Arbëri

Osmani dhe nënkryetarët e Kuvendit i kërkojnë sqarime DFC-së rreth studimit të fizibilitetit për Ujmanin

Osmani dhe nënkryetarët e Kuvendit i kërkojnë sqarime DFC-së rreth studimit të fizibilitetit për Ujmanin
Foto: Zyra e Kryeministrit
18:03

Osmani dhe nënkryetarët e Kuvendit i kërkojnë sqarime DFC-së rreth studimit të fizibilitetit për Ujmanin

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ashtu si edhe disa nënkryetarë të Kuvendit i kanë kërkuar delegacionit të DFC-së sqarime lidhur me studimin e fizibilitetit për Ujmanin, pjesë kjo e marrëveshjes së nënshkruar në Washington.

Njëkohësisht, në një takim mes tyre të premten, është shtruar nevoja për transparencë në projektet e DFC-së, si dhe sqarim të strukturës dhe instrumenteve të financimit.

Osmani njëkohësisht ua ka ritheksuar rëndësinë e përfshirjes së Kuvendit në këtë proces “si vendimtar për realizimin e projekteve investuese, ngase të gjitha marrëveshjet me implikime financiare do të kërkojnë ratifikim edhe në Kuvend”.

“Mbështetja e SHBA-va ke qenë historikisht kyçe në çdo proces vendimtar për vendin tonë. Mirëpresim faktin që e keni kuptuar qartë rëndësinë e përfshirjes së Kuvendit në këtë proces dhe duke vlerësuar lartë çdo projekt investues që do mbështetet nga ana juaj, shpresojmë që këto projekte do realizohen duke pas konsideratë të lartë për fuqizimin ekonomik të grave, aplikimin e praktikave më të mira për mbrojtjen e mjedisit dhe duke kontribuar në lehtësimin dhe adresimin e dëmeve të shkaktuara drejtpërdrejt nga pandemia”, shkruhet në njoftimin nga Zyra për Informim e Kuvendit.

Në takim të premten me delegacionin e DFC-së, krahas Osmanit, të pranishëm kanë qenë edhe nënkryetarët e Kuvendit: Arbërie Nagavci, Memli Krasniqi, Fikrim Damka dhe Slavko Simiq. Ata janë takuar me delegacionin e Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC) të përbërë nga Caleb McCarry dhe Brian Martalus, nga zyra e DFC në Ëashington, John Jovanoviq, shef i zyrës së DFC në Beograd dhe Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

17:41

Zyrtarë të lartë të DFC-së vazhduan vizitën në Kosovë

Zyrtari i lartë i DFC-së, Caleb McCarry e ka vazhduar edhe të premten vizitën në Kosovë, një ditë pas takimit të tij me kryeministrin Avdullah Hoti dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së Kosovës.

Me Hotin ai kishte diskutuar për mbështetjen e rritjes ekonomike, zhvillimit dhe stabilitetit përmes investimeve në sektorin privat në Kosovë.

Sipas tij, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, ka hapur rrugën për rritjen e investimeve dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe integrimit rajonal, ndërsa ka shtuar se Koorporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar, është e përkushtuar në ofrimin e mjeteve financiare për të ndihmuar mobilizimin e investimeve në lidhjet rrugore, hekurudhore dhe projektet e tjera që krijojnë vende pune, ku sipas McCarry-t, përfiton populli i Kosovës.

“Ky është një hap drejt prosperitetit më të madh rajonal dhe ndërtohet mbi marrëveshjet e sapoarritura për normalizim ekonomik, të ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë, që ishte e arritur e madhe që do të shtrojë rrugën për zhvillim ekonomik në Kosovë dhe rajon”, shkruhet në një njoftim të ambasadës së SHBA-së.