00:03

Gaxherri: Vjosa Osmani u nxitua, unë s’votova që ajo të largohet nga LDK-ja

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka komentuar largimin e Vjosa Osmanit nga pozitat kryesuese në parti.

Ajo ka thënë se Osmani e ka pasur hapësirën e mjaftueshme në LDK, derisa ka shtuar se ajo vetë nuk marrë pjesë në votim për largimin e saj nga strukturat e partisë.

“Çfarëdo hapi që do të marrë Osmani unë do ta respektoj. E kam mike të mirë, do të kisha pasur dëshirë që ajo të ishte aty me ne. Osmani është ngutur. Osmani e ka pasur hapësirën e mjaftueshme në LDK. Asaj i është dhënë mundësia që të kandidojë për kryeministre. Kemi pasur edhe ne në vazhdimësi vota, por nuk na është dhënë mundësia”, ka thënë ajo.

Duke folur për zgjedhjet e fundit, Gaxherri ka thënë se Vjosa Osmani nuk i ka fituar ato vota, duke shtuar se kanë qenë vota të të gjithëve.

“Osmanin e ka propozuar LDK-ja për kryeministre dhe e ka bërë kryetare të Kuvendit. Secili prej nesh që kemi mospajtime aty mund t’i shfaqim ato. Unë jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm dhe nuk kam votuar për heqjen e saj nga pozitat”, ka thënë ajo.

23:58

Gaxherri: SHBA-ja nuk na ofroi njohje të ndërsjellë me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka thënë se në takimin e Washingtonit, delegacioni nga Kosova nuk ka shkuar për njohje. Sipas saj, që nga fillimi ka qenë e ditur se atje do të flitet për marrëveshje ekonomike.

Ajo ka thënë se kryeministri Avdullah Hoti, ka deklaruar se në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja nuk ka për çka flitet më, përpos njohjes reciproke, porse jo edhe në takimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja.

“Për t’u pranuar njohja nga Serbia në Washington nuk kemi qenë të informuar, sepse ky takim ka qenë për çështje ekonomike. SHBA në këto takime nuk na kanë ofruar se do të ketë njohje. Në dialogun me Serbinë në ndërmjetësim të BE-së nuk kemi çfarë të diskutojmë më, përpos njohjes reciproke”, ka thënë ajo.

Gaxherri thotë se do të ishte shumë mirë që njohja e ndërsjellë të ndodhte në Washington, porse sipas saj kjo nuk mund të ndodhë pasi që Kosova e Serbia janë pjesë e Bashkimit Evropian.

“Do të ishte shumë mirë që Serbia ta njohë Kosovën në Washington porse ne jemi pjesë e Evropës dhe kjo duhet të bëhet në BE. SHBA tregoi që Kosovën do ta njohin shtete shumë të rëndësishme. Secili shtet i ka strategjitë evropiane të veta, dhe BE do të mirëkuptojë. Ne do të punojmë me SHBA-në. Është kërkuar nga ne që të vendosim ambasadën atje. Me ndihmën e SHBA nuk kemi nevojë të tkurremi dhe t’i mohojmë aftësitë tona. Ne e kemi një strukturë ushtarake të përgatitur për të hyrë në NATO”, ka thënë ajo.

23:52

Gaxherri: SHBA-ja i dha qasje tjetër dialogut, BE-ja përdori standarde të dyfishta

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ajo ka thënë se përfshirja e SHBA-së në këtë proces dha të kuptohet që marrëveshjet nuk janë vetëm zotime, porse të tillat kanë filluar të implementohen.

Sipas saj, Bashkimi Evropian ka luajtur me standarde të dyfishta në dialog duke i dhënë më shumë të drejtë Serbisë.

“Ne nuk mund t’i ikim realitetit që kemi pas problem me SHBA-në. Ne kemi pas probleme edhe me BE-në. SHBA-ja në një kohë të gjatë kanë qenë të tërhequr nga procesi i dialogut. Përfshirja e SHBA-së në procesin e dialogut na dha të kuptojmë që marrëveshjet nuk janë vetëm zotim por kanë filluar të implementohen”, ka thënë ajo.

Gaxherri ka thënë se BE-ja ka qenë e padrejtë karshi Kosovës.

“BE-ja është shumë herë e padrejtë me Kosovën, ka luajtur shumë shpesh me dy standarde. Nuk ka bërë presion të mjaftueshëm te Serbia. Kemi mos liberalizimin e vizave dhe nuk e dimë ende pse. Angazhimi i SHBA-së me marrëveshjet që janë propozuar nga BE-ja dhe me njohjen nga Izraeli ka lënë të kuptohen shumë gjëra, që Kosova është shtet i pavarur, duhet të njohur nga Serbia”, ka thënë ajo.

Sipas saj, SHBA-ja në vazhdimësi ka pasur strategji, dhe nga ky projekt Kosova do të fitojë shumë.

Ajo tutje ka thënë se në procesin e Mini-Schengenit ku është e përfshirë edhe SHBA-ja, Kosova nuk ka nevojë të frikësohet.

“Ne kemi qenë kundër Mini-Schengenit sepse nuk ka qenë e përfshirë SHBA-ja. Problemin e kemi me Serbinë, nuk do të na pengonte asnjë lloj raporti nëse BE do të sillej me Kosovën si me Serbinë. Nëse Kosova hyn me kushte të barabarta në këtë organizim, përfitojmë dhe nuk kemi nevojë të frikohemi. Ne kemi mundësi të përgatitemi dhe të zhvillohemi ekonomikisht”, ka thënë ajo.

23:48

Gaxherri: T’i lëmë anash egot politike, për presidentin të bashkohen të gjitha partitë

Deputetja Besa Gaxherri ka thënë se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional.

Ajo ka thënë se duhet lënë anash egot, duke shtuar se as LDK-ja e as ndonjë parti tjetër nuk duhet të thotë se pozita e presidentit është e tyre.

Gaxherri ka thënë se nëse nuk pajtohen partitë opozitare, nuk mund as të fillohet procesi për zgjedhjen e presidentit.

“S’kam pas rast të flas me zotin Haradinaj por ishte e ngutshme. Edhe sot është e ngutshme. Duhet të jemi të sinqertë. Në radhë të parë me qëllimin pse jemi aty. Jemi në situatë ku ne në mars duhet të bëjmë zgjedhjen e presidentit, në mos më herët nëse procesi i Gjykatës për presidentin shpejtohet. Nëse s’mund të zgjedhim presidentin duhet të shkojmë në zgjedhje është problem sepse ne zgjedhjeve po u ikim në komuna për shkak të pandemisë, por është shumë telashe. Nëse s’duam të shkojmë, duhet të gjitha partitë të bëjnë hap prapa e të gjejnë një person apo personalitet me të cilin pajtohen të gjitha partitë politike. S’duhet të marrim yrysh asnjëri subjekt politik për ta bërë presidentin sepse do të jetë problem. Për të zgjidhur këtë çështje duhet të ulen të gjitha partitë politike”, ka thënë ajo.

Ndërkaq duke komentuar deklaratat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj për marrëveshjen e arritur në Washington mes Kosovës e Serbisë, ajo ka thënë se ai nuk është dashur të deklarohej në atë mënyrë.

“Nuk dua t’i komentojë mospajtimet e Haradinajt, unë dua t’i besoj Hotit se marrëveshja ka qenë ajo dhe nuk ka ndryshuar. Ne të gjithë kemi dashur të jetë një marrëveshje më e mirë por nuk është në dëm të Kosovës. Unë mendoj që edhe aty nuk është dashur të deklarohet Haradinaj ashtu siç është deklaruar. Nuk dua të besoj që AAK nuk është mjaftueshëm e informuar për marrëveshjen”, ka thënë ajo.

23:42

Gaxherri: Opozita të bëjë kompromis për rimëkëmbjen ekonomike, siç bëmë ne për Buxhetin

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, ka thënë se deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës duhet të bëjnë kompromis e të votojnë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Sipas saj, kompromis kanë bërë më herët edhe deputetët e pushtetit duke “tërhequr amendamentet nga Buxheti”.

“Po kërkoj nga deputetët nga opozita, se s’humbin vota nëse e votojnë këtë ligj. Po bëhet për të gjithë. Ta kalojmë edhe këtë ligj e pastaj këto mjete, që janë mbërri të investohen në Kosovë përmes marrëveshjes me Amerikën dhe pakos për rimëkëmbjen ekonomike, edhe nëse arrijmë me qytetarët të menaxhojmë mirë pandeminë, hendeku i shkaktuar nga pandemia nuk do të vërehet. Ndoshta do të kemi fat në këtë fatkeqësi e të ecim përpara më mirë”, ka thënë ajo në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se “ne kemi bërë ligjin më mirë se çdo propozim i tyre por duhet të bëjmë kompromise”.

Kompromis ajo thotë se kanë bërë edhe deputetët e pushtetit kur në Kuvend u votua Ligji për Buxhetin.

“Janë votuar amendamentet e tyre, po them për herë të parë, që neve na është kërkuar, deputetëve të mazhorancës të hiqnim amendamentet tona për t’iu dhënë hapësirë deputetëve të opozitës e u kemi dhënë dhe i kemi kaluar mbi 70-80 për qind të tyre. Kompromisi fatkeqësisht po bëhet edhe brenda koalicionit, edhe me opozitën dhe po mendoj se jemi ende shumë të papjekur politikisht në përgjithësi”, ka deklaruar tutje Gaxherri.

23:28

Gaxherri e pranon se koalicioni qeverisës s’i ka 61 vota në Kuvend

Besa Gaxherri, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka pranuar se koalicioni qeverisës, LDK-AAK-Nisma, nuk i ka 61 vota në Kuvend.

Në Interaktiv të KTV-së, duke folur për dështimet që projektligji për rimëkëmbje ekonomike të kalojë në lexim të parë, Gaxherri ka thënë se aktualisht koalicioni e ka të vështirë të bëjë shumicën në Kuvend.

“Ky ligj është futur në disa seanca dhe s’ka mundur të kalojë. Duhet të pranojmë se koalicioni është i brishtë me numra prej 61 deputetësh që jo gjithmonë janë aty, duke u bazuar edhe në pandeminë pasi që ka pas deputetë të infektuar dhe problematika të tjera, por shkurt koalicioni e ka të vështirë në këtë kohë të ketë 61 vota. Është e vërtetë që opozita e ka bojkotuar votimin e që unë mendoj se s’duhet gjykuar, por jemi në situatë të jashtëzakonshme e të vështirë. Ky ligj prek të gjithë qytetarët e Kosovës, në radhë të parë bizneset për të cilat mendoj se edhe opozita është e interesuar”, ka thënë ajo duke kërkuar nga opozita “të mos e shfrytëzojë situatën e rënduar”.

“S’dua t’i gjykoj sepse ajo është puna e opozitës, por ne duhet t’i kemi 61 vota si mazhorancë. Nuk i kemi. Megjithatë në çdo legjislaturë është dashur që opozita të angazhohet e është fat i keq që një deputet mund të jetë në seancë e të mos marrë pjesë në votim. Kjo po na shkakton shumë problem”, ka shtuar ajo.

Më 3 qershor u formua Qeveria Hoti me minimum votash, 61.