21:43

Krasniqi: Çështja e Asociacionit është e mbyllur

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë në DESKU të KTV-së se çështja e Asociacionit është e mbyllur.

"Absolutisht mendoj që nuk duhet të diskutohet. Kjo punë është e mbyllur. Në atë kuptimin që është nënshkruar... Asociacioni është përmendur në kuadër të marrëveshjes së parë të parimeve, në vitin 2013 dhe ajo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Nëse s'gaboj, kanë kaluar vite që nuk e kam lexuar, 6 pikat e para flasin për Asociacionin. Dhe, nëse s'gaboj po ashtu, e dyta ose e treta thotë se do të themelohet në bazë të shembullit të Asociacionit të Komunave të Kosovës që është ekzistues. Dhe, këtu ka lindur i tërë ai konflikti i madh nëse është organizatë joqeveritare apo bashkësi e komunave, e tjerë", ka thënë ai në DESKU të KTV-së.

Sipas Krasniqit, aty përcaktohet se do të ketë kompetenca mbikëqyrëse të arsimit, shëndetësisë dhe planifikimit hapësinor brenda atyre komunave. Në vitin 2015, kur ishim në bashkëqeverisje me LDK-në, Mustafa në kuadër të përgjegjësive të tij si kryeministër e ka negociuar më tutje dhe është nënshkruar një dokument më i gjerë.

Ai ka treguar se në pyetje është Marrëveshja për Asociacionin.

"Dhe, po flas që më 2013-tën janë 6 pika të cilat janë jashtëzakonisht të përgjithshme. Këtu ka më shumë detaje. Vetëm duhet ta kemi të qartë: Njerëzit e kanë akuzuar shumë edhe qeverinë tonë, e edhe z. Mustafa edhe z. Thaçi që ka qenë jokushtetuese. Nëse ka pasur një veprim të mençur të asaj qeverie, ka qenë fakti që në atë marrëveshje të iniciuar prej dy palëve edhe Bashkimit Evropian, është futë që krejt kjo vlen pas mendimit të Gjykatës Kushtetuese", ka thënë ai.

21:24

Krasniqi: Sapo VV-ja ta sjellë në seancë mocionin, i ka votat e PDK-së

Vetëvendosja do t'i ketë votat e PDK-së për rrëzimin e qeverisë, sapo ta sjellë zyrtarisht në Kuvend mocionin, thotë deputeti i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi.

“Ne nuk e kemi votu Albin Kurtin për kryeministër dhe kur ka ardhë një propozim me e heqë prej kryeministrit, e kemi votu. Nuk e kemi votu Avdullah Hotin dhe ditën që të vie një mocion për me e heqë, ne e votojmë. Duhet me ardhë mocioni zyrtarisht në rend dite në Kuvend”, ka thënë ai.

Krasniqi në DESKU të KTV-së thotë se nuk kanë biseduar me VV-në për mocionin, përveç diskutimeve publike dhe kërkesës së tyre që çdo deputet ta votojë.

“Jo nuk kemi bisedu, sepse VV e ka nisë një mocion në mungesë të temave, mbetën pa tema dhe e nxorrën një temë krejtësisht legjitime prej një partie opozitare, por nuk bëhet ajo punë ashtu. Dolën në një konferencë dhe thanë se mirë është me e nënshkru edhe deputetët tjerë, PDK-ja para se gjithash. Pastaj kishte deklarime prej zyrtarëve të tyre, ne e kemi bë mocionin me testu PDK-në”, tha ai.

"Prej ditës së parë e kemi deklaruar këtë punë. E kemi përsëritur dhe ripërsëritur", ka thënë ai. Por, si ka vazhduar, nga PDK-ja nuk mund të pritet që ta kryejë "punën e Vetëvendosjes, duke u bërë pjesë e planeve të tyre".

Si ka vazhduar ai, fjala është për plane "për të cilat as që janë konsultuar".

Ai ka mohuar të ishin bërë pjesë e LDK-së, kur u rrëzua Qeveria Kurti.

"Nuk është ashtu, sepse LDK-ja nuk ka komunikuar me neve. 40 nënshkrime duhen për ta zyrtarizuar mocionin. Dhe brenda dy ditëve vendoset në votim. Jo më shpejt se dy dhe jo më vonë se pesë. Dhe këtë e dijnë, ua kemi thënë edhe në seancë. E kemi deklaruar secili prej nesh", ka thënë ai.

Si ka thënë Krasniqi, Qeveria nuk mund të rrëzohet vetëm nga VV-ja dhe PDK-ja.

"As edhe me dy votat që Vjosa Osmani dhe ai deputeti tjetër i LDK-së që kanë qenë kundër Avdullah Hotin. Dhe meqë po e duan flamurin dhe bajrakun, është në rregull. Por vetëm le ta çojnë punën në fund. Votat e PDK-së, në ditën që zyrtarizohet mocioni, pra që në kuptimin ligjor janë 40 nënshkrime që e vendosin në seancë të re, të jashtëzakonshme, absolutisht i ka, të plota, 24, pa asnjë minus", ka thënë ai.


Krasniqi: Marrëveshja në Washington historike vetëm për Hotin

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë në emisionin Desku se marrëveshja në Washington është historike për vetëm për kryeministrin Avdullah Hoti.

Krasniqi ka thënë se, “në mungesë të njohjes së ndërsjellë unë nuk mendoj se është në pajtim me Kushtetutën”.

E sipas tij procesi i dialogut ka pasur të shkojë në atë drejtim (të njohjes).

“Prej 2018 ia kemi dorëzuar qëndrimet tona të gjithë liderëve. Kjo e Washingtonit nuk është marrëveshje, është një listë e zotimeve. Historike është për Hotin. Sikur të ishte marrëveshje ajo do të vinte në Kuvend. Iniciativat e tjera rajonale do të duhej të kalonin në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.

21:19

Krasniqi: Për ne s’është prioritet hyrja në Qeveri, po mendojmë për zgjedhje

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se nuk e kanë prioritet hyrjen në Qeveri, por janë duke menduar për zgjedhje.

“Ne do të dëshironim të kishim një Qeveri minimum stabile dhe nuk e kemi preferencë Hotin prej Kurtit ose Kurtin prej Hotit, këto janë çështje që ata i kanë sjellë këtu nuk i kemi sjellë ne si PDK dhe do të luanim tonë kontrollues dhe korrektues si opozitë. Nuk kemi diskutuar për kurrfarë qeverisje, nuk kemi diskutuar për përfshirjen e PDK-së në Qeveri. Nuk mendojmë që është për neve prioritet ajo çështje dhe e dimë poashtu që do të ketë një moment kur duhet të mendojmë për zgjedhje sepse nëse gjithçka përfundon me rrjedhën më normale mandati i presidentit përfundon me gjashtë mars dhe nëse deri atë ditë nuk zgjedhjet një president i ri absolutisht duhet të shkojmë në zgjedhje brenda 25 dite”, ka thënë Krasniqi.

Ai tutje ka thënë se janë duke punuar në rikonsolidimin e PDK-së.

“Unë ju them sonte jo (për hyrje në qeveri), sepse për neve nuk figuron as në top pesë prioritetet. Për neve është shumë i rëndësishëm rikonsolidimi i PDK-së si proces e kemi pasur të filluar që nga tetori dhe normalisht na ka penguar pandemia. E tash prapë ka një angazhim të punës në terren, por ka pasur vështirësi me pas konsistencë”, është shprehur Krasniqi.

21:12

Krasniqi tregon arsyet se pse PDK-ja nuk po futet në qeveri

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi në DESKU të KTV-së ka thënë se nuk është diskutuar ndonjëherë për përfshirjen e partisë së tij në Qeverinë Hoti.

"Nuk kemi diskutuar për përfshirjen e PDK-së në qeveri, nuk mendojmë që është për neve prioritet ajo çështje. Dhe e dimë po ashtu që do të ketë një moment kur duhet të mendojmë për zgjedhje", ka thënë ai.

Ai është pyetur për arsyet se përse partia e tij nuk po futet në qeveri.

"Realisht, kur më kanë pyetur herën e parë për këtë çështje, e thashë që fakti që po diskutohet kjo punë është problem i qeverisë. Sepse në një situatë normale, kjo s'do të duhej të diskutohej", ka thënë ai.

Si ka thënë Krasniqi, të kesh problem me qeverinë në një situatë kur kemi krizë ekonomike në thellim e sipër, me një rënie që mund të jetë deri në 10 për qind të GDP-së këtë vit, me shumë paqartësi në vitin 2021, ekonomikisht të jashtëzakonshme. Por, unë frikësohem që vala e dytë e pandemisë mund të jetë jashtëzakonisht e rënduar dhe me dëme të mëdha në kuptimin shëndetësor, me sfidat që shfaqen në aspektin ndërkombëtar; dhe kur i ke të gjitha këto, realisht do të dëshironim të kishim një qeveri stabile", ka thënë ai.

Si ka thënë Krasniqi, partia e tij nuk ka ndonjë preferencë, duke përmendur kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti ose ish-kryeministrin, Albin Kurti.

"Këto janë çështje që ata i kanë sjellë këtu, nuk i kemi sjellë ne si PDK. Dhe do të luanim rolin tonë korrektues dhe kontrollues si opozitë", ka thënë ai.

 

21:00

Krasniqi: Kabinetet e PDK-së kanë qenë më të mira se të tjerat

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kabinetet e tjera qeverisëse ishin më të suksesshme se ajo e Albin Kurtit. Ai ka thënë se gjatë asaj qeverisje nuk ka pasur dinamikë e as mbështetje të partnerëve për të shtyrë përpara agjendat e tyre.

“Dinamikë qeverisëse nuk kemi pasë, nuk kemi pasë dinamikën e mjaftueshme qeverisëse dhe ministrat mund të ndjekin agjendat e tyre dhe t'i shtyjnë përpara, por ajo agjendë nuk mund të avancojë nëse nuk e ka edhe mbështetjen e qeverisë që ta shtyjë me dinamikën e njëjtë. Ne e kemi pasë këtë vështirësi në njërën anë dhe në anën tjetër tek çështja e rebelimit që ndodhi brenda grupit parlamentar të VV-së që nga dita e votimit të qeverisë, kur edhe kryetarin e tyre nuk e votuan për kryeministër dhe sfidat që pastaj na kanë përcjellë”, ka thënë në DESKU të KTV-së.

Krasniqi duke folur për qeverisjen e Kurtit dhe tash të Hotit, thotë se po të pyeten qytetarët për emrat e kabinetit qeveritar, nuk mund t’i dijnë.

“Jo vetëm unë, por edhe qytetarët të mendojnë, në 10 sekondat e parë cilët ministra iu bijnë në mend të qeverisë Kurti. Arben Vitia.. është identifiku me një ministër. Sot prapë, mendoni se cili ministër iu bie në mend, besoj iu bie në mend kryeministri, por në 10 sekondat e parë është vështirë me iu ra në mend. Qeveritë identifikohen jo vetëm prej kryeministrave, por edhe anëtarëve të kabinetit”, tha ai.

Ai thotë se kabinetet e PDK-së kanë qenë më të suksesshme dhe më të mira sa i përket efikasitetit.

20:52

Krasniqi: Të qenit gjatë në pushtet ka kosto politike

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur për pasojat politike për një parti që qëndron në pushtet për një kohë të gjatë.

"Të qenit gjatë në pushtet e ka një kosto politike. Ndonëse mund të ketë vlerësuar që kohëve të fundit nuk janë shumë origjinalë dhe që në të vërtetë është një përsëritje e shumë vite që flasin për pushtetin si mundësi për të krijuar klientelizëm, për të krijuar favore, pavarësisht kësaj, është e pamundshme që pushteti të shihet prej atij prizmi, sepse ne po flasim për një milion e tetëqind mijë qytetarë dhe për një listë zgjedhore që i afrohet këtij numri dhe normalisht që asnjë parti serioze, asnjë opinionist serioz nuk do të duhej ta shihte përmes prizmit të klientelës, sepse është e pamundshme që t'i shohësh nga ky filter krejt qytetarët ose krejt ata që janë në listën votuese", ka thënë ai.

Si ka vazhduar Krasniqi, kostoja politike e tërë kësaj, me gjithë "sukseset dhe rezultatet, është e madhe, sepse rëndom në një vend që nuk i është shmangur transicionit për një periudhë të gjatë, pritjet dhe kërkesat janë shumë të mëdha".

Pritjet e tilla, si ka vazhduar Krasniqi, janë shumë legjitime, por që mundësitë për t'i realizuar janë shumë problematike.

"Ndonjëherë janë edhe fushatat zgjedhore që na entuziazmojnë më shumë sesa që duhet dhe në të cilën e ndikojnë partia partinë në kuptimin e ofertës zgjedhore dhe premtimeve elektorale e të cilat pastaj nuk e ka mundësinë as financiare dhe as në kuptimin administrativ për t'i realizuar të plota", ka thënë ai.

Si ka vazhduar Krasniqi, në raste të tilla, edhe nëse i realizon 70 apo 80 për qind të premtimeve, "gjithnjë do të mbetesh i atakuar".

"Dhe po ashtu ka pasur edhe probleme. Unë jam i bindur se çdo analizë objektive e qeverisjes së PDK-së, duhet ta ndajmë së paku në dy pjesë: në pjesën kur qeveria e PDK-së është udhëhequr nga PDK-ja dhe në pjesën ku PDK-ja ka qenë pjesë e bashkëqeverisjes", ka thënë ai.

"Dhe ne e kemi udhëhequr qeverinë në vitet 2008-2014, ndërsa 2015-2019 kemi qenë pjesë e qeverisë. Por, realisht drejtimin qeverisës dhe të vendimmarrjes ia jep kryeministri. Dhe ne fillimisht patëm marrëveshje me LDK-në, duke e bërë Isa Mustafën kryeministër dhe më pas me AAK-në dhe Nismën duke e bërë Ramush Haradinajn kryeministër", ka thënë ai.

I pyetur nëse mendon që kjo gjë kishte qenë gabim, Krasniqi është përgjigjur se "nuk është prej atyre që 'post-festum' bën vajtimin e asaj çfarë ka ndodhur".

Arsyeja, si ka thënë ai është se këto vendime janë marrë përmes një analize.

"Por rezultati absolutisht nuk ndodhi pozitiv në finale", ka thënë ai.