheq mjetet për t’i ruajtur. Ata që i tërheqin menjëherë do t’i fusin në ekonomi. Kemi nevojë për infuzion në ekonomi. Nuk u ndihmojmë qytetarëve duke u dhënë paratë e veta. Të gjithë qytetarët që kanë llogari po ua mundësojmë, s’po i detyrojmë. Ka të tillë që s’janë të interesuar të tërheqin 10 për qind”, ka deklaruar më tej ajo.

Ajo ka thënë se projektligji për rimëkëmbje ekonomike duhet të kalojë në lexim të parë që të ketë përafrim të qëndrimeve me opozitën. Megjithatë, ajo ka thënë se propozimi për kompensim nga shteti të tërheqjes së 10 për qind për ata që kanë më pak se dhjetë mijë euro nga Trusti, do të bëhej shkelje kushtetuese sepse krijohet pabarazi sociale.

20:54

Në bazë të numrit të punëtorëve do të subvencionohen ndërmarrjet private, thotë Bajrami

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se janë duke përcaktuar kritere që në bazë të numrit të punëtorëve që i kanë pasur vitin e kaluar të subvencionojnë ndërmarrjet.

Ajo ka thënë se për momentin, për këtë masë kanë 50-60 milionë euro.

Bajrami ka thënë se do ta marrin numrin e punëtorëve në ndërmarrjet private dhe do ta bëjnë pagesën.

“Ne sot e diskutuam mënyrën e distribuimit të mjeteve. Neve na duhet që të marrim listat e sakta të numrit të ndërmarrjeve, të marrim listën e punëtorëve në vitin e kaluar dhe pastaj do të flasim sa do të jetë kjo, por kjo do të jetë një ndihmë për punëtorët”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se sipas të dhënave të fundit janë 236 mijë punëtorë në sektorin privat.

Bajrami ka thënë se, nuk do të ketë mbështetje për sektorët e rregulluar. Këtu sipas Bajramit hynë bankat, mikrofinancat, kompanitë e sigurimeve, kompanitë e telefonive.

Ajo ka thënë se një masë tjetër është mbështetja e eksportit. Sipas saj, do të ketë disa milionë euro për t’i mbështetur ndërmarrjet që eksportojnë.

20:46

Sipas Bajramit, janë ekzekutuar 122 milionë euro nga pakoja emergjente

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në emisionin Desku të KTV-së ka thënë se nga pakoja emergjente janë ekzekutuar 122 milionë euro.

“Nga pakoja emergjente kemi zbatuar deri më tani 122 milionë euro. Janë përfunduar të gjitha aplikacionet që i ka pranuar Komisioni ndërministror, dhe nuk kemi ndryshuar asnjë anëtar të këtij komisioni, i cili është themeluar nga ish-qeveria”, ka thënë Bajrami.

Me rishikim të buxhetit ajo thotë se kanë filluar ekzekutimin, derisa ka sqaruar edhe masën prej 170 euro.

“Te masa 170 euro vendimi i ish-qeverisë iu ka lënë në diskrecion ndërmarrjeve që ato ta kërkojnë subvencionimin e pagës 170 euro për punëtorët ose me llogari të punëdhënësit. Gjithashtu iu ka dhënë mundësia që njëherë pagesa t’i bëhet punëtorit dhe herën tjetër t’i bëhet ndërmarrjes. Besoj se ky është keqkuptimi më i madh sepse shumë punëtorë kanë menduar se kjo është shtesë mbi pagën. Në fakt kjo nuk ka qenë shtesë mbi pagën asnjëherë. Kjo është menduar si ndihmë për ndërmarrjeve për me paguar një pagë minimale ose me e plotësuar në mënyrë që ndërmarrja ta paguajë pagën e plotë”, ka thënë ajo.

Bajrami ka shtuar se bizneset është dashur ta dëshmojnë se janë prekur nga pandemia.

Ajo ka shtuar se Komisioni i Ankesave është duke u marrë me trajtimin e ankesave.

“Kemi ekzekutuar masën 3A që është 170 euro, kemi ekzekutuar të gjitha listat për financimin e 50 për qind të qerasë, për të gjitha bizneset. I kemi vetëm ankesat tani”, është shprehur Bajrami.

“Shpeshherë edhe Sindikata të sektorit privatë por edhe vet punëtorët kanë thënë se neve nuk na është dhënë 170 euro nga punëdhënësit. Ne nuk kemi pasur mekanizma për të shkuar të shohim se a po shpërndahen ato mjete. Por, ajo çfarë duhet ta ketë të qartë secili punëtor është që këto nuk kanë qenë mjete shtesë mbi pagën, por subvencionim i pagës. Nëse dikush e ka pasur pagën 300 euro, punëdhënësi i ka dhënë 130 euro nga ndërmarrja dhe 170 nga Qeveria. Por, ka pasur ndërmarrje që aktivitetin e ka pasur zero dhe i ka ndarë vetëm ato 170 që i ka dhënë Qeveria”, ka thënë Bajrami.

20:40

Bajrami: Këtë vit ka diskrepancë të madhe mes të hyrave dhe shpenzimeve

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se për shkak të pandemisë, vendi ka hendek mes shpenzimeve dhe të ardhurave.

Ajo në DESK-un e KOHËS ka thënë se ky hendek është paraqitu edhe në tabelat e buxhetit të rishikuar, ku për vitin 2020 janë paraparë 1 miliardë e 778 milionë të hyra ndërkohë që shpenzimet kapin shifrën e 2 miliardë e 600 milionë euro.

Ajo ka thënë se kur është aprovuar buxheti në mars të këtij viti, nuk ka pasur mundësi të bëhen shumë ndryshime.

Kjo, pasi sipas saj kishin trashëguar një buxhet të kontraktuar.

“Meqenëse kishte filluar implementimi i pakos fiskale emergjente pa pasur mjete të destinuara për atë drejtim, ne morëm detyrë që të rishikojmë buxhetin, me qëllim që të krijonim një fond për rimëkëmbjen ekonomike në të cilin gjithashtu do të gjenim fondet edhe për implementimin e plotë të pakos emergjente fiskale. Ne i fuzionuam masat për të dyja pakot dhe në kuadër të buxhetit të rishikuar bëmë fondin prej 365 milionë euro”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Ministria e Financave u detyra ta rishikojë kornizën afatmesme të shpenzimeve. Kjo pasi sipas saj, kur ishte rishikuar buxheti në prill, nuk janë rishikuar masat dhe dëmet nga pandemia.

“Është e vërtetë që ka diskrepancë të madhe mes të hyrave dhe shpenzimeve në këtë vit. Duke marrë parasysh pasojat ekonomike ne u detyruam të rishikojmë të gjithë numrat. Ajo çka kemi reflektuar në kornizën afatmesme të shpenzimeve të rishikuara, në bazë të të cilave kemi caktuar kufijtë buxhetor, është se në fakt në vitin 2021 po kthehemi të viti 2019”, ka thënë ai.

Bajrami ka thënë se për vitin 2021 është paraparë të ketë buxhet prej 2 miliard 475 milionë euro. Ndërkohë që sipas saj, të hyrat buxhetore do të jenë 1.9 miliardë.

Sipas saj, shifrat e tilla janë subjekt i ndryshimeve.

Ajo ka thënë se këto janë pasoja në të gjitha vendet të cilat janë goditur nga pandemia.

“Ne kemi këtë hendek, por kjo nënkupton se ne kemi marrë të gjitha masat, nuk do të ketë hendek në buxhet”, ka thënë ajo.